Roli që e ngriti në majat e operës, Ermonela Jaho i jep lamtumirën "Violetës"

Roli që e ngriti në majat e operës, Ermonela Jaho i jep

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka mbyllur një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së saj artistike, duke interpretuar për herë të fundit Violetën në kryeveprën "La Traviata" të Giuseppe Verdit. Shfaqja e fundit u zhvillua në skenën e Teatro Costanzi në Romë, ku artistja u përcoll me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta.

Pas afro 300 interpretimeve në teatrot më prestigjioze të botës, mes tyre Royal Opera House në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Opéra National de Paris, Bayerische Staatsoper dhe Teatro Real në Madrid, Jaho vendosi t'i japë fund rolit që e bëri një nga sopranot më të vlerësuara të operës ndërkombëtare.

Për më shumë se dy dekada, interpretimi i saj i Violetës është cilësuar si një nga më mbresëlënësit e kohës moderne. Me zërin, ndjeshmërinë dhe interpretimin e saj të jashtëzakonshëm, Ermonela Jaho nuk e ka luajtur thjesht personazhin, por e ka bërë atë të jetojë në skenë, duke prekur publikun në çdo shfaqje.

Edhe në interpretimin e fundit në Romë, kritika ndërkombëtare nuk kurseu vlerësimet. Mediat e specializuara theksuan se Jaho e mishëron Violetën me një intensitet të rrallë artistik, ndërsa akti i tretë i operës u cilësua si momenti më prekës dhe kulmi emocional i mbrëmjes.

Produksioni, i cili shënon dhjetë vjet në repertorin e Operës së Romës, u realizua nën regjinë e Sofia Coppola, me skenografi të Nathan Crowley, kostume të Valentino Garavani dhe drejtim muzikor nga dirigjenti Francesco Ivan Ciampa. Në skenë, Jaho u shoqërua nga tenori Dmitry Korchak në rolin e Alfredos dhe baritoni Amartuvshin Enkhbat si Giorgio Germont.

Edhe pse i ka dhënë lamtumirën Violetës, Ermonela Jaho mbetet për kritikët dhe publikun një nga interpretueset më të mëdha të këtij roli, duke lënë pas një trashëgimi artistike që do të kujtohet për shumë vite në skenat më të rëndësishme të operës botërore.

EMISIONET