"Blutë janë klubi më i madh në Londër”/ Rogers ndez rivalitetin mes Chelsea dhe Arsenalit

Morgan Rogers ka nisur menjëherë të fitojë zemrat e tifozëve të Chelseat, por njëkohësisht ka zemëruar ata të Arsenalit me deklaratën e tij të parë pas transferimit në “Stamford Bridge”.
Chelsea zyrtarizoi të martën mbrëma afrimin e 23-vjeçarit nga Aston Villa, ndërsa sulmuesi anglez firmosi një kontratë afatgjatë deri në vitin 2033.
Sipas mediave angleze, transferimi kap vlerën e rreth 138 milionë eurove, duke u renditur ndër më të shtrenjtët në historinë e Ligës Premier.
Arsenali ishte një nga klubet që këmbënguli më shumë për shërbimet e Rogers gjatë merkatos verore, por në fund Chelsea fitoi garën për firmën e tij.
Në prezantimin si futbollist i “Bluve”, Rogers nuk hezitoi të ndezë rivalitetin londinez.
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Për mua, Chelsea është klubi më i madh në Londër dhe e kam admiruar gjithmonë që nga fëmijëria.”
Deklarata pritet të shkaktojë reagime të shumta nga tifozët e Arsenalit, pasi debati për klubin më të madh të kryeqytetit anglez mbetet një nga rivalitetet më të forta në futbollin anglez.
“Jam shumë i emocionuar për projektin me trajnerin e ri, për lojtarët që kemi dhe drejtimin që po merr klubi. Pikërisht për këtë arsye jam këtu dhe mezi pres të nis punën”, shtoi ai.
Rogers vjen te Chelsea pas një sezoni të shkëlqyer me Aston Villën dhe pasi ndihmoi Anglinë të përfundonte Kupën e Botës 2026 në vendin e tretë.



