Projekti në Zvërnec, Blushi: Mbështesim protestat, pasuritë e vendit nuk janë pronë private
Përmes një deklarate të fortë politike, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar mbështetjen e plotë për protestat mbarëkombëtare, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor pasuritë kombëtare dhe projektin e Zvërnecit si "plaçkë elektorale" në errësirë të plotë dhe pa transparencë.
"Prej javësh, e gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë.
Jo vetëm në Tiranë, por nga veriu në jug edhe në diasporë, shqiptarët janë bashkuar në një revoltë të jashtëzakonshme paqësore, me një kërkesë të vetme dhe të panegociueshme, largimin e Edi Ramës dhe të regjimit të tij të korrupsionit, krimit, grabitjes dhe pandëshkueshmërisë.
Pas 13 vitesh keqqeverisje, shqiptarët nuk protestojnë më vetëm për varfërinë, shpopullimin apo mungesën e shpresës. Ata protestojnë sepse kanë parë se si liritë dhe të drejtat e tyre, pronat private, financat publike dhe pasuritë kombëtare janë trajtuar me një egërsi që nuk do ta kishin bërë as armiqtë më të urryer të këtij kombi.
Skandali i fundit i projektit në Zvërnec është dëshmia më e qartë e mënyrës sesi keqqeveris Edi Rama, korrupsion i përbindshëm, grabitje pronash, mungesë totale transparence dhe pazare gjigante mbi interesin kombëtar.
Vetë Edi Rama deklaron se bëhet fjalë për një investim prej 4 miliardë eurosh. Mediat amerikane raportojnë një vlerë prej rreth 1.4 miliardë eurosh. Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë pranon publikisht se nuk ekziston ende një projekt i miratuar.
Si mund të premtohen miliarda euro investime kur vetë qeveria deklaron se nuk ka një projekt të miratuar?
Shqiptarët kanë të drejtë të revoltohen, sepse pas këtij konfuzioni të qëllimshëm shfaqet edhe njëherë modeli i vjetër dhe i vetëm i Edi Ramës, errësirë, mungesë llogaridhënieje dhe aferë korruptive me përmasa kolosale.
Kjo nuk është një histori e re.
Portet, aeroportet, bregdeti, pronat publike, pasuritë kombëtare dhe asetet më strategjike të Shqipërisë janë trajtuar si mall pazari për një grusht oligarkësh të lidhur me Narkopushtetin e kriminalizuar.
Më shqetësues është fakti se, për të justifikuar këtë aferë, Edi Rama përpiqet të keqpërdorë miqësinë , aleancën dhe partneritetin strategjik të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar mbi vlerat frymëzuese të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe luftës pakompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
A nuk mjaftoi skandali shumë i rëndë i korruptimit prej tij të ish-drejtuesit të lartë të FBI, Charles McGonigal, për të helmuar rëndë këto marrëdhënie, vetëm për interesa personale, politike dhe korruptive?
Partia e Lirisë beson se Shqipëria ka nevojë për investime serioze, të ndershme dhe transparente, por jo për projekte të mbështjella me sekret, mashtrim dhe korrupsion.
Çdo investim strategjik duhet t'i shërbejë interesit publik, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, jo pasurimit të një pakice të privilegjuar të lidhur me pushtetin.
Nuk është rastësi që sot mijëra qytetarë kanë dalë në protestë.
Kjo nuk është vetëm protesta e Zvërnecit.
Nuk është vetëm protesta kundër një projekti apo një afere.
Kjo është protesta e shqiptarëve të lirë dhe patriotë kundër një modeli qeverisjeje që ka prodhuar korrupsion, varfëri, shpopullim, padrejtësi dhe kapjen e shtetit nga interesat mafioze.
Është protesta e qytetarëve që nuk pranojnë më një Shqipëri ku ligji zbatohet vetëm për të dobëtit, ndërsa Edi Rama, Belinda Ballukut, narkopushtetarët dhe oligarkët gëzojnë imunitet dhe pandëshkueshmëri.
Është protesta e shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë që refuzojnë të shohin pasuritë kombëtare të trajtohen si plaçkë elektorale apo si pronë private e Edi Ramës.
Partia e Lirisë shpreh mbështetjen e saj të plotë dhe të palëkundur për këtë protestë qytetare dhe për çdo zë që ngrihet kundër korrupsionit, padrejtësisë dhe keqqeverisjes që e ka zhytur vendin në krizë.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të mos heshtin por gjithnjë e më shumë të protestojnë, në çdo rrugë e shesh të Shqipërisë përballë grabitjes së pasurive publike, mungesës së transparencës dhe përpjekjeve për të shitur interesin kombëtar në funksion të interesave të një pakice të privilegjuar.
Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës dhe as e oligarkëve pranë tij.
Shqipëria nuk mund të jepet me koncesion dhe as të negociohet në errësirë për interesa personale apo politike.
Sovraniteti, pasuritë kombëtare dhe partneritetet strategjike të vendit i përkasin popullit shqiptar dhe do të mbrohen me çdo mjet demokratik, kushtetues dhe ligjor.
Partia e Lirisë do të jetë në krah të çdo qytetari që kërkon liri, demokraci, transparencë, drejtësi dhe llogaridhënie, në krah të çdo shqiptari që kërkon fundin e një regjimi që e ka shndërruar korrupsionin në sistem qeverisjeje dhe Shqipërinë në një treg ku gjithçka, përfshi sovranitetin dhe integritetin territorial, është në shitje.
Mesazhi i shqiptarëve është i qartë dhe nuk mund të injorohet më: Rama, jep dorëheqjen! Shqipëria u përket shqiptarëve", u shpreh Blushi.

