Xhixho akuza mazhorancës: Parlamenti është kthyer në noter të qeverisë, ligjet kalojnë pa debat
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar rendin e ditës së seancës së fundit të këtij sesioni parlamentar, duke akuzuar mazhorancën se po shmang debatin dhe kontrollin parlamentar ndaj qeverisë.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho u ndal te numri i lartë i çështjeve të përfshira në seancën e radhës, ku janë parashikuar 33 pika, mes tyre raportimet e institucioneve të drejtësisë dhe një sërë projektligjesh me ndikim te qytetarët.
Sipas saj, raportet e institucioneve si KLGJ, KLP, ILD dhe SPAK kërkojnë diskutim të posaçëm dhe nuk duhet të trajtohen në një seancë të ngarkuar me shumë pika.
“Raportimet e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë kërkojnë debat të thelluar mbi veprimtarinë e tyre dhe problematikat që hasin. Transparenca ndaj qytetarëve nuk mund të bëhet përmes raportimeve të kaluara me nxitim.”-tha deputetja.
Xhixho u ndal edhe te procesi i konsultimit publik, duke ngritur pretendimin se gjatë muajve të verës janë publikuar dhjetëra projektligje, por pa një ndikim real të sugjerimeve nga qytetarët dhe grupet e interesit.
Sipas saj, nga 1 qershori deri tani janë publikuar 30 projektligje për konsultim publik, ndërsa një pjesë e tyre lidhen me fusha si financat, mjedisi, bujqësia, drejtësia dhe ekonomia.
“Konsultimi publik është kthyer në një procedurë formale, ndërsa vendimet në shumë raste janë marrë paraprakisht. Mendimet e qytetarëve dhe ekspertëve nuk reflektohen në përmbajtjen e ligjeve.”-u shpreh ajo.
Deputetja e Partisë së Lirisë kritikoi gjithashtu faktin që në seancën e ardhshme nuk janë përfshirë disa nisma të opozitës që lidhen me zonat e mbrojtura, investimet strategjike, Paketën e Maleve dhe trashëgiminë kulturore.
Ajo kërkoi që Kuvendi të rikthejë rolin e tij si institucion kontrolli ndaj qeverisë dhe që ligjet të miratohen përmes debatit të hapur dhe konsultimit real.


