Blushi: Sulmi me 1 të vdekur ndaj TCh, dëshmi tragjike e revanshit të krimit, dhe sulm ndaj fjalës së lirë
Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri rreth orës 01:00, në drejtim të ambienteve të “Top Channel”.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë 60 vjeçar.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër lidhur me sulmin me armë ndaj televizionit publik “Top Channel”, ku mbeti i vrarë roja i sigursë, Pal Kola.
Përmes rrjeteve sociale, Blushi, i cili më parë ka qenë pjesë e botës së medias, shprehet se ngjarja është shumë e rëndë dhe një tjetër dëshmi tragjike e revanshit të krimit, që po merr çdo ditë jetë të pafajshme në zemër të qyteteve tona, por edhe një sulm ndaj fjalës së lirë!
“Akti kriminal i sulmit me armë ndaj "Top Channel" me pasojë humbjen e jetës të një personeli të sigurisë, është një ngjarje shumë e rëndë dhe e dënueshme, që meriton të zbardhet sa më parë!
Një tjetër dëshmi tragjike e revanshit të krimit, që po merr çdo ditë jetë të pafajshme në zemër të qyteteve tona, por edhe një sulm ndaj fjalës së lirë!
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit dhe solidaritet të plotë me komunitetin e gazetarëve të TCH”, shprehet Tedi Blushi.
Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë shprehu sot tronditjen mbi incidentin e dhunshëm në “Top Channel”.
“Shpresojmë që përgjegjësit të dalin sa më parë përpara drejtësisë. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë personat e prekur”, thuhet në një reagim të ambasadës britanike në Tiranë.
Po ashtu, edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi sulmin me armë zjarri në mjediset e “Top Channel”.
“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medies janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen”, theksohet në deklaratë.