DENONCIMI I PLOTË/ Studioja ligjore e Arben Rakipit paguhej nga OJF-të e Veliajt dhe Ajola Xoxës. Studioja e kreut të Magjistraturës mbron Erion Veliajn, por a do e hetojë SPAK-u konfliktin e interesit?

DENONCIMI I PLOTË/ Studioja ligjore e Arben Rakipit paguhej nga OJF-të

Skandali i çiftit Veliaj-Xoxa po thellohet gjithnjë e më shumë. Së fundmi emisioni "Plug" në "Syri TV" ka zbuluar edhe lidhjet e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, me çiftin Veliaj-Xoxa.

Mësohet se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po përfaqësohet nga studioja ligjore Rakipi & Partneres përballë SPAK-ut, ku po hetohet për aferat korruptive në të cilat është përfshirë.

Më tej theksohet se, studioja dhe personazhet nuk janë veç përfaqësues ligjor të Erion Veliajt, por dikur me prova rezultojnë pagamarrës të OJF-ve që drejtoheshin nga Veliaj e Ajola Xoxa, e të financuara nga Xhorxh Soros.

Kjo tregon hapur skandalin në të cilin është përfshirë drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, ku më tej do të zbardhen dhe konfliktet e tij të interesit, ku tregohet se si drejtori ka shkelur ligjin dhe ka shpërdoruar detyrën.

VIDEO - Miku i kryebashkiakut në SPAK, gazetari zbërthen lidhjen e çifteve Abule-Nito me Veliaj-Xoxa

JA DENONCIMI I EMISIONIT PLUG

"Nuk lejohet veprimtaria fitimprurëse", Arben Rakipit dhe familjarëve s'u lejohet biznesi, por a e respektuan?

Besoj se hyrja ishte e qartë se këtë emision ja kemi kushtuar Arben Rakipit, Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, një institucion i mbuluar me skandale të vazhdueshme, që prej emërimit të tij. Arben Rakipi mori këtë detyrë pas disa vitesh angazhim si pagamarrës i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxes në OJF-të e tyre të financuara nga Xhorxh Soros, sot ai drejton institucionin që duhet të plotësojë me magjistrat të rinj, drejtësinë, e cila duhet të hetojë dhe gjykojë pikërisht Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën. Por jo vetëm kaq studio ligjore e Arben Rakipit rezulton të jetë mbrojtësi ligjor i Erion Veliajt përballë drejtësisë, edhe pse këtë fakt është përpjekur ta fshehë nëpërmjet manovrave shkresore. Për të shmangur këtë trinom shërbimesh, e krijimit të rrethit të mbyllur në drejtësi, ligji është i qartë, por në këtë rast duket se ligji nuk vlen për ‘Maliqin’. 

Arben Rakipi drejton Shkollën e Magjistraturës në shkelje të hapur të ligjit, në konflikt të hapur interesi e madje deri në kushtet e shpërdorimit të detyrës, duke marrë parasysh aktivitetin e tij privat apo të familjarëve të tij.

Shkolla e Magjistraturës funksionon sipas ligjit nr 115 të vitit 2016, i cili në nenin 250 pika 3 parashikon se drejtuesi i Shkollës, nuk mund të mbajë asnjë funksion tjetër publik, angazhim politik apo të ketë veprimtari fitimprurës, me përjashtim të mësimdhënies.

NENI 250 -PIKA 3

Gjatë kohës së qëndrimit në funksion, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës gëzon pagën dhe përfitimet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore.

Sipas këtij neni, Arben Rakipit i ndalohet kategorikisht që të zotërojë një kompani private, apo të ketë përfitime nga ndonjë kompani. Madje kjo përforcohet edhe nga “Rregullorja për parandalimin e konfliktit të interesave, si dhe deklarimin e pasurive ne ushtrimin e funksioneve publike në Shkollën e Magjistraturës”, dokument i cili është i publikuar nga faqen zyrtare të Shkollës së Magjistraturës dhe që për ironi mban firmën e Arben Rakipit.

Në nenin 21, posaçërisht për “Kufizimin e interesave private për parandalimin e konfliktit rast për rast të interesit për çështje të veçanta”, pika a, parashikon:

NENI 2, Pika a

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, nuk mund të kryejë asnjë veprimtari fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore.

