Apple paralajmëron rritje çmimesh! Kostoja e çipave të memories është rritur ndjeshëm! IA po shton kërkesën në treg

Apple ka paralajmëruar se do të rrisë çmimet e produkteve të saj për shkak të kostove në rritje të çipave të memories. Sipas drejtuesve të kompanisë, kërkesa e lartë e nxitur nga inteligjenca artificiale dhe problemet në zinxhirin e furnizimit po ushtrojnë presion të madh mbi industrinë teknologjike.

Apple paralajmëron rritje çmimesh! Kostoja e çipave të

Apple pritet të rrisë çmimet e produkteve të saj për shkak të rritjes së ndjeshme të kostos së çipave të memories, një komponent thelbësor për telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe pajisjet e tjera elektronike. Lajmi është konfirmuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, i cili e cilësoi situatën si të paqëndrueshme për prodhuesit e teknologjisë.

Në një intervistë për Wall Street Journal, Cook deklaroi se kompania është përpjekur të mbrojë konsumatorët nga rritja e kostove, por shtoi se rritja e çmimeve është bërë e pashmangshme. Ai nuk specifikoi se kur do të hyjnë në fuqi ndryshimet dhe cilat produkte do të preken, ndërsa mbetet e paqartë nëse rritja do të ndikojë edhe tek seria e ardhshme e telefonëve iPhone 18, e cila pritet të prezantohet në muajin shtator.

Çipat e memories janë bërë më të shtrenjtë gjatë muajve të fundit për shkak të kërkesës së lartë të nxitur nga zhvillimi i teknologjive të inteligjencës artificiale. Sipas raportimeve, çmimi i memories RAM është më shumë se dyfishuar që nga tetori i vitit 2025.

Presion shtesë mbi industrinë ka sjellë edhe situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Lufta në Iran ka ndikuar në furnizimin global me helium, një gaz i domosdoshëm për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe çipave elektronikë, duke rritur më tej kostot e prodhimit.

Sipas kompanisë kërkimore Omdia, çmimi mesatar i telefonëve inteligjentë në nivel global pritet të rritet me rreth 20% gjatë vitit 2026. Analistët parashikojnë se modelet e reja të Apple mund të kushtojnë deri në 150 dollarë më shumë se gjenerata aktuale, për shkak të përmirësimeve teknologjike dhe integrimit të funksioneve të reja të inteligjencës artificiale.

Edhe kompani të tjera të mëdha teknologjike kanë paralajmëruar rritje çmimesh. Samsung ka folur për mungesa në furnizimin me çipa memorie, ndërsa Sony dhe Nintendo kanë rritur së fundmi çmimet e konsolave të tyre për shkak të kostove më të larta të prodhimit dhe ndryshimeve në treg.

EMISIONET