Unë jam “pro” protestës, por ...

ÇDO PROTESTË I BËN MIRË VENDIT DHE SHOQËRISË KUR NGRIHET KUNDRA PUSHTETIT I KUJDO PARTIE QOFTË PUSHTETI!
Jam kundër çdo deklarate publike të kujtdo përfaqësuesi politik të PD-së, opozitës që është kundra protestës, e aq më shumë, kundra argumenteve shterpë se jemi kundra protestës se protestën e organizon Sorrosi, kur në Kryesi, grup parlamentar dhe Këshill Kombëtar ka plot çirakë e këlyshë të Sorrosit.
Sorrosi nuk “luftohet” me deklarata apo konferenca shtypi nga njëra anë dhe duke mbajtur në krye shërbëtorë të financuar nga paratë e tij, apo këlyshë të Sorrosit në anën tjetër.
Protestat në çdo vend të botës janë ose POLITIKE ose SINDIKALISTE!
Protestë mikse nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë pavarësisht kamuflimit që mund të përpiqen ideatorët, apo organizatorët të paraqesin në dukje.
Nëse kjo protestë është SINDIKALISTE, pra është një mllef i akumuluar QYTETAR ndaj të gjitha zullumeve të Qeverisë dhe pushtetit, atëherë nuk duhet kurrsesi të ketë thirrje përjashtuese për çdo qytetar, apo politikan që mbështet apo merr pjesë në protestë.
Protestat që vijnë si pasojë e rebelimit shpirtëror Qytetar ndaj një padrejtësie me ligj, apo pa ligj, të Qeverisë ndaj një Qytetari, apo grupi Qytetarësh nuk duhet të kopjojnë kurrë turmat komuniste në mentalitet bolshevik me thirrje histerike “burg-burg”, se në burg të fut gjykata jo turma, por duhet të kërkojnë anulimin e ligjit, ose dorëheqie të asaj qeverie që e ka bërë këtë padrejtësi.
Protestat POLITIKE nuk duhet të kenë fare siklet të deklarohen qartazi politikisht dhe ideuesit, apo organizatorët e kësaj proteste nuk kanë pse rrinë si vemje mes “turmës”, por të dalin hapur në krye dhe sa më shpejt këtë protestë ta kthejnë në lëvizje dhe lëvizjen në PARTI POLITIKE për të përmbysur pushtetin dhe opozitën e sotme, duke ju bërë thirrje Qytetarëve që të ngrihen kundra establishmentit politik 36-vjeçar.
Të kërkojnë me çdo rrugë demokratike, ku më e mira është protesta e pandalshme, zgjedhje të parakohshme dhe të kërkojnë votat e Qytetarëve për të ndryshuar politikën 36-vjeçare që për fat të keq ka pasur një dakordësi mes vetes për të ruajtur këtë gjendje dhe këtë elitë politike.
Të gjitha deklaratat e tjera se dalim në protestë, por nuk bëjmë politikë, atëherë kujtdo mund t’i lindi e drejta të dyshojë se kjo është një “protestë” e porositur.
Nëse kjo PROTESTË nuk bëhet lëvizje e qartë politike dhe nuk formësohet në formacion POLITIK brenda 5-10 ditëve, atëherë do të shuhet si flakë kashte dhe përfitues realë do të jenë pazarxhinjtë e përhershëm, ose një grusht vemjesh dhe jo QYTETARËT!
Ndaj jepni drejtimin që duhet kësaj proteste, pa hipokrizi, pa populizëm fallso dhe pa “heronj” të heshtur, imagjinar nëse keni këllqe, se Shqipëria ka shumë nevojë për një forcë politike që të ketë si shtyllë kryesore të filozofisë së saj urrejtjen dhe mllefin qytetar 36-vjeçar ndaj politikës në tërësi.
Pastaj VOTA E QYTETARËVE i jep hakun gjithsecilit!
Asnjë protestë sado e madhe e gjatë apo e vrullshme që të jetë nëse nuk përkthehet ne VOTË, nuk ka asnjë vlerë për Vendin dhe për Shoqërinë!
Të kesh votuar me 11 maj 2025 për Ramën, të dalësh në maj-qershor 2026 në protestë kundra Ramës dhe të votosh prapë në maj 2027 për Ramën, atëherë përse dilni në protestë?
Kjo do të thotë “protestojmë” kundra Qeverisë, por prapë votojmë për Qeverinë.
Nëse keni dalë kundra PD-së dhe Berishës, apo kundra opozitës, shumë mirë keni bërë, por që të ndryshoni opozitën duke mbajtur në kurriz te njëjtin pushtet e qeveri, edhe kjo bëhet vetëm me VOTË.
Prandaj mos humbni kohë fare, por shndërroni protestën në Parti dhe Partinë në mbrojtëse të rebelimit shpirtëror të çdo Qytetari, se ndryshe kjo protestë do harrohet si ajo e Studentëve në dhjetor 2018, ajo kundra armëve kimike, apo e Teatrit.
Jam me shpirt me çdo protestë e çdo protestues kudo që të jetë, në Tiranë, në Rrjoll e Zvërnec dhe për çfarëdo motivi që të jetë!


