KRISJE VARSHAVË–KIEV/ Polonia i heq Presidentit ukrainas dekoratën për “provokim”
Një mosmarrëveshje për interpretimin e historisë ka shkaktuar tensione diplomatike mes Polonisë dhe Ukrainës. Varshava i hoqi Volodymyr Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore, ndërsa Kievi e cilësoi vendimin si një gabim që dëmton marrëdhëniet mes dy aleatëve.

Një vendim i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të emërtuar një njësi ushtarake me emrin e Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase (UPA) ka shkaktuar tensione të reja diplomatike mes Kievit dhe Varshavës.
Si reagim, presidenti i Polonisë, Karol Naërocki, njoftoi se i ka hequr Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, me të cilën ishte nderuar në vitin 2023 nga paraardhësi i tij, Andrzej Duda.
Naërocki e cilësoi vendimin e Ukrainës si “skandaloz”, “të pakuptueshëm” dhe “thellësisht zhgënjyes”, duke argumentuar se ai dëmton kujtesën historike dhe besimin e ndërtuar ndër vite mes dy vendeve. Megjithatë, presidenti polak theksoi se kjo përplasje nuk do të ndikojë në mbështetjen e Varshavës për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Në Ukrainë, UPA konsiderohet simbol i rezistencës dhe luftës për pavarësi kundër Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë naziste dhe autoriteteve polake gjatë viteve 1940-1950. Polonia, ndërkaq, e akuzon këtë organizatë për masakrat ndaj polakëve etnikë në Volini gjatë viteve 1943-1945, ku sipas Varshavës u vranë rreth 100 mijë persona.
Presidenti polak kujtoi gjithashtu mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Ukrainës që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, duke pritur qindra mijëra refugjatë. Sipas tij, rruga e Ukrainës drejt Bashkimit Europian kërkon përballje të sinqertë me kapitujt më të vështirë të historisë së saj.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk ka bërë thirrje për uljen e tensioneve, duke paralajmëruar se përplasja mes dy aleatëve i shërben vetëm interesave të Moskës.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e dënoi vendimin e presidentit polak, duke e quajtur një “gabim strategjik” nga i cili përfiton vetëm Rusia. Ai njoftoi se, në shenjë kundërshtimi, do të kthejë një dekoratë që kishte marrë nga Polonia në vitin 2022.