Ndërkaq, në nenin 23 të rregullores së firmosur nga Arben Rakipi parashikohet se të njëjtin detyrim e kanë edhe rrethi i ngushtë familjar i lidhur me drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës.

Neni 23

Person i lidhur me funksionarin, për kufizimet e interesave private të këtyre funksionarëve, të përcaktuar në nenin 21 të kësaj rregulloreje janë bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë madhore, prindërit e funksionarit e të bashkëshortit/es.

Person i lidhur me funksionarin, për kufizimet e interesave private të funksionarëve të përcaktuar në nenin 22 të kësaj rregulloreje janë bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, prindërit e funksionarit e të bashkëshortit/es, si dhe çdo person fizik ose juridik, i cili, në lidhje me dhuratën, favorin, premtimin ose trajtimin preferencial, luan rolin e ndërmjetësit a të shkëmbyesit të interesave të lindur nga ky veprim.

Ndalimet dhe kufizimet për funksionarët, të përcaktuara në nenin 21 të kësaj rregulloreje zbatohen edhe për personat e lidhur, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

Sipas ligjit nr 115 të vitit 2016 dhe rregullores së Shkollës së Magjistraturës, Drejtuesi i saj gëzon një status të veçantë, i barazvlefshëm me atë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, duke i garantuar benefitet por edhe disa detyrime strikte.

Studio ligjore e Arben Rakipit mbron Erion Veliajn, a do hetojë Altin Dumani konfliktin e interesit?

Ndoqët një parashtrim të shkurtër të parashikimeve ligjore për ndalimin e konfliktit të interest, që mund të bënte pis jo vetëm figurën e drejtuesit të këtij institucioni, por për shmangien edhe të lidhjeve okulte që mund të dëmtonin të gjithë sistemin e drejtësisë, pasi nga aty varet integriteti i magjistratëve të rinj që japin drejtësi në këtë vend. Por a është zbatuar ligji nga Arben Rakipi? Në vijim do t’ju sjellim elemente, se si ligji jo vetëm që nuk është zbatuar, por shton dyshimet se interesat politike kanë penetruar në sistemin e drejtësisë, madje, duke krijuar një rreth të mbyllur në kapjen e kësaj drejtësie.

Kryebashkiaku i Tiranë Erion Veliaj, përballjen e tij me drejtësinë për aferat qindra miliona euro po e bën nëpërmjet studios ligjore “Rakipi & Partners”. Studioja dhe personazhet, siç do ua faktojmë më pas, nuk janë veç përfaqësues ligjor të Erion Veliajt, por dikur me prova rezultojnë pagamarrës të OJF-ve që drejtoheshin nga Veliaj e Ajola Xoxa, e të financuara nga Xhorxh Soros.

Le të mbetemi tek studioja ligjore e Arben Rakipit, që e vë atë në kushtet të hapura të konfliktit të interest, por edhe fakton se kush po e bën sot drejtësinë e re dhe për llogari të kujt.

Nga të dhënat e mbledhura në Qëndrën Kombëtare e Biznesit rezulton se Arben Rakipi ka qënë i regjstruar si Person Fizik me NIPT K71813004C, nga vitit 2006 deri në shtator të vitit 2020 kur është çregjistruar.

Në 25 qershor të vitit 2020 Arben Rakipi, Jon Rakipi, Ermir Beta dhe Romina Zano (Lleshi) themelojnë kompaninë Zyra Ligjore Rakipi & Partners. Jon Rakipi (i biri i Arben Rakipit) përfaqësohet me prokurë nga e ëma Vilma Rakipi pasi është shtetas holandez, rezident në Holandë dhe punon atje me kohë të plotë.

Që nga themelimi Arben Rakipi do të zotërojë 55% të aksioneve, Jon Rakipi do të zotërojë 10% të Aksioneve, Ermir Beta do të zotërojë 20% të aksioneve dhe Romina Zano 15% të aksioneve.

Zyra Ligjore Rakipi & Partners, regjistrohet në QKB në korrik të 2020, kur zyrtarisht nis edhe aktivitetin.

