Rrëfimi i rrallë i vajzës së ish-ministrit: Në Moskë, kisha shoqe klase mbesën e Stalinit, në gjimnaz, të birin e Enverit, Gjinushin që merrte 4-ra e qeshte
Vajza e ish-ministrit Vasil Kati, tregonte jetën e saj, nga Moska, ku ishte shoqe me mbesën e Stalinit në Pekin. Kthimi në Tiranë, gjimnazi dhe klasa e “gjenive”, dënimi i të atit me 15 burg, ndarja nga bashkëshorti dhe internimi i krejt familjes. Si rrodhi më tej jeta e Kozara Katit, nga ndjekëse e motrave të Nënë Terezës, te Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Kur mendon se e ke drejtuar jetën në shinat e duhura, mund të ndodhë që gjithçka të përmbyset. Ama do t’i nënshtrohesh, nuk ke nga ia mban. Derisa, ky “fat i dytë”, do të bëhet i yti, sado që nuk mund ta harrosh të parin. Kur ishte fëmijë, e shëtiste botën kapur pas dorës së të atit, Kozara Kati, e bija e ish-ministrit në kohën e diktaturës, Vasil Kati, me siguri mendonte se për të, jeta do të ishte e buzëqeshur gjithmonë.
Do kryente studimet, do zinte një punë, do krijonte familje, pra do ndiqte me përpikëri ritualin që të ofronte jeta e viteve ’70-të. Ashtu bëri! Nuk doli nga vija e udhëzimeve! Por siç ju të gjithë e dini, mund të dilnin fare mirë të tjerë. Të të përmbysnin gjithçka, kishe ndërtuar me duart e tua e të gjendeshe befas duke punuar në bujqësi, në një vend që as emrin nuk ia kishe dëgjuar. Për pasojë të akuzave që iu bënë babait të saj, Kozara Kati, bashkë me gjithë familjen, mamanë, nënën, motrën, vëllain dhe djalin dyvjeçar, që mbajti vetë pas martesës së ndërprerë, u internuan.
Jetuan në internim për 15 vite, gjatë të cilave babain e takonin vetëm në burg. Nëse tani bëni ndonjë lidhje mes imazheve të lajmeve të kohëve të fundit dhe saj, po, kjo është lidhja. Përveçse si drejtuese e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Kozara, gjendej përditë pranë tendës së sajuar të grevistëve ish-të burgosur, për t’i vizituar, sepse e ndiente veten pjesë të tyre. Ajo dhe familja e saj, dje, atje në pastrimin e kanaleve, mund të kenë qenë me nënën, e cilitdo prej grevistëve që në ato ditë, betoheshin se do të vdisnin aty, në rrugë, nën shi. Vajtje-ardhjet e Kozarës tek ta, na bënë t’i drejtoheshim, për të na rrëfyer historinë e saj. Që nga fëmijëria, kur ndryshe nga shoqet, kishte fatin të shëtiste në Moskë e në Pekin, e deri kur mbeti e vetme, me djalin e vogël, për të rritur.
Znj. Kati, për shkak të pozitave të babait, fëmijëria ka qenë e lakmuar nga shumë bashkëmoshatarë tuajt… na tregoni për të…?
Në atë moshë, sigurisht që nuk e kupton këtë gjë, pavarësisht që jeton ndryshe nga të tjerët. Fëmijëria ime, ka kaluar duke shëtitur nga një vend në tjetrin. Shkollën, pas fillores, e kam kryer në Moskë, sepse babai u emërua atje, si përfaqësues i Shqipërisë, në Këshillin Ekonomik të Vendeve të Lindjes. Atje, isha shoqe klase me Svjetllana Vasilvjena Stalin, mbesën e Stalinit. Edhe apartamentet i kishim në të njëjtin kat.
Pra, kishit edhe hyrje-dalje në shtëpi…ç ‘kujtoni nga ajo shtëpi?
Për gjyshin, Stalinin, ajo nuk fliste shumë, as edhe familja e saj. Kujtoj, vetëm që na tregonin, për dhuratat që u kishte bërë. Mbaj mend një piano të vogël, kristale, disa orendi me vlerë, si një bufe me dru trëndafili. Vonë mësova që të atin, Svjetllana e kishte në burg, por sa ishim atje, nuk e zunë kurrë në gojë. Edhe pas largimit nga Moska, vazhdova korrespondencën me të, derisa për shkakun tim u ndërpre, erdhi koha që nuk mund t’i çoja më letra. Pas viteve ’90-të, kam mësuar që familja e tyre, ishte shuar tragjikisht.
Qëndruam 3 vjet, më pas për shkak të prishjes së marrëdhënieve më ’61-shin, u larguam. Shkuam në Pekin, ku im at, u emërua sërish, si përfaqësues i Tregtisë së Jashtme. Edhe atje ndenjëm po 3 vjet.
Në Kinë, keni qenë më ë madhe në moshë, mund të përftonit e shijonit më shumë, prej atij vendi të largët…?
Edhe pse në Moskë isha më e vogël, arrita të shoh e të njoh shumë, jam njohur atje me veprat e klasikëve të mëdhenj, kam ndjekur jetën artistike të qytetit, muzikën, baletin, galeritë. Kam qenë me klasën në ‘Sheshin e Kuq’, pasi u kthye Juri Gagarin, nga kozmosi. Ishin gjëra që i shihja për herë të parë dhe kujtimet ngelen të skalitura përgjithnjë. Në Kinë, na futën së pari në një shkollë ruse, për shkak të gjuhës. Pastaj u hap aty brenda komunitetit një shkollë shqiptare. Një mbresë e asaj kohe, është që i kam dhënë dorën perandorit të fundit, kam parë Mao Ce Dunin, kam bërë një tur nëpër qytetet më të bukura të Kinës.
