"Paratë ruse" në PD, Berisha prezanton raportin: Nuk ka! Por Rama e përdori akuzën e tij për të kapur Bashën. Gjithçka nisi me McGonigal
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot para mediave së bashku me kryetaren e grupit të komisionit auditues Ledina Mandia mbi akuzat për financimin e PD nga para ruse, më konkretisht për lobimin në SHBA.
Berisha tha se auditë të pavarur kanë paraqitur një raport serioz.
“Me të drejtë keni pritur raportin e auditit ndaj akuzave për PD se ka pranuar financime ruse. Ky raport tani është i plotë.
Auditë të pavarur kanë paraqitur një raport serioz pasi kanë analizuar të gjithë veprimtarinë financiare, buxhetore të PD-së. Për konkluzionet zonja Ledina Mandia, kryetare e komisionit ua paraqet juve”, tha Berisha.
Ledina Mandia deklaroi se grupi i Auditimit ishte ngarkuar me një detyrë të tillë për të bërë verifikimin në lidhje me përdorimin e parave ruse për lobim, akuza që janë dëgjuar në media.
“Grupi i Auditit ka filluar punën e tij duke draftuar një rregullore, duke përcaktuar dhe rregulla sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, pasi në PD nuk kishte asnjë dokumentacion për të lehtësuar punën.
Është vlerësuar dhe marrja e auditëve të pavarur ligjorë. Korespodenca më pas ka vijuar me prokurorinë, Gjykatën e Tiranës dhe KQZ-në, të cilët kanë vendosur në dispozicion dosjet e plota dhe po ashtu dhe pasqyrat financiare dhe raportet përkatëse të depozituara në KQZ.
Në PD nuk ka ekzistuar një rregullore e Brendshme dhe nuk ka ekzistuar një bord financiar, referuar detyrimeve statutore”, tha Mandia.
Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk ka në arkën e saj një qindarkë të hyrë apo të dalë.
"Normalisht, ajo nuk duhet të ndodhë sepse raporti ynë nuk ka asnjë element të ri krahasuar me dosjen e prokurorisë që hetoi dhe mbylli Edi Rama. Ne nuk kemi gjë të re, kemi vetëm këtë fakt, që PD nuk ka në arkën e saj një qindarkë të vetme të hyrë apo të dalë për 500 mijë dollarë të paguar nga Biniatta Trade, një kompani e zbulimit rus në Skoci, në emër të PD-së. Nuk ka.
Ky është konkluzioni i raportit tonë. Këtë e ka ditur prokuroria, e ka dosja e prokurorisë, por prokuroria, e cila e vuri nën akuzë Lulzim Bashën për larje parash, e mbylli dosjen dhe mori peng Bashën.
Ka një zhvillim, zhvillimi është aktakuza e organeve amerikane të drejtësisë, në të cilën Edi Rama ka kontraktuar McGonigal për hetimin e lobistit Nick Muzin, në të cilën Edi Rama nëpërmjet këshilltarit të tij privat, Dorian Duçka ka dërguar dy dëshmitarë nga Europa, nuk specifikohet vendi, për të dëshmuar para FBI-së lidhur me financimin rus të PD-së.
Çfarë kemi të bëjmë këtu? Këtu kemi të bëjmë me një vepër krimi shumë të rëndë të Edi Ramës, i cili konfirmoi edhe në daljen e tij në Opinion se dëshmitarët janë dërguar dhe se ata janë njerëz të PD-së.
Domethënë, Edi Rama, këshilltari i tij Duçka, kontraktuan McGonigal dhe e furnizuan atë, e paguan de facto, se paratë Agron Nezës ia ka dhënë Dorian Duçka.
A përbën kjo një detyrim hetimor për prokurorinë? E padiskutueshme. Edi Rama del se fsheh krimin. Ai automatikisht vendoset nën hetim. Dorian Duçka vendoset automatikisht nën hetim.
Duhet të tregohen se kush janë dëshmitarët dhe të dëshmojnë të vërtetën pranë prokurorisë. Lulzim Basha duhet të ballafaqohet me të gjithë provat e reja që sjellin Duçka, dëshmitarët dhe Rama në kuadrin qoftë të larjes së parave, qoftë të financimit rus.
A hap SKAP-i partisë çështje për këtë çështje? Ai është organi më i kapur në Europë sot", deklaroi Berisha.
Berisha deklaroi se Edi Rama e shpëtoi Bashën nga 6 vite burg dhe e shndërroi në një peng që e përdor për çdo gjë kundër opozitës
"Zoti Rama, ndonëse ka çuar dëshmitarë nga Tirana apo Europa, nuk mund të them, me këshilltarin e tij Duçka për të dëshmuar përpara hetuesve të FBI, në Shqipëri Lulzim Basha është hetuar për larje parash.
Sepse Lulzim Bashën e ka denoncuar Nick Muzin. Është Nick Muzin që ka deklaruar në SHBA se 720 mijë dollarët i ka nga PD.
Rama ka marrë këtë deklaratë nga prokuroria e vendit dhe ka filluar hetimin. Hetimi ka zbuluar se 500 mijë nuk kanë asnjë lidhje me financimin e PD-së. Atëherë, prokuroria e ka akuzuar Lulzim Bashën me të drejtë për larje parash. Çdo shumë që zbulohet pa origjinën e saj, automatikisht në ligj kualifikohet larje parash.
Edi Rama përdori presionin e jashtëzakonshëm. Engjëll Agaçi është marrë në mënyrë intensive me mbylljen e dosjes.
Dosja u mbajt deri në ditën e 30 nga një prokuror. Ai prokuror, ditën e 30-të dha dorëheqjen. Ditën e 31- kishte skaduar afati për dërgimin e saj në Gjykatë të Lartë. Ky është kurthi që bëri Edi Rama. Edi Rama me akuzën për larjen e parave e shpëtoi Lulzim Bashën nga 6 vite burg dhe e shndërroi në një peng të tij që e përdor për çdo gjë kundër opozitës dhe kundër pluralizmit në Shqipëri", u shpreh Berisha.
Lajmi në përditësim...