Pra siç rezulton nga këto dokumente, Arben Rakipi edhe pse ishte i komanduar në funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, ka vazhduar të ushtroj aktivitetin privat të avokatit dhe 3 ditë përpara se të hapej gara për këtë funksion themelon një tjetër shoqëri, e cila është regjistruar në QKB në korrik 2020, periudhë kjo kur Arben Rakipi do të aplikonte për tu zgjedhur si Drejtues i Shkollës së Magjistraturës. Pra sipas ligjit për Shkollën e Magjistraturës dhe rregullores së saj, shkelje e hapur dhe vendosje në kushtet e konfliktit të interesit. Tashmë i mbetet organeve ligjzbatuese të kryejnë verifikimin e plotë të dosjes së aplikimit, e nëse ky aktivitet ishte deklaruar në të.

Fakti mbetet që Arben Rakipi gjatë ushtrimit të detyrës së drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, e dinte fare mirë që ligji ja ndalonte zotërimin e Aksioneve në Shoqëri tregtare dhe me vetëdije të plotë jo vetëm e ushtroi privatisht profesionin e avokatit, por dhe themeloi një shoqëri të re tregtare.

Nuk mbaron këtu! Vetëm 20 ditë pas themelimit të kompanisë, më 28 korrik të 2020, Arben Rakipi zgjidhet Drejtor i Shkollës së Magjistraturës për një mandat 4 vjeçar me të drejtë riemërimi. Siç e shpjeguam më sipër, ligji dhe rregullorja e përcakton qartë se Drejtusi i Shkollës së Magjistraturës dhe familjaret, nuk mund të ushtrojnë aktivitet privat.

Këtu fillojnë dhe shkeljet më të rënda ligjore të shtetasit Arben Rakipi.

Pasi kalojnë më shumë se dy muaj nga emërimi, e të qenurit në post në shkelje të ligjit, Arben Rakipi vendos të dhurojë aksionet bashkëshortes së tij Vilma Rakipi.

Sipas dokumentacionit të depozituar në QKB, në datën 12.10.2020 pranë zyrave të studios ligjore Rakipi & Partners u paraqitën Arben Rakipi (dhurues) dhe Vilma Rakipi (pranues dhurimi).

Në Kontratën e Kalimit të Kuotave Nëpërmjet Dhurimit përcaktohet:

KONTRATA MES ARBEN RAKIPIT DHE BASHKËSHORTES

B. Kapitali themeltar i shoqërisë është 100 lekë, i ndarë midis Ortakëve të Shoqërisë në këtë mënyrë:

Z.Arben Rakipi është zotërues i 55 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

Z.Jon Rakipi është zotërues i 10% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

Z.Ermir Beta është zotërues i 20% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

Znj.Romina Zano është zotërues i 15% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë

D. Në përputhje më Nenet e Statutit të Shoqërisë dhe Ligjit “Për Tregëtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, Nr.9901, datë 14.04.2008 me ndryshimet përkatëse, Asambleja e Ortakëve të shoqërisë ka marrë vendimin përkatës, për transferimin tek Pranuesi I Dhurimit të kuotave si më sipër.

E. Në bazë të Statutit të Shoqërisë kuotat mund të transferohen lirisht mes ortakëve/apo të tretëve dhe asnjëri prej ortakëve të shoqërisë nuk ka kundërshtim në lidhje me këtë.

Neni 2

Objekt i Kontratës

2.1 Në datën e nënshkrimit të kësaj kontrate, Dhuruesi I transferon Pranuesit të Dhurimit, dhe pranuesi I dhurmit pranon të transferohen tek ai dhe 55% të kuotave të shoqërisë të lira nga çdo barrë.

2.2 Kuota në Dhurim do të transferohet juridikisht nga pronësia e Dhuruesit në pronësi të Pranuesit të Dhurimit dhe pala pranuese do të bëhet zotëruesi ligjor I kuotës në momentin e menjëhershëm të nënshkrimit të kësaj Kontrate Dhurimi, pas regjistrimit të kësaj kontrate në QKB. 

Neni 5

6.5 Anjëra palë nuk nuk mund të kalojë dhe /ose të transferojë të drejtat dhe/ ose detyrimet sipas kësaj Kontrate,në tërësi ose në  veçanti, pa miratimin paraprak me shkrim të palës tjetër.

