VIDEO/ 30 minuta në SPAK, Argita Malltezi: Tentativë për të na mbyllur gojën dhe për të larë fytyrën e Irena Gjokës
Argita Malltezi ka qëndruar vetëm 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me procesin për gjyqtaren Irena Gjoka.
Me të dalë nga SPAK, Malltezi teksa dha detaje nga ajo çfarë ndodhi brenda godinës së Prokurorisë së Posaçme, e cilësoi si një tentativë për t’ua mbyllur gojën dhe për të larë fytyrën e Irena Gjokës,
“Në një tentativë që duart të lajnë fytyrat që nuk mund të lahen, çdo tentativë për të mbyllur gojën e oponencës është një tentativë për të nxjerrë institucionet publike nga kontrolli publik, tentativë që do të dështojë.
I jam referuar shkrimeve që ekzistonin në media që e akuzonin zonjën në fjalë për ato të cilat ajo nuk i kundërshton dot dhe nuk i ka kundërshtuar.
Ajo megjithatë ka kërkuar që Dumani t’i lajë fytyrën. Vë në dyshim standartin e dyfishtë të kësaj godine këtu. Unë dhe Jamarbri kemi bërë disa kallëzime për çështje konkrete për falsifikim aktesh konkrete”, tha ajo.
PËR ÇFARË ËSHTË AKUZUAR ARGITA MALLTEZI?
Ish-kryetarja e Gjykatë së Posaçme Irena Gjoka, njëherësh dhe gjyqtarja e dosjes penale Nr.287 që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ka kallëzuar në SPAK, Argita Malltezin.
Kallëzimi penal i Irena Gjokës, është depozituar në prokurorinë e posaçme SPAK në fillim të muajit Tetor (2024). Ndërsa tashmë për këtë çështje është ngarkuar një prokuror për të kryer veprime hetimore.

Kallëzimi i Gjokës, konsiston dhe mbështet në disa deklarata publike të bërë nga vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha (Malltezi), e cila gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në muajin shtator 2024, akuzonte Gjokën se kishte marrë 500 mijë euro dhe për këtë episode sipas Malltezit ekziston dhe një video.
Sipas pretendimeve të gjyqtares Gjoka, deklaratat janë të pavërteta dhe kanë si synim të intimidojë, shantazhojnë dhe fyejnë figurën e saj si gjyqtare.
Aq më tepër që Gjoka pretendon se të gjitha këto sulme dhe fyerje, vijnë si rezultat i vendimmarrjes së saj në dosjen penale ndaj babait të Argita Berishës, z. Sali Berisha dhe bashkëshortit të saj, z. Jamarbër Malltezit.
Tashmë SPAK ka administruar kallëzimin penal të gjyqtares Gjoka dhe pritet që brenda muajit Tetor 2024 të thërasë për të dëshmuar në prokurori, zonjën Argita Berisha (Malltezi).
Me shumë gjasa kjo e fundit do paraqitet për të dhënë pretendimet e saj, lidhur me deklaratat e bëra publikisht ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Kujtojmë se gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në datën 23 shtator 2024, Argita Malltezi bëri të ditur se sipas burimeve joformale, të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të strukturës së posaçme janë në dosjen e “Encrochat”.
Ajo tha se po ashtu ka një filmim të gjykatëses Irena Gjoka duke kërkuar 500 mijë euro.
“…Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka pretendohet se gjithashtu është në një video, a është e vërtetë, nuk e di, mua më thonë që është në një video të marrë nga një aparat celular i një gazetari të larguar nga Shqipëria, në të cilin ajo rezulton e filmuar duke biseduar me një ish-eksponent të Partisë Socialiste duke negociuar për tarifën që i kërkon prej 500 mijë euro për të mos e futur në grup të strukturuar kriminal…”-ka deklaruar zonja Malltezi.
Por tashmë kjo deklaratë nuk është mirëpritur nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila e shikon si intimidim, fyerje dhe cënim të imazhit të saj si gjykatëse, duke kërkuar kryerjen e veprimeve hetimore për këtë rast.
Pas këtij kallëzimi tashmë e gjithë familja Berisha është në verifikim nga SPAK, ku veç kreut të opozitës Shqiptare Sali Berisha, gruas së tij Liri, djalit Shkëlzen Berisha, dhëndrit Jamarbër Malltezi është shtuar dhe Argita Berisha, të cilës do t’i duhet të hyjnë në SPAK për të dhënë shpjegime.