TRE ORË PARA PROTESTËS/ Rama jep shembujt e investimeve e huaja: Power International Holding nuk dëmton reputacionin për projekte si ai në Zvërnec

Në një postim në Facebook, Kryeministri Edi Rama është ndalur te investimet e grupit Power International Holding dhe përfshirja e tij në projekte zhvillimi në Shqipëri, përfshirë edhe zonën e Zvërnecit.
Rama ka sjellë si shembull një ishull turistik në Katar, i konsideruar ndër destinacionet më të vizituara në Lindjen e Mesme dhe i administruar nga brendi Anantara.
Sipas tij, ky projekt është zhvilluar nga dy vëllezërit Alkhayatt, bashkëpronarë të konglomeratit Power Holding dhe investitorë edhe në projektin e Zvërnecit.
Ai ka bërë me dije se Power International Holding është një grup i madh ndërkombëtar me qindra kompani dhe aktivitet në disa sektorë ekonomikë, me një portofol të konsiderueshëm dhe prezencë në disa vende të botës.
Ai theksoi se një kompani e kësaj shkalle nuk do të dëmtonte reputacionin e saj me projekte të veçuara, ndërsa investimet në Shqipëri paraqiten si pjesë e zhvillimeve turistike dhe ekonomike të vendit.
Po ashtu, është nënvizuar se projektet e tilla synojnë të kontribuojnë në zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe në tërheqjen e investimeve të huaja, pavarësisht debatit publik që i shoqëron.


