Haklaj: Protesta qytetare në Tiranë, përgjigje ndaj “teatrit” politik PS-PD!

Haklaj: Protesta qytetare në Tiranë, përgjigje ndaj

Ish-deputeti Azgan Haklaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe protestën qytetare të zhvilluar në Tiranë, gjatë një interviste për “Ora News”, ku ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës dhe opozitës.

Sipas Haklajt, debatet dhe përplasjet që zhvillohen në Parlament janë pjesë e një “teatri politik” mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat sipas tij kanë bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme për çështje me interes të përbashkët.

Ai pretendon se pas përplasjeve publike fshihet një marrëveshje që ka lejuar miratimin e ligjeve të rëndësishme pa kundërshtim real nga opozita.

Duke folur për protestën qytetare, Haklaj tha se ajo është shprehje e pakënaqësisë së akumuluar ndër vite për mënyrën se si janë administruar pasuritë publike dhe projektet strategjike në vend. Sipas tij, qytetarët po reagojnë ndaj një sistemi që favorizon interesat e oligarkëve në dëm të interesit publik

Ai kritikoi gjithashtu opozitën për qëndrimet e saj të tanishme kundër investimeve strategjike dhe paketës së maleve, duke argumentuar se këto ligje janë miratuar më herët pa rezistencë efektive parlamentare. Haklaj u shpreh se protestat përfaqësojnë një alternativë ndaj asaj që ndodh në Kuvend dhe i cilësoi ato si një formë referendumi qytetar.

Në intervistën e tij, ish-deputeti deklaroi se protesta po zhvillohet në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve që hetojnë korrupsionin, ndërsa akuzoi klasën politike për bashkëpunim me interesa oligarkike dhe kriminale. Sipas tij, sistemi politik aktual ka prodhuar një krizë përfaqësimi dhe ka kufizuar konkurrencën demokratike përmes listave të mbyllura.

Haklaj ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi qëndrimet e liderëve politikë kryesorë ndaj protestave dhe akuzave të ndërsjella që shkëmbejnë në Kuvend, duke argumentuar se përplasjet mes tyre nuk adresojnë problemet reale me të cilat përballen qytetarët.

Në përfundim, ai theksoi se protesta qytetare përfaqëson një reagim kundër modelit aktual politik dhe kërkon më shumë transparencë, përgjegjësi dhe llogaridhënie nga drejtuesit e vendit.

Azgan Haklaj:Një teatër sot në parlament, ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë kohëve të fundit që pas çdo teatri në parlament midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka patur një marrëveshje okulte. Pra, ne kemi denoncuar vazhdimisht prej shumë vitesh këtë marrëveshje, marrëveshja e kullave dhe e vulave. Pra, është një marrëveshje që përpiqen ta mbulojnë me teatralitet, gjoja me debate në Parlamentin e Shqipërisë.

Dhe pikërisht për këtë ka shpërthyer një zemërim popullor, një tajfun do ta quaja unë. I akumuluar prej shumë e shumë vitesh, pra që ndodhi pas Zvërnecit, Rrjollit, Thethit, Valbonës, Pogradecit, sepse krejt ultësira perëndimore dhe krejt pasuritë strategjike janë dhënë nga oligarkëve. E sigurisht ka një zemërim popullor sepse ata kanë sunduar dhe si sundimtarë kanë menduar se gjithçka është e tyre dhe ata kanë të drejtë të luajnë me fatet e vendit, kanë të drejtë të luajnë me pasuritë shtetërore, kanë të drejtë të luajnë dhe me fatet njerëzore dhe politike.

 Ka qenë një teatër, tani kur dëgjon sot opozitën të thotë që, për t'ia shitur listës se mazhoranca ka miratuar ligje të investimeve strategjike dhe zonave të mbrojtura dhe kërkojnë të kthehen sepse edhe Parlamenti Europian vendosi kështu.të vjen turp. Pse të vjen turp? I kemi ndjekur seancat parlamentare, teatrin kur miratohej buxheti i shtetit. Kishte flakadan, molotov, ndërkohë ata miratonin ligjet. Kemi ndjekur seancën e miratimit të ligjit të investimeve strategjike. Ata përsëri me flakadan, përsëri me molotov dhe mazhoranca i miratonte ligjet. Tani u kujtuan këta se kush janë investimet strategjike. Kur u bë paketa e maleve, ata s'ishin fare.

Dhe tani thonë është bërë paketa e maleve, po këta s'kanë qenë fare. Kurse sot ajo që ishte më e shëmtuara ishte kur i shihje deputetët demokratë me pankarta si yllkat. Ore ore lule bore jemi yllka shembullore. Pra ju bindën zotit Berisha për të shkuar me pankarta e për të devijuar, Rama në burg, Belinda në burg. Po Belinda e ka marrë rrugën, së shpejti do të ketë kërkesën e dytë për heqjen e imunitetit. Edhe Parlamenti Europian tha prerazi që Rama ka mbrojtur Ballukun, pra ka penguar drejtësinë. Ashtu siç ka penguar Berisha e që ishte shpallur non grata, për pengim të drejtësisë, minim të demokracisë, cënim sigurisë kombëtare, të njëjtën gjë po bën dhe Rama.

Protesta është antipodi i asaj që po ndodh në parlament. Është një protestë qytetare, referendum qytetar, i cili, në aleancë solide me SPAK-un, po shndërrohen në misionarë të çlirimit të demokracisë nga pengu. Të çlirimit të demokracisë nga kthetrat e trekëndëshit të Bermudës. Çlirimit të demokracisë nga kthetrat e oktapodit kriminal, sepse kemi një aleancë të oligarkisë politike me oligarkinë financiare me krimin e organizuar, përballë qytetarëve dhe SPAK-ut. Një thirrje është aty: Rama në burg, Berisha në burg! Dhe Berisha u kërkon deputetëve të Partisë Demokratike të Rithemelimit të shkojnë në protestë, sepse janë dakord me njërën pjesë. Po për pjesën tjetër qenkan anëtarë të opozita e opozitës. Për atë ka një slogan: "Opozitë e shitur!"

Po opozitë e shitur. Pse është opozita e shitur? Sepse Rama mban peng Berishën. Së bashku bëjnë ligjin zgjedhor me lista të mbyllura. Ata nuk e kishin mendjen as te investitori strategjik, as te paketa e madhe, as te buxheti i shtetit, as te zonat e mbrojtura, e kishin mendjen vetëm tek bashkëpunimi për mbylljen e deputetëve në hipotekat politike të kryetarëve. Pra, të kryetarokracisë. Nuk e kishin mendjen ata se çfarë po ndodh dhe kemi këtë rezultat. Sepse në të gjithë botën protestat i udhëheq opozita. Por opozita është peng. Është peng te Rama, sepse ai dhe Balluku i kanë dhënë vulën Sali Berishës. Deputetët le të vijnë në protestë si qytetarë.

EMISIONET