Kallanxi: Mashtrimet romantike online po prekin qytetarët përmes marrëdhënieve virtuale
Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxi, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, foli për një nga format më të rrezikshme të mashtrimeve online siç janë mashtrimet përmes marrëdhënieve virtuale.
Gjatë diskutimit, Kallanxi tregoi një rast nga Tirana, ku një person ishte përfshirë në një marrëdhënie online me dikë jashtë Shqipërisë dhe më pas kishte rënë pre e një skeme mashtruese.
Sipas ekspertit, personi kishte krijuar besim përmes komunikimit virtual, ndërsa mashtruesit kishin përdorur foto të marra nga interneti për të krijuar një identitet të rremë. “Ai person dalloi që ishte një mashtrim, pasi fotot ishin të marra nga vende të tjera, por ndërkohë i kishin krijuar bindjen se do të vinin në Shqipëri dhe do të jetonin bashkë”, u shpreh Kallanxi.
Më pas, sipas tij, mashtruesit kishin krijuar një histori të rreme për një dërgesë me sende me vlerë, duke kërkuar pagesa të vazhdueshme.
“I kishin thënë se ishte nisur një çantë me argjendari, rroba dhe sende të tjera, por më pas dikush tjetër kontaktoi duke pretenduar se çanta ishte bllokuar në doganë dhe kërkonte pagesa fillimisht 500 euro, më pas shu ma të tjera”,tregoi eksperti.
Kallanxi theksoi se këto raste shfrytëzojnë emocionet dhe besimin e njerëzve, duke kujtuar se mashtrimet romantike janë ndër format më të vështira për t’u dalluar.

