FOTO/ “Ky kapitull quhet lumturi”, Eronita dhe Blero ndajnë foton e ëmbël të djalit!

Pak javë pasi u bënë prindër të një djali, këngëtari Blero Muharremi dhe partnerja e tij, Eronita, kanë vendosur të ndajnë me publikun një moment të veçantë nga jeta e tyre familjare.
Çifti kishte zgjedhur që në javët e para të ruante privatësinë e të porsalindurit, duke mos publikuar imazhe të plota të tij në rrjetet sociale. Megjithatë, së fundmi Eronita ka emocionuar ndjekësit duke publikuar në Instagram një fotografi të ëmbël ku shfaqet djali i tyre.
Menjëherë pas publikimit, edhe Blero e ka ripostuar fotografinë në profilin e tij, duke ndarë me ndjekësit gëzimin e madh që po përjeton si baba.
Postimi u shoqërua me një mesazh të shkurtër, por domethënës nga Eronita, e cila shkroi: “Ky kapitull i jetës sime quhet: lumturi”, duke përshkruar emocionet e periudhës së re që po jeton pranë familjes së saj.
Fotografia ka marrë reagime të shumta nga fansat dhe miqtë e çiftit, të cilët kanë uruar familjen për ardhjen në jetë të vogëlushit.

Kujtojmë se Blero është baba edhe i një vajze nga martesa e tij e mëparshme me Teuta Krasniqi, ndërsa ardhja në jetë e djalit shënon një kapitull të ri dhe të lumtur në jetën e artistit.

