Gjykata vendos për kandidimin e Marine Le Pen! Jordan Bardella shihet si pasardhësi i së djathtës radikale

Një vendim i Gjykatës së Apelit mund ta pengojë Marine Le Pen të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027. Në këtë rast, Jordan Bardella pritet të marrë drejtimin e garës si kandidati i Tubimit Kombëtar

Gjykata vendos për kandidimin e Marine Le Pen! Jordan Bardella shihet si

E ardhmja politike e së djathtës radikale në Francë mund të marrë një kthesë vendimtare këtë të martë, kur një gjykatë apeli do të vendosë nëse Marine Le Pen do të lejohet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Nëse vendimi e pengon të garojë, vëmendja pritet të përqendrohet te Jordan Bardella, presidenti i partisë Tubimi Kombëtar, i cili konsiderohet pasardhësi i saj politik.

30-vjeçari Bardella drejton partinë që prej vitit 2022, pasi Le Pen ia dorëzoi drejtimin në kuadër të strategjisë për ta bërë forcën politike më të pranueshme për elektoratin. Edhe pse ndajnë qëndrime të ngjashme për emigracionin dhe çështjet e identitetit kombëtar, Bardella ka ndjekur një qasje më miqësore ndaj biznesit, ndërsa Le Pen ka mbështetur më shumë politika sociale dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Një nga avantazhet kryesore të Bardellës konsiderohet fakti se ai nuk mban mbiemrin Le Pen, i lidhur prej dekadash me figurën e Jean-Marie Le Pen, themeluesit të partisë dhe një personazh shumë polemik për deklaratat e tij ekstremiste dhe dënimet për gjuhë urrejtjeje. Analistët vlerësojnë se mungesa e kësaj trashëgimie politike mund ta ndihmojë Bardellën të tërheqë votues që deri tani kanë refuzuar të mbështesin familjen Le Pen.

Nga ana tjetër, Marine Le Pen sjell një përvojë të gjatë politike dhe ka qenë tri herë kandidate për presidente, duke arritur rezultatin më të mirë të së djathtës radikale në zgjedhjet e fundit. Bardella, megjithëse ka fituar popullaritet, veçanërisht në rrjetet sociale dhe mes të rinjve, nuk ka marrë pjesë më parë në një garë presidenciale dhe përvoja e tij politike kufizohet kryesisht në Parlamentin Evropian.

Vendimi i gjykatës pritet të përcaktojë jo vetëm fatin politik të Marine Le Pen, por edhe drejtimin e së djathtës radikale franceze për zgjedhjet presidenciale, ku Tubimi Kombëtar synon për herë të parë të marrë drejtimin e Francës.

EMISIONET