Diaspora po voton/ Mbi 10 mijë qytetarë kanë hedhur votën, KQZ në Kosovë publikon shifrat e fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar të dhënat e përditësuara për procesin e votimit të diasporës, duke bërë të ditur se pjesëmarrja e votuesve jashtë vendit po vijon në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore.
Sipas shifrave të publikuara deri në orën 13:00, në 26 ambasada dhe konsullata ku po zhvillohet votimi fizik, kanë votuar 10.804 shtetas nga 27.724 të regjistruar, ose 38.97 për qind e totalit të votuesve.
Të dhënat tregojnë se deri në mesditë gati katër në dhjetë votues të regjistruar në diasporë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 vende të botës.
Ndërkohë, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, u hap edhe procesi i votimit në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, ku pritet të shtohet më tej numri i votuesve gjatë orëve në vijim.
KQZ-ja vijon monitorimin e procesit dhe publikimin e të dhënave në kohë reale për pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.