Pra në plan të parë, kjo duket hapur si një manovër shkresore për të shmangur konfliktin e interesit, ku me  këtë kontratë, Arben Rakipi kaloi aksionet e zotëruara nga ai te bashkëshortja. Por një jurist me eksperiencën e Arben Rakipit, drejtues i Shkollës që përgatit brezat e ardhshëm të drejtësisë, me këtë veprim është ndryshuar veç emri i aksionerit, pasi sipas regjimit bashkëshortor, ai mbetet  përfitues me 50% i cdo pasurie të krijuar gjatë martesës, e mbi të gjitha sipas kësaj kontrate Vilma Rakipi nuk do të mundej t’i tjetërsonte këto aksione pa miratimin paraprak të Arben Rakipit.

Pikërisht për këtë shkak ligji 115/2016 dhe Rregullorja e Institucionit, në nenin 23 parashikon që bashkë me Drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës, edhe familjarët e tij të afërt ndalohen të kenë aktivitet fitimprurës.

Ajo çka e bën dhe më të rëndë shkeljen ligjore,janë përcaktimet në STATUTIN e kompanisë, që përcaktojnë qartë mënyrën se si bëhet kalimi i kuotave të aksioneve.

TË DREJTAT DHE DETYRAT E ORTAKËVE

Neni 10

Transferimi i Kuotave

10.1 Kuotat e kapitalit të regjistruar mund të transformohen, tërësisht ose pjesërisht, tek të tretët, vetëm me kontratë me shkrim dhe me miratimin e Asamblesë së Ortakëve me shumicë të cilësuar.

Neni 11

11.1 Transferimi i mundshëm i kuotave bëhet me akt noterial, përndryshe është I PAVLEFSHËM. Po me një akt të tillë mërr formën edhe miratimi I ortakëve të Shoqërisë për transferimin e kuotave.

Sipas nenit 11 të stautit të shkruar dhe nënshkruar nga Arben Rakipi, i cili jo vetëm ka mbajtur detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm por ka mbajtur konfrerenca e ka trajnuar breza të tërë në Magjistraturë, përcaktohet se kontrata për transferimin e kuotave te bashkëshortja e tij duhet të ishte e noterizuar sëbashku me vendimin e Asamblesë së Ortakëvë.

Dokumentacioni i dorëzuar pranë QKB, fakton se kontrata dhe vendimi i Asamblesë së Ortakëve nuk janë të noterizuara dhe QKB NUK duhet të bëntë kalimin e kuotave pasi KONTRATA ËSHTË NUL.

Sipas përcaktimit në STATUT dhe Ligjit “Për Shoqëritë Tregtare”, Arben Rakipi është de facto dhe de jure aksioner I Shoqërisë dhe kontrata nuk ka asnjë vlerë juridike.

Këto janë shkelje të rënda ligjore të kryera nga Juristi Rakipi I përzgjedhur tashmë dhe për një mandat të dytë në Drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.

Lëvizjet brenda kompanisë së themeluar nga Arben Rakipi dhe familjarët e tij sa vjen e bëhen edhe më të dyshimta. Por nga ana tjetër faktojnë edhe atë çka parashtruam më sipër.

Ndërsa Arben Rakipi i kaloi aksionet bashkëshortes së tij, pa një kontratë noteriale dhe QKB e pranoi, në janar të vitit 2024, do të kryhej një tjetër lëvizje aksionesh, këtë herë mes shtetases Vilma Rakipi dhe djalit Jon Rakipi.

Ndryshe nga kontrata e Arben Rakipit me bashkëshorten, këtë herë kalimi i aksioneve bëhet me kontratë noteriale, siç e parashikon edhe statuti i kompanisë, e që fakton që kalimi i aksioneve nga Arbeni te Bashkëshortja janë veç ndryshim fiktiv emri, e jo në formë ligjore. Kontrata e datës 11.01.2024, përcakton kalimin e  aksioneve me anë të dhurimit nga shtetasja Vilma Rakipi te i biri Jon Rakipi, i cili tashmë do të zotërojë 65% të aksioneve.

Ky veprim ngre dyshime për fiktivitet pasi shtetasi Hollandez Jon Rakipi, i biri i Arben Rakipit jeton dhe punon me kohë të plotë në një studio ligjore në Hollandë dhe si aksioner mazhoritar e ka të pamundur të ndjek ecurinë e Shoqërisë por mbi të gjitha ky veprim nuk zgjidh shkeljen ligjore dhe konfliktin e interest të Arben Rakipit me funksionin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, pasi edhe fëmija është në listën e familjarëve të afërt që nuk duhet të kenë aktivitet fitimprurës, për shkak të konfliktit të interesit.

