Gabimi me pijet e gazuara që ndoshta po e bëni çdo ditë. Brozi: Problemi thelbësor te sasia e lartë e sheqerit
Një mit i vjetër vazhdon të mashtrojë konsumatorët, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës kur dëshira për pije të freskëta arrin kulmin.
Për një kohë të gjatë, është besuar se armiku kryesor në pijet freskuese është gazi, duke bërë që shumë persona të kalojnë nga pijet e gazuara me sheqer te pijet pa gaz me sheqer, me idenë e gabuar se po bëjnë një zgjedhje më të shëndetshme.
Megjithatë, sipas nutricionistit Pavli Brozit, ky është një ekuacion tërësisht i pasaktë. I ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës”, Brozi u shpreh se problemi thelbësor nuk qëndron te karbonizimi, por te sasia e lartë e sheqerit.
Për të gjithë ata që e kanë të vështirë të heqin dorë nga ndjesia e gazit, zgjidhja ideale është uji me gaz. Ky i fundit jo vetëm që është një alternativë e sigurt, por ofron edhe përfitime për tretjen, pasi fluskat ndihmojnë në lëvizjen e ushqimit në stomak. Për t'i dhënë më shumë shije, mund t'i shtohen lehtësisht përbërës natyralë si limon, mente apo kastravec.
Këshilla për sezonin e pushimeve nga ana e Brozit është e qartë: fokusi duhet të jetë te shmangia e sheqerit, jo e gazit. Edhe në rastin e pijeve alkoolike të gazuara si birra, dëmet në organizëm nuk vijnë nga gazi, por nga elementë të tjerë si majaja dhe vetë alkooli.
Është koha që vëmendja të kthehet te përbërësit e vërtetë dëmtues, duke shmangur sheqerin e fshehur që konsumohet masivisht çdo ditë.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME NUTRICIONISTIN PAVLI BROZI


