"Plan për ndryshim kufijsh në Ballkan?", Çipa: Rama mund të jetë në dijeni, Shqipëria të ketë kujdes

"Plan për ndryshim kufijsh në Ballkan?", Çipa: Rama

Mediet sllovene kanë publikuar një dokument i cili flet për ndryshimin e kufijve të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.

I ftuar në studion e RTV Ora, studiuesi Akri Çipa shprehet se ky është një dokument jo formal  dhe duhen vlerësuar kontekstet gjeo-politike në të cilat del kjo letër.

Megjithatë Çipa shprehet se  Shqipëria duhet të ketë kujdes, për shkak se ka dhe provokime duke hedhur temën e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.

Një portal slloven publikoi pak javë më parë një dokument në të cilin aludohej për ndryshim kufijsh. Si e pe atë dokument, sa serioz është ai dhe a beson se mund të konsiderohet?

Çipa: "Mendoj se Bashkimi Evropian vazhdimisht përgatit pozicione të ndryshme në raport me vende dhe interesa të caktuara , duke përfshirë dhe Ballkanin Perëndimor. Në këtë rast është një letër jo formale e cila i është atribuuar Sllovenisë.

Është interesante sepse momenti në të cilin prezantohet kjo letër, është një media sllovene nga vendi që thuhet se ka dalë letra,  në Bosnjë ka pasur shqetësime të vazhdueshme javët e fundit në raport me Serbinë, Kroacinë, Hungarinë dhe pozicioni që kanë pasur këto vende ndaj Bosnjës."

Mund të jetë dhe ajo një zgjidhje? Ka një fobi të madhe ndaj kufijve etnike, por a mund të sjellin ato qetësi në Ballkan?

Çipa: "Mendoj se duhen vlerësuar kontekstet gjeo-politike në të cilat del kjo letër: del në momentin që Presidenca e Bashkimit Evropian do merret nga Sllovenia në 1 korrik, në një moment ku SHBA ka thënë se do kenë një  angazhim ët ri të theksuar në Gadishullin tonë, ka pasur letra të dërguara ndaj zyrtarëve kosovarë, serbë, boshnjakë për një qasje të re.

Rusia ka mobilizuar jashtëzakonisht shumë trupa në lindje të kufirit me Ukrainën dhe pritet një përshkallëzim i krizës. Në gjithë këtë kontekst një lajm i ndryshimit të kufijve në Ballkan krijon një pikë çuditëse të madhe dhe  një pikëpyetje sepse tregon mundësinë që të rihapen disa plagë të vjetra dhe aq më shumë nuk dihet se si do jetë roli i secilit vend.

Kemi një gjysmë konfirmim nga kryeministri Rama që në takimin e tij me kryeministrin Jasha e ka parë si propozim dhe e ka diskutuar, pavarësisht se zoti Rama nuk dha një koment të mirëfilltë."

Përsa i përket Bosnjës, është një shembull negativ i zgjidhjes së problemeve? Pra Bosnja sot ka 3 Presidentë, ka Parlamente, 3 kryeministra dhe për të marrë një vendim të thjeshtë e ka thuajse  të pamundur.

Çipa:" Marrëveshja e Deitonit që i dha fund luftës në Bosnjë dhe që krijoi strukturën institucionale është problematike pikërisht sepse ka ndasitë etnike të cilat i japin të drejtën qoftë edhe një etnie për të bllokuar dhe për të vënë veton ën procese shumë të rëndësishme. Gjithashtu mendoj se iniciativa të tilla radikale kanë një kosto shumë të madhe dhe janë jo të qëndrueshme. Çështja e kufijve ka qenë një nga problemet kryesore që ka çuar në luftë. Mendoj se është e rëndësishme nga pikëpamja shqiptare që të ketë kujdes, për shkak se ka dhe provokime duke hedhur këtë temën e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. "

Duke folur për rajonin pamë një prononcim të Presidentit serb Vuçiç ku u fol dhe për zgjedhjet në Shqipëri. Ai tha se Partia Demokratike është mbështetëse e Shqipërisë së madhe. Është normale një deklaratë e tillë nga Presidenti serb?

Çipa: "Është një moment i çuditshëm, nuk ka pasur në historinë e Shqipërisë një politikan rus që të shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë për aktorët politikë në vend, por duhet pasur kujdes se cila ka qenë  audienca që zoti Vuçiç kishte parasysh. E bëri këtë në mediet e tij, por kishte si qëllim dhe largpamësinë që do kishte në Shqipëri. Mendoj se është një veprim jo korrekt i tij dhe përfaqësuesit politikë shqiptarë duhet t'i tërheqin vëmendjen."

Çfarë do të presim nga Albin Kurti për temën e shumë debatuar të dialogut?

Nevojitet një kompromis në këtë drejtim dhe a mund ta realizojë atë Albion Kurti?

Çipa: "Zoti Kurti e ka kuptuar që është ndryshe të veshësh rrobat e kryeministrit dhe ndryshe të veshësh rrobat e opozitarit. Si opozitar ai kishte më shumë liri, ndërkohë që si qeverisës duhet të bëjë disa kompromise. Qasja që ka marrë Kosova ka qenë konstruktive, kanë lënë të hapur derën për një platformë të gjerë ndërpartiake duke i shtrirë dorën dhe opozitës.

Në vitet e fundit është rikthyer edhe diskutimi për rolin e UÇK-së. 4 nga komandantët kryesorë ndodhen në Hagë. Çfarë rëndësie do të ketë ky proces? Mendo se do të jetë një tregues i të vërtetës ?

Çipa: "Mendoj se fakti që nuk ka asnjë zyrtar serb të përfshirë, fakti që mandati i Gjykatës është etnik, pra drejtohet vetëm ndaj shqiptarëve është një  nga kompromiset më të dhimbshme që është bërë. Mendoj se ka vënë në rrezik të gjithë të vërtetën historike mbi të cilën është zhvilluar lufta e UÇK-së. Ishte një luftë në të cilën UÇK-ja u përpoq të ndalonte një gjenocid dhe fakti që gjithë kjo narrativë historike po ndryshohet pak nga pak ka ndikuar në ndryshimin e bazamenteve historike. Mendoj se është një lojë dhelparake që ka bërë Beogradi dhe mendoj se është një mëkat shumë i madh që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë pasur mundësi të ndërhyjnë për ta ndryshuar."

Sa të unifikuar e sheh Tiranën dhe Prishtinën? Do duhet të kishte më shumë bashkëpunim?

Çipa: "Ka pasur bashkëpunim, por mendoj se duhet të ketë më shumë. Tirana dhe Prishtina janë dy qendra shumë të rëndësishme në rajon dhe ky rol duhet të merret me një analizë të ftohtë për të parë se si mund të avancohen interesat e shqiptarëve."

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku

Vendi Lajme Intervista ballkan Aktualitet akri cipa ndryshimi i kufijve

EMISIONET