Nuk është pamja, por lëvizja! Studimi tregon çfarë i bën burrat më tërheqës gjatë kërcimit

Nuk është pamja, por lëvizja! Studimi tregon çfarë i

Vallëzimi ka qenë prej kohësh një formë shprehjeje, argëtimi dhe madje flirtimi, por çfarë është ajo që e bën një burrë të duket më tërheqës në pistën e vallëzimit? Një studim i realizuar nga studiuesit e Northumbria University është përpjekur t’i japë përgjigje pikërisht kësaj pyetjeje, duke analizuar lëvizjet që gratë i perceptojnë si më tërheqëse.

Për studimin, 19 burra të moshës nga 18 deri në 35 vjeç u regjistruan teksa kërcenin nën ritmet e muzikës elektronike. Asnjëri prej tyre nuk ishte valltar profesionist.

Pjesëmarrësit mbanin 38 sensorë në trup që regjistronin çdo lëvizje në tre dimensione. Më pas, këto lëvizje u transferuan te figura digjitale neutrale, pa fytyrë dhe pa karakteristika fizike, në mënyrë që vlerësimi të bazohej vetëm te mënyra e të kërcyerit.

Në fazën e dytë të eksperimentit, 35 gra heteroseksuale panë video 15-sekondëshe të këtyre figurave dhe i vlerësuan ato sipas nivelit të atraktivitetit. Rezultatet zbuluan disa karakteristika të përbashkëta tek burrat që morën vlerësimet më të larta.

Sipas studiuesve, gratë preferuan burrat që lëviznin më lirshëm bustin, përdornin më shumë qafën dhe kokën gjatë vallëzimit dhe shfaqnin energji e ritëm më të madh në lëvizjet e tyre. Lëvizjet dinamike dhe natyrale të trupit rezultuan të ishin shumë më tërheqëse sesa ato të ngurta ose të kufizuara.

Një nga gjetjet më interesante kishte të bënte me gjurin e djathtë. Studiuesit vunë re se burrat që bënin lëvizje më të shpejta dhe më të larmishme me këtë pjesë të trupit vlerësoheshin më pozitivisht.

Sipas tyre, kjo mund të lidhet me faktin që shumica e njerëzve janë dominues me anën e djathtë të trupit, duke i dhënë më shumë liri lëvizjeje kësaj këmbë. Megjithatë, kjo mbetet një teori që kërkon studime të mëtejshme.

Drejtuesi i studimit, psikologu Nick Neave, theksoi se ky është një nga kërkimet e para që përpiqet të përcaktojë në mënyrë objektive se çfarë e dallon një valltar të mirë nga një më pak mbresëlënës. Sipas tij, vallëzimi mund të japë informacione të vlefshme për gjendjen fizike, koordinimin dhe nivelin e energjisë së një personi.

Ekspertët besojnë se tipare si ekuilibri, fleksibiliteti dhe kontrolli i trupit janë të vështira për t’u shtirur dhe për këtë arsye ndikojnë në mënyrën se si perceptohet atraktiviteti.

Në fakt, studime të tjera të të njëjtit grup kanë treguar se valltarët më të mirë priren të perceptohen si më tërheqës dhe të kenë tregues më të mirë të shëndetit fizik.

Megjithëse nuk ekziston një formulë magjike për të kërcyer në mënyrë perfekte, studimi arrin në një përfundim të qartë, natyrshmëria, liria e lëvizjes dhe vetëbesimi janë elementët që bëjnë diferencën. Me pak fjalë, nuk është e nevojshme të jesh profesionist për të lënë përshtypje në pistën e vallëzimit.

EMISIONET