"Ky rast kërkon vëmendje institucionale"/ Softa për k*rcënimet ndaj deputetes Koçeku: Strukturat të reagojnë sa më shpejtë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, ishte eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i cili komentoi deklarata e fundit të deputetes Marjana Koçeku lidhur me kërcënimet që ka marrë nga Bajrat e Shkodrës. Ai gjithashtu u thellua dhe në çështjet që lidhen me sigurinë publike.

Sipas tij, situata merr peshë të veçantë për shkak të rolit institucional të personit të përfshirë dhe nevojës për reagim të kujdesshëm nga strukturat e sigurisë.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një situatë ku një deputete e parlamentit shqiptar, pavarësisht përkatësisë politike, kërkon vëmendje institucionale. Strukturat e sigurisë duhet të reagojnë shpejt dhe në mënyrë të rregullt për të verifikuar çdo pretendim.”-tha ai.

Ai shtoi se hapi i parë i rëndësishëm është sqarimi i mënyrës se si është marrë komunikimi që është bërë publik dhe nëse ka prova konkrete për të.

“Duhet të ketë një kallëzim zyrtar dhe fakte të qarta. Duhet të dihet nëse bëhet fjalë për mesazh, telefonatë apo kontakt tjetër, sepse vetëm mbi bazën e provave mund të veprojnë institucionet.”-shtoi Softa.

Eksperti theksoi gjithashtu se raste të tilla kërkojnë maturi dhe trajtim institucional, për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar sigurinë publike.

 

EMISIONET