Por jo vetëm qëndrimi në detyrë në kushtet e konfliktit të interesit dhe në shkelje të hapur të ligjit, por Arben Rakipi e ka kthyer shkollën e Magjistraturës në institucion për punësimin e familjarëve të tij. Sipas verifikimeve dhe denoncimeve në media, Arben Rakipi ka punësuar në shkollën e magjistraturës bashkëshorten dhe motrën e tij.

Gruaja e Arben Rakipit, është punësuar në Shkollën e Magjistraturës, si Profesore eksperte në trajnimin e studentëve të magjistraturës për lëndët e krimit ekonomiko financiar, PPP, Tendera, TAtime, Dogana etj.

Ky është një nga rastet e pashembullt të konfliktit të hapur të interesit, ku burri ka dy herë vartëse gruan e tij, njëherë si pedagoge të shkollës së Magjistraturës që ai vetë e drejton, dhe herën e dytë për shkak se Arben Rakipi si drejtues i Shkollës së Magjistraturës, është dhe shef i trajnimit të ekspertëve.

Gruaja e Arben Rakipit, Vilma Rakipi, për të fshehur konfliktin e interesit nga vëmendja publike, është punësuar pranë shkollës së Magjistraturës me emrin Vilma Sharofi, pra me mbiemrin e vajzërisë e jo me mbiermin Vilma Rakipi, siç e deklaron në postin e drejtore trajnimit të administratës tatimore.

Ky fakt tregon se kemi të bëjmë me një shkollë familje, që pranon, trajnon dhe pregatit prokurorët dhe gjyqtarët e rinj të vendit, të cilët duhet të hetojnë korrupsionin apo krimin e organizuar në vend. Ky rast ndoshta shpjegon edhe faktin se pse deri më sot, për të gjitha skandalet e shkollës së Magjistraturës, SPAK ka heshur dhe nuk ka guxuar të marrë nën hetim Arben Rakipin. Ndërsa motra e tij, Vera Rakipi është shefe departamenti pranë Shkollës së Magjistraturës, duke e kthyer këtë institucion si çerdhe të punësimit familjar të Arben Rakipit.

Dritëhijet e punonjësve të studios së Arben Rakipit dhe puna për George Soros

Pra Arben Rakipi vendos firmën në rregulloren për Shkollën e Magjistraturës, që nga sa duket një Rregullore perfekte. Por të njëjtën firmë e vendos sërish mbi disa dokumente të kompanisë së tij private në shkelje të rregullores së sigluar nga ai, e për më tepër në shkelje të rëndë të ligjit për këtë institucion. Por këto lëvizje duket se kanë një prapavijë e lidhje të forta politike e interesash, e konfirmuar jo vetëm nga e kaluara e Arben Rakipit e angazhimi i tij profesional pran OJF-ve të Erjon Veliajt e Ajola Xoxës, por duket se edhe anëtarët e tjerë të kësaj zyre, kanë po të njëjtin bacground.

Nga akti themeltar mësuam se 65 përqind të aksioneve të studios ligjore Rakipi & Partners i zotëron Arben Rakipi dhe familjarët e tij, ndërsa 20 përqind të aksioneve i zotëron Ermir Beta dhe 15 përqind Romina Zano.

Ermir Beta është një ish- Prokuror i cili edhe pse në moshë relativisht të re dhe me një karrierë të saponisur si prokuror dha dorëheqjen nga detyria me qëllim që të shmangte kontrollin e pasurisë së tij por edhe aspektin profesional.

Detyrën e fundit ka qenë si Prokuror i Beratit, ku mësohet se ka shënuar edhe një prej shkeljeve ligjore, për të cilën është penalizuar. Në dhjetor të vitit 2013, ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla mori ndaj Betës masën e uljes në detyrë, nga Prokuror në Oficer të Policisë Gjyqësore për një periudhë prej 6 muajsh.

Sipas vendimit të kryeprokurorit të kohës, Ermir Beta në kundërshtim me normat e etikës së prokurorit ka komunikuar në mënyrë informale me palët në një proces hetimi, të ndjekur prej tij. Mediat në atë kohë shkruanin se Beta, ka pasur kontakte me babain e një të arrestuari dhe ka dhënë udhëzime për çështjen që kishte në hetim. Kjo ngjarje ka lidhje me ish-shefin e Rendit të Kuçovës, Enton Softa, i cili u akuzua nga prokuroria në 2013 për afera korruptive në Prokurorinë e Beratit.

