Gjest fantastik brenda grupit / Hysaj feston ndeshjen e 100-të si kapiten, Gjimshiti i lëshon shiritin

Ishte 6 shkurt 2013 kur Elseid Hysaj bëri debutimin e tij me kombëtaren shqiptare, duke hyrë në fushë në minutën e 62-të të miqësores ndaj Gjeorgjisë në “Qemal Stafa”. Ai moment u konsiderua si “pagëzimi” i një prej mbrojtësve më të qëndrueshëm në historinë e përfaqësueses.
Më shumë se 13 vjet më pas, mbrojtësi shkodran jo vetëm që vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e kuqezinjve, por mban edhe rekordin e paraqitjeve me kombëtaren shqiptare.
Sonte ndaj Luksemburgut, Hysaj pritet të arrijë ndeshjen e tij të 100-të me fanellën kuqezi, një shifër historike për futbollin shqiptar, që dikur dukej e vështirë për t’u arritur.
Për këtë ndeshje jubilare, trajneri i ekipit i ka besuar shiritin e kapitenit, me miratimin e kapitenit të përhershëm Berat Gjimshiti, një gjest simbolik që vlerëson kontributin e tij të gjatë në kombëtare.
Hysaj kishte vendosur më herët një tjetër rekord historik, kur në miqësoren ndaj Jordanisë në Tiranë theu shifrën e paraqitjeve të mbajtura më parë nga Lorik Cana. Me atë ndeshje ai arriti 94 paraqitje, duke hyrë në krye të listës së lojtarëve me më shumë ndeshje për Shqipërinë.
Pavarësisht viteve të gjata me fanellën kuqezi, mbrojtësi 32-vjeçar pritet të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës, duke mbetur një nga figurat udhëheqëse në fushë, ndërsa e ardhmja e tij do të varet edhe nga forma dhe minuta në klubin ku aktivizohet.
Arritja e 100 ndeshjeve e konsolidon më tej vendin e Elseid Hysajt si një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e kombëtares shqiptare.


