Heshtja si një skandal i dytë, Çela: Pse elita akademike dhe intelektuale nuk po flet për Portin e Durrësit?
Projekti gjigant për transformimin e Portit të Durrësit po ecën përpara nën një heshtje thuajse absolute nga elita akademike dhe intelektuale e vendit. Mungesa e një debati publik dhe profesional ngre pikëpyetje serioze mbi një degradim të qëllimshëm të portit ndër vite dhe një apati qytetare që duket se e ka pranuar zhvillimin kaotik si normë.
E ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, gazetarja Lindita Çela u shpreh se situata aktuale në Portin e Durrësit nuk është një rastësi, por rezultat i një degradimi të qëllimshëm dhe afatgjatë, që i tejkalon mandatet e një qeverie të vetme.
Ky proces dyshohet se ka favorizuar interesa politike, ku drejtuesit e portit më pas janë shpërblyer me poste ministrore e mandate deputetësh.
Më shqetësuese është mungesa e interesit nga vetë qytetarët dhe, veçanërisht, nga elita intelektuale. Arkitektët, urbanistët dhe akademikët, sidomos ata të qytetit të Durrësit, duket se i shmangen prononcimit, duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e një mendimi kritik mbi projektin.
Ky fenomen i heshtjes shtrihet përtej Durrësit. Institucione kyçe si Akademia e Shkencave apo Universiteti i Arkitekturës, të cilat duhet të ishin në ballë të diskutimit, qëndrojnë indiferente. Kjo mungesë e debatit politik dhe profesional ka krijuar një vakum, ku perceptimi i përgjithshëm është se projekti është thjesht një tjetër mundësi "për të kapur ç'të kapësh", duke ushqyer më tej cinizmin dhe mosreagimin publik.
Çështja e Portit të Durrësit, tha Çela shihet si një simptomë e një problemi më të gjerë kombëtar: zhvillimi urban pa plan dhe pa infrastrukturën shoqëruese.
Rasti i Tiranës, me mbi 120 kulla të miratuara, por me mungesë të theksuar të sigurisë publike, rrugëve dhe menaxhimit efikas të trafikut, shërben si një paralele alarmante. Ndërsa betoni shtohet, cilësia e jetës dhe siguria e qytetarëve lihen pas dore.
Ndërsa marrëveshja me investitorët arabë për portin e ri ngre shqetësime legjitime, pyetja thelbësore mbetet: Pse një projekt me ndikim kaq të madh kombëtar po kalon pa asnjë lloj filtrimi apo kundërshtie nga ata që kanë detyrimin profesional dhe moral për të mbrojtur interesin publik? Heshtja e elitës rrezikon të legjitimojë një model zhvillimi që i shërben interesave të ngushta dhe jo të ardhmes së vendit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË


