“Metamorfoza”/ GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe me 5 vite ish-shefin e policisë Ardit Hasanbegaj

“Metamorfoza”/ GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të enjte vendimin për dy nga emrat kryesorë të dosjes voluminoze “Metamorfoza”, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e policisë, Ardit Hasanbegaj. Ky konsiderohet dënimi i parë për Gjokën, i cili lidhet kryesisht me ato që cilësohen si "krime të lehta" brenda këtij fraksioni hetimor.

Dënimi për Pëllumb Gjokën

Biznesmeni Pëllumb Gjoka është deklaruar fajtor për një sërë akuzash të rënda, përfshirë "sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje" në dëm të shtetasve Kleanthi Musabelliu, Dorjan Duli dhe Ibrahim Lici. Gjithashtu, ai u gjet fajtor për "korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë" dhe pjesëmarrje në "grup të strukturuar kriminal".

Gykata e dënoi fillimisht Gjokën me 9 vite burgim, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar (ulja e 1/3 së dënimit), masa përfundimtare u caktua në 6 vite burg në një burg të sigurisë së lartë. Nga ana tjetër, togat e zeza e deklaruan atë të pafajshëm për akuzën e "armëmbajtjes pa leje".

Dënimi për ish-shefin e Policisë, Ardit Hasanbegaj

Ndaj ish-zyrtarit të policisë, Ardit Hasanbegaj, rënduan akuzat për sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal.

GJKKO e dënoi Hasanbegajn me 7 vite e 6 muaj burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij zbret në 5 vite burg të sigurisë së lartë. Si dënim plotësues, gjykata i hoqi ish-efektivit edhe të drejtën për të ushtruar funksione publike.

 

EMISIONET