Softa dyshohej se në periudhën mars-prill 2013 i kishte kërkuar 8 milione leke babait të një të arrestuari, duke i premtuar se do të ndërhynte te prokurori i çështjes, Ermir Beta, për t’i liruar të birin. Ai u arrestua me 8 milionë lekë me vete, të cilat dyshohej se po i dorëzonte te vendimmarrësit e çështjes. Mbetet I paqartë roli i ish-prokurorit në atë çështje, por e gjitha u mbyllë veç me ulje në detyrë.

Romina Zano në jëtshkrimin e saj shkruan se ka përfunduar studimet në vitin 2013. Prej vitit 2014 ajo ka dhënë ekspertizë ligjore pranë organizatave të ndryshme përfshirë dhe Qëndrën A.L.T.R.I me drejtuese Eda Nocka e cila së fundmi është përzgjedhur si eksperte dhe në komisionin Anti-Korrupsion të Fatmir Xhafës. Kjo qëndër ka si donator Fondacionin Shoqëri e Hapur.

Romina Zano, që prej vitit 2015, ka punuar, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në hartimin e studimeve dhe raporteve të ndryshme për përmisimin e legjistacionit në fushën e mbikqyrjes financiare, të taksave dhe tatimeve, të shpronësimit publik etj.

Prej vitit 2014 ka punuar pranë studios ligjore Rakipi & Partners. Por ajo që bie në sy në jetshkrimin e Romina Zanos është angazhimi i përhershëm pranë Organizatave të financuara nga Xhorxh Soros, i faktuar tashmë si financuesi i Reformës në Drejtësi madje edhe arkitekti i saj nëpërmjet individëve të formuar financuar e lidhur ngushtësishtë me të.

Pra si në çdo rast, pas çdo drejtuesi të Drejtësisë së re na del financimi i Xhorxh Soros, nëpërmjet Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës. Më pas hartojmë ligje sipas oreksit, i firmosim e në fund nuk i zbatojmë as vetë, e kur abuzimet bëhen mullar, sërish mbrojmë njeri-tjetrin, ku prokuror ish-pagamarrës të Veliajt ngrenë akuzën, Vetingash ish-pagamarrës të Veliajt kontrollojnë gjyqtarin, e qershia mbi tortë, mbrojtja e Veliajt bëhet sërish nga ish-pagamarrës i tij, apo Xhorxh Soros, që sot duhet të prodhojë magjistratët që do gjykojnë nesër Veliajn.

E nëse ndokush në SPAK rastësisht ka mbetur jashtë kësaj linje, le ta shoh emisionin ritrasmetim, për të kuptuar se provat janë aty, por vetëm se duhet që ligji të veproj edhe ndaj ‘Maliqit’.

Arben Rakipi dritëhijet e ish-prokurorit, që ka shtrirë tentakulat në sistemin e drejtësisë

DENONCIMI I PLOTË/ Studioja ligjore e Arben Rakipit paguhej nga OJF-të

Për te analizuar të tashmen duhet të njohësh më parë të shkuarën. Kjo vlen më së shumti në realitetin shqiptar ku vazhdimisht është punuar për zhdukjen e memorjes për të mbuluar skandalet e sotme. Emisioni Plug do të ndalet ditën e sotme në një prej institucioneve me të rëndësishme të drejtësisë së re, Shkolla e Magjistraturës. Ky institucion prej 5 vitesh drejtohet nga Arben Rakipi, ish-kryeprokurori i etiketuar vite më parë për lidhje me politikanët e së majtës, e madje i akuzuar për lidhjet e forta me trafikantë droge e armësh.

Ndërsa në detyrën si kryeprokuror u akuzua vazhdimisht se po i shërbente politikisht Partisë Socialiste, madje me dosje deri në kufijtë e fantazisë, në vitin 2001 emri i tij do të lidhej edhe me trafikun e kokainës nga Amerika Latine.

Pak muaj më pas, në vitin 2002, do të ishte i ndjeri Dritan Prifti që do të hidhte akuza të rënda ndaj Arben Rakipit, për shantazh e kërcënime për llogari të Fatos Nanos.

Në një intervistë për revistën Klan Dritan Prifti zbardhi bisedat dhe kërcënimet e Rakipit gjatë një takimi informal.

