Berisha: Turizmin e ka shkatërruar narkoeuroja dhe qëndrimi ndaj shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë së Veriut, jo protestat

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, hodhi poshtë akuzat se protestat kanë ndikuar negativisht në sezonin turistik, duke ia atribuar rënien e turizmit forcimit të lekut dhe zhvlerësimit të euros, të cilën ai e cilësoi si 'narkoeuro'.
Gajtë fjalës së tij ai deklaroi se plazhet shqiptare janë më bosh se në vitet e mëparshme, nga Saranda në Shëngjin, ndërsa tha se zhvlerësimi i euros me rreth 32% ka rritur ndjeshëm kostot për turistët e huaj, duke i bërë akomodimin dhe shpenzimet në Shqipëri më të larta.

Sipas tij, qeveria po përpiqet t’ia faturojë protestës dështimin e sezonit turistik, ndërsa përgjegjësia reale lidhet me politikat ekonomike dhe kursin e këmbimit. Ai shtoi se Tirana renditet ndër qytetet më të shtrenjta në Evropë në raport me të ardhurat, duke kritikuar qeverinë për mënyrën se si e ka menaxhuar ekonominë.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se ka dëmtuar eksportet dhe industrinë fason, ndërsa tha se qëndrimi ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka ndikuar negativisht edhe në fluksin e turistëve nga këto vende. Sipas Berishës, prenotimet e tyre drejt bregdetit shqiptar kanë pësuar rënie të ndjeshme këtë vit.

Në përfundim, ai shprehu se protesta nuk ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë, por ka ngjallur simpati dhe mbështetje ndërkombëtare.
FJALA E PLOTE:
Qëndrimi ndaj protestuesve dhe protestës rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet ’90 gjer sot.
Qëndrimi i Edi Ramës dhe puthadorëve të tij në media, por edhe qindra e mijëra patronazhistëve terroristë politikë ndaj protestuesve paqësore është një nga aktet më të rënda, më kriminale në historinë e këtij vendi.
Është dëshmia më flagrante me karakterit diktatorial të regjimit.
Është dëshmia më flagrante e diktaturës autoritare të bazuar në drogë, në narkoshtetin, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Edi Rama, përveç angazhimit total të policisë kriminale, që është më kriminale se çdo bandë tjetër, të shërbimit informativ kombëtar, që bashkërendon të gjitha praktikat me Beogradin, ka mobilizuar mijëra rrogëtarë, punonjës të administratës shtetërore në krijimin e llogarive false në mediat sociale, në rrjetet sociale për të demonizuar protestën dhe protestuesit, për t’ia ulur shikueshmërinë e tyre dhe për të ndikuar në algoritmin, që sipas tij ia kontrollonte Irani algoritmin.
Edi Rama po bën gjithçka kundër kësaj proteste, e cila në fakt e zhveshi para gjithë botës moralin, fytyrën, karakterin e vërtetë të tij.
Nga mëngjesi gjer në darkë, mediat e qeverisë akuzojnë protestën për turizmin dhe për fat të keq, gjejnë edhe ndonjë operator të mashtruar që mban ison e qeverisë.
E vërteta është sot se si kurrë më parë, plazhet e vendit janë bosh, jo gjysmë bosh, por shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart.
Dhe faktori më shkatërrimtar për turizmin, më toksik, është narkoeuro, e cila ka rënë me 32 përqind.
Imagjinoni ju turisti që e merrte dhomën me 100 euro, duhet ta paguajë dhomën me 130 euro.
Turisti që merr një dhomë me qira diku për të gatuar vetë, e gjen 30 përqind më shtrenjtë dhe i gjen ushqimet më shtrenjtë se në vendin e tij.
Tirana, siç jeni ju vetë dëshmitarë, sipas statistikave më serioze të Eurostat, është qyteti i dytë më i shtrenjtë në në Evropë në raport me të ardhurat.
Dhe duke dëshmuar pafundësisht një injorancë, para disa ditësh mburrej me narkoeuron, mburrej me forcimin e lekut.
Dhe kjo është krenari.
Sigurisht droga është krenaria e tij.
Por më lejoni pak për qytetarët të jap të dhënat e monedhave të tjera të vendeve anëtare të BE, që nuk janë në sistemin e euros.
Zlloti polak, i zhvlerësuar 13 përqind, sepse ka inflacion, normal.
Lei rumun, 11 përqind.
Bullgaria e ka me kurs fiks.
Kurse forinta hungareze, 25-27 përqind zhvlerësimi.
Pra, kjo që ndodh në Shqipëri, ndodh në Meksikë. Edhe atje, gjysma e kësaj, 17 përqind.
Pasi shkatërroi pasivisht eksportet, dhe u kujtohet u lutëm, u kujtohet kur deklaronte me cinizëm ekstrem, me papërgjegjshmëri absolute se le të ikin ato industri se janë të botës së tretë, në një kohë kur Shqipëria arriti në vendin e tetë në botë për prodhimin e këpucëve, dhe shumë prej tyre të cilësisë më të lartë.
Arriti në prodhime shumë të rëndësishme në modën e lartë dhe në prodhime të tjera.
Ato ikën, jo tha, ato nuk janë industri për ne, për ne është droga.
Dhe tani për të gjitha këto, fajëson protestën për turizmin që i ka pothuajse bosh nga Saranda në Shëngjin.
Shto këtu qëndrimin armiqësor të hapur ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Shpall non-grata deputetët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e tyre.
I ndalon në Qafë Thanë.
Shpall qytetaren nga Prizreni non-grata pse vinte në protestë dhe fliste.
Natyrisht të gjitha këto tek shqiptarët krijojnë neveri, krijojnë urrejtje për të.
Dhe e vërteta është me sa po lexoj tani, udhëtimet, prenotimet e tyre drejt plazheve të Shqipërisë kanë një rënie dramatike këtë vit.
Pra është vetë autori i shkatërrimit të turizmit.









