Antoine Semenyo, historia e djaloshit që Anglia nuk e "donte", tani e sfidon në Kupën e Botës!

Antoine Semenyo, një nga yjet e Kombëtares së Ganës, do të përballet të martën në mbrëmje (ora 22:00) me Anglinë në Kupën e Botës, vendin ku lindi, por që nuk i hapi rrugën drejt futbollit profesionist.
I lindur në lagjen Chelsea të Londrës, Semenyo kaloi një rrugëtim të vështirë përpara se të arrinte në skenën më të madhe të futbollit botëror. I refuzuar nga klubet e kryeqytetit anglez, ai madje ndërpreu futbollin për një vit gjatë adoleshencës.
Megjithatë, futbollisti nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij. Ai u largua nga Londra drejt Bristolit, ku nisi ngritjen e tij përmes divizioneve të ulëta angleze, duke ndërtuar hap pas hapi karrierën që e shndërroi në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Ganës.
Së fundmi, Semenyo festoi fitoren e parë të Ganës në Kupën e Botës, triumfin 1-0 ndaj Panamasë, ndërsa tashmë e pret një sfidë e veçantë ndaj Anglisë – vendit që, sipas shumëkujt, “nuk kishte vend” për të.
Për Semenyon, ndeshja ndaj Anglisë nuk është vetëm një përballje sportive, por edhe një moment simbolik në rrugëtimin e tij nga refuzimi drejt suksesit në skenën më të madhe të futbollit botëror.

