Ukraina dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen raketore, Britania premton 150 mijë dronë

Ukraina dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen

Ukraina dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje për forcimin e aftësive raketore antibalistike të Kievit, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i njohur si “Grupi Rammstein”.

Duke iu drejtuar aleatëve perëndimorë, Zelensky bëri thirrje për mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe kërkoi që rezultatet konkrete të arrihen përpara sezonit të dimrit. Ai theksoi se Ukraina ka nevojë urgjente për artileri me rreze të gjatë veprimi, sisteme të avancuara mbrojtjeje dhe mjete ajrore pa pilot.

Presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu krijimin e mekanizmave të rinj financiarë për të siguruar financim afatgjatë për ushtrinë e vendit.

Ndërkohë, Britania e Madhe njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, me vlerë 996 milionë dollarë. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, deklaroi se Londra do t’i furnizojë Ukrainës 150 mijë dronë deri në fund të vitit 2026.

Paketa përfshin gjithashtu 350 raketa të mbrojtjes ajrore dhe sisteme radarësh tokësorë, të financuara përmes kredisë britanike prej 2.26 miliardë funtesh për Ukrainën.

Sipas autoriteteve britanike, kredia mbështetet nga të ardhurat e krijuara prej aseteve shtetërore ruse të ngrira.

Takimi në Bruksel u bashkëkryesua nga Britania e Madhe dhe Gjermania. Gjatë tij, Jarvis zhvilloi takime me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe me ministra të tjerë të mbrojtjes nga vendet aleate, përfshirë Francën dhe Ukrainën.

Njoftimet e reja vijnë në një kohë kur aleatët perëndimorë po intensifikojnë përpjekjet për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës përballë agresionit rus.

EMISIONET