ATENTATI NË RINAS/ Punësimi i Muqi Shaljanit në AMP, dy ish-zyrtarë shpallen fajtorë. Marrin burg por 'shmangin' qelinë

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Të dy janë dënuar me 6 muaj burg, por dënimi është pezulluar dhe është zëvendësuar me 1 vit shërbim prove.

Sipas vendimit të gjykatës, dy ish-zyrtarët fillimisht u dënuan me nga 9 muaj burgim. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar përfundimisht në 6 muaj heqje lirie për secilin.

Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe kalimin e tyre në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.

Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala u vunë nën hetim për dyshimet se nuk kishin zbatuar kërkesat ligjore gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore të Muqi Shaljanit.

Ky i fundit humbi jetën disa ditë pas një atentati të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në zonën e Rinasit. Në të njëjtën ngjarje mbeti i vrarë edhe Gilmando Dani.

Hetimet për atentatin vijojnë ende për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

EMISIONET