Rakipin, e takova te lokali ‘Nëna Mbretëreshë’ dhe kemi biseduar shumë gjatë. Ai më tha se nëse do të jepja informacion për Metën, Angjelin dhe Muçin çështja e KESH-it do të mbyllej.

Gjatë po asaj periudhe, akuza për përdorjen politike të Arben Rakipit nuk mungonin as nga brenda kampit të së majtës por edhe nga opozita e kohës. Sipas Metës, Rakipi raportonte tek Nano dhe se po hetonte nën dirigjimin politik disa afera në KESH, në atë kohë me në krye Dritan Priftin. Krytari i Partisë Demokratike Sali Berisha e akuzonte Arben Rakipin se liroi nga burgu vrasesit e Azem Hajdarit për t’i ndihmuar që të largoheshin nga vendi.

Në mars të vitit 2002, Arben Rakipi do të shkarkohej nga Parlamenti, si kryeprokurori më i përfolur në përdorjen nga politika por edhe lidhjet e dyshuara me krimin.

Pas një pauze në jetën publike, Arben Rakipi do të niste rehabilitimin në OJF-të e sponsorizuara nga Xhorxh Soros e të drejtuara nga Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. E duket se që në krye të herës ai u projektua si një nga njerëzit që do të ishte kontributor i hartimit të Reformës në Drejtësi e më pas drejtues i saj.

Në vitin 2017, në kohën e lulëzimit të shoqatës “BENUSSI”, e themeluar dhe drejtuar nga Ajola Xoxa, Arben Rakipi merr rol aktiv në aktivitetet e kësaj organizate, ku së bashku me bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranës organizonin konferenca shkencore për reformën në drejtësi.

Një e tillë është ajo e datës 27 janar, konferenca me temë: Ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i reformës në sistemin e drejtësisë, sfidat e së ardhmes”. Në këtë konferencë, Arben Rakipi merr pjesë si lektor shkencor, ndërsa Ajola Xoxa si drejtuese e institutit Benussi.

18 vite nga shkarkimi ai do të rikthehej si drejtues në Shkollën e Magjistraturës. Me marrjen e kësaj detyre, përpos akuzave publike për futjen në këtë shkollë të fëmijëve të ish-prokurorëve, gjyqtarëve apo dhe zyrtarëve socialistë, Arben Rakipi do të përfshihej edhe në një skandal më të rëndë.

Në prill të vitit 2024, u zhvillua provimi për studentët që aplikuan në shkollën e magjistraturës. Në datën 22 prill, u zhvillua testimi i kandidatëve. Pas korigjimit të tezave, u shpallën 79 emra fitues të vlerësuar sipas pikëzimit të përcaktuar nga kjo shkollë. Por çuditërisht, një ditë pas shpalljes së 79 emrave fitues, kësaj liste iu shtuan dhe 42 emra të rinj, duke e çuar në total në 121 numrin e kandidatëve fitues në shkollën e magjistraturës.

Arben Rakipi thelloi më tej skandalin, duke mos përsëritur testimin, siç kërkonin studentët që firmosën testimin. Duke u justifikuar me mos funksionimin e sistemit të kontrollit të tezave, Arben Rakipi në 24 prill të 2024, vendosi të zhvillonte një fazë të dytë testimi.

Por edhe kjo fazë e dytë testimi, nuk u mbajt kurrë pasi u anullua në momentin e fundit nga Arben Rakipi pa dhënë asnjë shpjegim. 

Siç në vitet 2000 kur hetimet për të asnjëherë nuk shkuan deri në fund, duket se edhe skandalet e sotme ne Shkollën e Magjistraturës mbeten sërish një dosje e pamundur për SPAK. Ky i fundit nuk nisi hetimet për skandalin, duke pretenduar se nuk kishte kompetencë për të hetuar drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës. SPAK pretendoi se kallëzimi i depozituar nga Shoqata e Avokatëve Anti Korrupsion, nuk mund të hetohej nga prokurorët e posaçëm, për këtë arsye kallëzimi ishte përcjellë në Prokurorinë e Tiranës. Prej muajit qershor, 2024 kur është bërë kallëzimi e deri më sot, publikisht nga Prokuroria e Tiranës nuk ka pasur asnjë zhvillim për rastin.

Marre nga SYRI.net

EMISIONET