Botërori 2027 për vajza/ Anila Basha pas shortit të play-off: Duhet të jemi krenarë për këtë moment historik

Botërori 2027 për vajza/ Anila Basha pas shortit të play-off:

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka mësuar kundërshtaren e saj në raundin e parë të play-off-it të Kampionatit Botëror “Brazil 2027”, ku do të përballet me Uellsin në një sfidë historike për futbollin e vajzave në vendin tonë.

Pas shortit të hedhur në selinë e UEFA-s, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, vlerësoi arritjen e ekipit kuqezi, duke e cilësuar kualifikimin në play-off si një moment krenarie për gjithë futbollin shqiptar.

“Duhet të jemi krenarë që erdhëm deri në këtë fazë, ku jemi në ceremoninë e play-off-it të Kupës së Botës për vajza “Brazil 2027”, që është edhe hera e parë në historinë e futbollit të vajzave në Shqipëri. Deri në këtë fazë kemi bërë maksimumin tonë dhe vajzat kanë qenë të jashtëzakonshme në fushë, stafi teknik ka qenë suportiv dhe mbi të gjitha edhe vetë FSHF”, u shpreh Anila Basha.

Duke komentuar shortin, ajo theksoi se Shqipëria e njeh mirë Uellsin, pasi dy skuadrat janë përballur edhe gjatë këtij viti në kualifikueset e Botërorit.
“Përsa i përket shortit, kemi dy ekipe që na kanë rënë në short dhe që i njohim. Për ndeshjen e parë ndaj Uellsit, e njohim shumë mirë sepse kemi luajtur këtë vit, pavarësisht se ndeshja e parë ishte me një rezultat jo shumë të kënaqshëm.
Ndeshja e dytë që u luajt në “Elbasan Arena” tregoi një performancë të jashtëzakonshme të vajzave tona. Mund jo vetëm ta kishim barazuar atë ndeshje, por edhe ta kishim fituar. Kam shpresa, optimizëm dhe, sikurse thonë gjithmonë stafet tona apo profesor Grima, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, një nga një”, tha anëtarja e KE-së.

Në lidhje me kundërshtaren e mundshme në raundin e dytë të play-off-it, ku fituesja e çiftit Shqipëri-Uells do të përballet me fituesen e sfidës Rumani-Norvegji, Basha nënvizoi progresin e bërë nga Kombëtarja shqiptare në vitet e fundit.

“Ne themi të fitojë Rumania. Edhe Norvegjinë e njohim. Sigurisht kemi luajtur, por kemi luajtur në një kohë të hershme, në harkun kohor të dy viteve. Vajzat dhe ekipi ynë është konsoliduar, jo vetëm përsa i përket prurjeve të reja, por edhe investimeve, mënyrës si stërviten. Gjithçka duhet t’ia lëmë lojës dhe padyshim me suportin tonë të jashtëzakonshëm të FSHF”, përfundoi Anila Basha.

Kombëtarja e vajzave do të zhvillojë ndeshjen e parë të play-off-it ndaj Uellsit në Shqipëri gjatë muajit tetor, ndërsa takimi i kthimit do të luhet në transfertë.

EMISIONET