PAMJET/ “Emisarët” në samitet e kok*inës! SPAK zbardh EMRAT dhe takimet në Aruba, Monako, Belgjikë dhe Majorka për pazare e projekte
Dosja e SPAK për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës dokumenton takime të personave nën hetim në Aruba, Monako, Belgjikë dhe Majorka, ku dyshohet se diskutoheshin operacione trafiku dhe investime. Në dokumente përmenden emra si Artur Shehu, dhe të tjerë të identifikuar në takime dhe lëvizje të ndryshme jashtë vendit.
Kjo është një nga fotografitë që, sipas hetimeve, dokumenton takimet e të ashtuquajturës “Korporata Aruba”, ku janë mbledhur persona të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale për të diskutuar investime dhe projekte ndërtimi që dyshohet se financoheshin me para të trafikut të drogës.

Takimi në ishullin Aruba është dokumentuar edhe nga SPAK përmes një letër-porosie drejtuar autoriteteve spanjolle. Por sipas dosjes hetimore që goditi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave, takime të ngjashme nuk janë zhvilluar vetëm në Aruba.
Hetuesit kanë dokumentuar lëvizje dhe takime në Majorka, Monako, Belgjikë dhe Gjermani, ku shfaqen emra si Artur Shehu, Adrian Rama, Erion Rama, Elton Memeti, Bashkim Osmani dhe persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e rrjetit.

Sipas dokumenteve, Adrian Rama ka komunikuar me Alfredo Hamzain, i njohur edhe me emrat Genc Bedini dhe Genci Tanasi, përmes Arben Ismailajt, në lidhje me një operacion të dyshuar të trafikimit të narkotikëve.

Ai rezulton pjesëmarrës në takime në Majorka me Bashkim Osmanin, Toni Lipajn, Artur Shehun dhe Arben Ismailajn. Ndërsa në Monako është identifikuar në një takim me Artur Shehun, Arben Ismailajn dhe Alfredo Hamzain, ku sipas hetuesve është diskutuar trafikimi i kokainës nga Surinami drejt Evropës.
Në dosje përmenden edhe takime në Belgjikë mes Adrian Ramës, Alfredo Hamzait dhe djalit të tij, Arten Hamzai.

Një rol të rëndësishëm në këto lëvizje, sipas hetimit, ka pasur edhe Artur Shehu, i cili rezulton pjesëmarrës në takime të zhvilluara në disa vende të Evropës dhe Amerikës, ku dyshohet se janë diskutuar blerja, transporti dhe futja e sasive të mëdha të kokainës në tregun evropian.
Në këto takime përmenden gjithashtu Elton Memeti, Leonard Bishai, Bujar Shehaj, Pëllumb Petritaj dhe Erion Rama.
Ky i fundit është identifikuar në Monako në të njëjtin automjet me Adrian Ramën dhe Artur Shehun.

Sipas SPAK, automjeti është përdorur më pas edhe për udhëtimin drejt Majorkës, në kuadër të takimeve që autoritetet i lidhin me aktivitetin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.


