Rama: Dikur s'kishte profesionistë, sot s'ka punëtorë. Kush nuk rrit pagat nuk ka leje ndërtimi as tendera

Kryeministri Edi Rama ka nisur fushatën e takimeve në biznese me kërkesën për rritjen e pagave. Duke theksuar se tashmë shumë subjekte nuk gjejnë krah pune, ai theksoi se qeveria nuk mund të detyrojë kompanitë për këtë vendim. Por si kusht kreu i qeverisë deklaroi se do të vendoset refuzimi për dhënien e lejeve të ndërtimit, apo dhe përfshirja në tendera.

"Nuk jemi me në kushtet që mungojnë profesionistët por nuk ka as krah të thjeshtë pune.”

Kryeministri Edi rama në takimet me bizneset ka apeluar ndryshimin e sjelljes me punonjësit por dhe vlerësimin financiar të tyre.

Në Kamëz ku vizitoi një fasoneri, ai pranoi se qeveria nuk mund të ndërhyjë për përcaktimin e rrogave, por deklaroi forma të tjera për të ndikuar.

Puna e pa shpërblyer në fundjave sipas Ramës nuk duhet të lejohet e për këtë kërkoi që të reagojnë edhe vetë punonjësit.

Edi Rama: Kompanitë sot po shohin që burimet njerëzore, forca e punës po fillojnë të mungojnë Nuk është më kemi vende pune po s'kemi specialistë por kemi vende pune dhe s'kemi puntorë.

Natyrisht që qeveria në këtë sistem nuk vendos dot pagat. Madje ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të viteve më parë që e ndalon qeverinë të vendosë paga reference për çdo sektor, por ama askush nuk e ndalon qeverinë që kompanive të ndërtimit t’iu thotë: ju nuk merrni më leje ndërtimi, ju nuk pranoheni më në tendera në qoftë se keni punëtore që paguhen nën një pagë të caktuar e cila nuk do të jetë një pagë arbitrare që e vendosim ne, se kjo do të thotë pastaj ta çosh ekonominë në humnerë, por duhet të jetë një pagë e cila del nga analiza e vetë tregut dhe del nga vetë operatorët, se fatmirësisht sot ne kemi kompani të cilat ecin me këtë mentalitet që ne duam ta kenë të gjithë dhe ne po japim shembullin vetë si qeveri.

Bëmë rritjen e pagës minimale dhe rritja e pagës minimale ne na detyron të rrisim edhe pagat e tjera sepse duhet ai korrektimi i domosdoshëm që folën dy kolegët më përpara, por nga ana tjetër rritëm pagat e mjekëve specialist sepse përndryshe nuk do kemi më mjekë specialistë dhe në fund të ditës qeveria është këtu për të garantuar që në të gjithë sistemin e shërbimit shëndetësor kombëtar mjekët specialistë të jenë në dispozicion të publikut. Ne do të marrim dhe masa të tjera. Ne nuk do vazhdojmë të financojmë masivisht koston e studimit të mjekëve në rast se mjekët nuk angazhohen që për një periudhë kohe t’i shërbejnë popullit të tyre, se ne nuk financojmë me taksat e qytetarëve, studentë në mjekësi që pastaj ata të shkojnë e t’i shërbejnë popullit gjerman.

Arsyeja pse qeveria financon studime dhe mbulon kosto dhe shpenzime të studentëve është që këta studentë t’i shërbejnë popullit këtu dhe që qeveria të përmbushë qëllimet e vetë shtetit dhe misionet e funksionet e sistemeve të shërbimeve publike këtu, por qoftë e para, pra paga minimale, qoftë kjo e mjekëve, qoftë dhe paga të tjera të targetuara që ne do të rrisim siç kemi bërë më parë me pagën e gjykatësve dhe prokurorëve; sot gjykatësit dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë që ta dini ju, paguhen më shumë sesa ne që jemi këtu, por është bërë për të mbështetur reformën në drejtësi dhe për të mbështetur gjithë atë proces ku ne duam të kemi njerëz të cilët të zbatojnë atë që ne kemi të shkruar ne letër.

Ama jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton dhe për këtë arsye po bëjmë një analizë të thellë dhe së shpejti do të bëjmë publik një studim dhe një plan për rritjen e pagave më tej dhe nëse sot, për shembull, me mjekët specialistë, ku menjëherë u vendosëm në nivelin e lartë të rajonit, këtë duhet ta realizojmë kudo dhe kjo kompani këtu është një shembull, nisur nga taksat që ka paguar, nisur nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që ka paguar dhe prandaj ne siç erdhëm këtu do shkojmë dhe në kompani të tjera sepse këta sipërmarrës janë aleatët tanë.

E fundit që kam është që në rast se kjo kompani punon ditën dhe të shtunave, por ama shton për ata që punojnë të shtunën, pjesë në pagë, këto janë gjëra për të cilën ne do të bëjmë çmos që punonjësit të kenë fjalën e tyre, të kenë zërin e tyre. Ne nuk mund t’i zëvendësojmë dot sindikatat dhe rolin e tyre.

Në muajin prill me vendim të qeverisë paga minimale në vend do të shkojë në 40 mijë lekë.

Por Rama shton se në analizat e bëra kosto që shtohet nuk ndikon në uljen e të ardhurave për bizneset.

EMISIONET