Sot në përvjetorin e vdekjes së shqiptarit të madh të skenës gjermane, Aleksandër Moisiu, mes zërit të magjishëm dhe aktori virtuoz

Sot në përvjetorin e vdekjes së shqiptarit të madh të

Aleksandër Moisiu është një prej personazheve më të jashtëzakonshëm të promovimit të vlerave të shpirtit shqiptar në botë. Ai ishte dhe mbeti ajo vlerë, së cilës i detyrohemi shumë mirënjohje për veprën e pasur skenike që la, për thesarin e paçmimtë që begatoi historinë tonë të kujtesës.

E risjellim hera-herash në ndërmendje me detyresën e një falenderimi të përunjur, këtë emër të madh, këtë kolos të skenës, këtë manifestim fillimor të kapaciteteve dhe forcës zotëruese të protagonizmit në një botë shpërthimesh të hovshme të sprovës dhe mëtimit të vlerave të njimendta hymnizuese.

Nga të paktat rreze të krenarisë sonë kombëtare që mbushën qiellin e famës, ato të Aleksandër Moisiut, janë ndër më të shpërthimtat, kjo për vetë kohën kur ky talent i jashtëzakonshëm kumboi me zërin e tij të magjishëm në skenat më prestigjoze të kohës.

“Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane për herë të parë u dëgjua zëri i aktorit të panjohur. Ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që mbeteshin të paharruara në kujtesë, po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme…” Janë këto fjalët me të cilat i magjishmi Stefan Cvajg i jep lamtumirën e fundit, shqiptarit të famshëm të skenave vjenezë dhe berlineze, zërit dhe talentit të papërsëritshëm, Aleksandër Moisiut, kësaj embleme që jetësoi për t’i bërë të pavdekshme rolet e Edipit të Sofokliut; Hamletin, Romeon dhe Sheilokut të Shekspirit, Franc Morit të Shilerit, Mefistofelit dhe Klavingos të Gëtes, Dantonit të Bernard Shout, Montezumës e Hauptonit, Ivanovin e Çehovit, Fedian dhe Serinçevin e Tolstoit, Ozvaldit e Ibsenit, e shumë e shumë përfaqësime të tjera në skenën e teatrit.

Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste për t’u shuar më 22 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në moshën 19-vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars, kështu quheshin aktorët që luajnë role të vogëla në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin duke spikatur për zërin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg  më 1911.

Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi do të ngrenin siparin për të skenat e Evropës dhe Amerikës Veriore.  Fusha e veprimit së larmishme të Aleksandër Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind- dhe të Hofmannsthal-it. Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional gjatë interpretimit. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Në Berlin aktronte në këtë kohë vetëm si mysafir. Stili i tij i aktrimit llogaritej këtu si i vjetëruar dhe nuk mund të matej më me zhvillimet teatrore si ai i ekspresionizmit, apo teatri politik i Brecht-it apo i Piscator-it.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë. Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi fillimisht këtë kërkesë, duke i’a ofruar më pas, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai tashmë ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes. Ai vdiq më 22 mars të vitit 1935 në Vjenë. Trupi i tij prehet në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.

Ajo që mbetet një vlerë dhe për të cilën u mbamend ishte pikërisht tipari për të cilin flet Cvajgu, ku mes të tjerave për mikun italian, pasi fatkeqësisht e njohu si të tillë, thoshte, “Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste një melodiozitet i ngrohtë, plot diell, të dukej sikur ishte juga ajo që e kishte sjellë në flatrat e saj, duke kapërcyer male”.

Ai zë i ngjante një orkestre me të gjithë modulacionet dhe intensitetet, që nga notat më të ulta e deri tek shpërthimet tronditëse. Një zë i kumbueshëm, i ashpër, i mprehtë, një zë tipik shqiptar, kushtrues në gjithë shtrirjen dhe depërtimin e tij, tonalitetin dhe shqiptimin. Ishin këto veçri, virtuziteti i i tij i pashoq, ata që e kanë gozhduar në kujtesën e brezave dhe e ruajnë në ndërgjegjen e mirënjohjes së gjeneratave si dritimi më shndritës i diellit të gjenialitetit.

aleksandër moisiu albert vataj

EMISIONET