Aty ku krimi mbikëqyr me kamera policinë: Shqipëria në vitin 2023
Për të kuptuar depërtimin e krimit të organizuar në Republikën e Shqipërisë, duhet lexuar këtë lajm.
Sipas Radios Europa e Lirë, një medium i pavarur dhe profesionist, në Shqipëri që nga 25 janari janë konfiskuar nga policia rreth 350 kamera të sigurisë, të vendosura ilegalisht në pothuaj të gjitha qytetet e mëdha të vendit, në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër etj.
‘Pjesa më e madhe e kamerave, sipas policisë së shtetit, ishin vendosur për të mbikëqyrur policinë dhe grupet rivale kriminale, ndërsa një pjesë e vogël ka qenë ndërhyrje e padrejtë në jetën private apo vendosje e kamerave të sigurisë në kundërshtim me ligjin’.
Pra, shkurt e shqip, krimi i organizuar mbikëqyrë me kamera sigurie forcat e rendit.
Shqipëria në vitin 2023 ofron pamjen e mjerë të një shteti që gërryhet nga brenda prej bandave të krimit të organizuar.
Qe gati 10 vjet Shqipëria qeveriset nga partia e njëjtë, e ashtuquajtura Parti Socialiste. Përgjegjësia kryesore për këtë skandal bie mbi këtë parti.
Zor se do të ketë ndonjë konsekuencë serioze për pushtetarët për këtë skandal, sepse populli shqiptar ka rënë në apati të thellë:
kush mundet, largohet nga vendi, kush mbetet, aranzhohet disi me pushtetin ose tërhiqet në një emigracion të brendshëm.
Dhe fundi i kësaj llahtarie nuk duket askund në horizont.