Kujtoj një drekë, ku për shkak të traditës, duhet të hanim 30 lloje ushqimesh e, kur pas këtyre 30-tëve, na vjen dhe ëmbëlsira aspak e shijshme, e morëm me vete dhe bëmë sikur e harruam në tren. Na e sollën përsëri në hotel të nesërmen në mëngjes. Por nga Kina nuk kam vetëm kujtime të bukura. Në kohën që ishim atje, ndodhi një ngjarje mjaft e rëndë për Shqipërinë. Një avion i nisur për Tiranë, u dogj ne Aeroportin e Irkutskut, me 7 shqiptarë brenda.
Ishte në të Felek Malile, bashkë me dy fëmijët, Miranda dhe Besniku, poeti i madh, Drago Siliqi, Xhafer Bakllamaja, me gruan Nadire dhe djalin e tyre të vogël, Gimin. Ime më, i pati përcjellë kur u nisën e, kur mësuam lajmin, përjetimi ishte shumë i dhimbshëm. Jetonim të gjithë bashkë atje. Ka qenë i tmerrshëm momenti, kur i kanë sjellë në Pekin.
Kaluam menjëherë te jetesa jashtë, pa folur për familjen këtu, në Tiranë…
Unë kam lindur këtu në Tiranë, im atë nga Labova e Kryqit të Gjirokastrës, ndërsa mamaja nga Korça. Babai ka qenë pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, komisar batalioni, e në ’45-ën komisar politik, në qarkun e Vlorës. Më vonë erdhi në Tiranë, ku u emërua në poste drejtuese, si ministër Ekonomie, zv/ministër, ministër i Tregtisë.
Në ’64-n u rikthyet në Tiranë, ishte koha e gjimnazit…?
Po, kam qenë në gjimnazin “Petro Nini”. Ka qenë kohë shumë e bukur, sepse ishim klasë kompakte, kishim njëkohësisht tensionin e studimeve, por edhe kohën e humorit e argëtimit. Kanë qenë në atë klasë shumë emra, që janë bërë të njohur në fusha të ndryshme: Mariglen Spiro, Svjetllana Dume, Skënder Gjinushi, Pal Xhumari, Maks Mema, Ilir Hoxha, Gux Bekteshi, Pavli Zëri, Shpresa Shamblli, Iskra Qafzezi e shumë të tjerë. Miq po kaq të mirë, kisha edhe që nga koha kur shkoja në çerdhe, prindërit na çonin kudo bashkë me Shpresa, Sokol dhe Spartak Ngjelën, Mira dhe Etleva Klosin, Nina dhe Ben Theodhosin.
Domosdo që do ishit klasë e mirë, mes jush ka qenë djali i Enver Hoxhës, ku duhet t’i kenë pasur të gjithë sytë asokohe…?
Në fakt, mes nesh kjo gjë nuk është ndier. Unë nuk kam vënë re ndonjëherë që Iliri, të demonstronte shenja superioriteti. Ishte nxënës si gjithë të tjerët, mesatar në rezultate, nuk mund të them që ndriste, edhe pse nuk shquhej për ndonjë ambicie.
Po që “ndrisnin”, ka pasur, përderisa disa emra kanë qenë të dëgjuar në gjithë këto vite…?
Po ka qenë një absolut, Skënder Gjinushi. Ishte gjeniu i matematikës, që zgjidhte në mënyrë ekzemplare, të gjitha ushtrimet, pa ia hedhur sytë teorisë. Atëherë thuhej, kur ishim në vit të parë, që zgjidhte edhe ushtrimet e motrave të tij, që ishin në vit të katërt. Mblidheshim përpara provimeve e, zgjidhte ushtrimet për të gjithë. Merret me mend që gjeni të tillë, ishin të ndarë në kategori, ai i përkiste vetëm matematikës, sepse në degët e tjera, merrte 4-ra, por përsëri buzëqeshte.
Ç’ndodhi me ju pas gjimnazit?
Shkova në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku u diplomova për Gjuhë Shqipe dhe Angleze, ashtu ishte diploma e atëhershme. Ndryshe nga gjimnazi, shoqëria e kësaj periudhe, nuk mund të ishte më e njëjtë, megjithatë ishte koha e formimit akademik. Falë pedagogëve të asaj kohe, unë u ndjeva e zonja më pas, kur u bëra vetë mësuese, te Shkolla e Gjuhëve të Huaja. Ka qenë një punë që e kam gjetur veten shumë mirë, sepse jam e prirë të bashkëpunoj dhe komunikoj me njerëz të çdo moshe.
Edhe pse gjetët veten, nuk do t’ju linin ta bënit gjatë këtë punë…?
Jo, sepse në ’75-ën, u përmbys gjithçka kishim ndërtuar gjatë gjithë jetës. Im atë u arrestua, me “Grupin sabotator në ekonomik”, bashkë me Kiço Ngjelën e Avdyl Këllezin, i akuzuar si; “poli-agjent që dëmtoi vendin”. Asnjë nga këto akuza, nuk u vërtetua ndonjëherë, por dënimi u dha sidoqoftë, u dënua me 15 vite burg. E nisi nga Ballshi, Zejmeni e, përfundoi në Qafë-Bari. Pas burgosjes së tij, do të merreshin masa edhe për familjen patjetër. Na çuan në fshatin Ndërnënas të Fierit, ku vdiq edhe ime gjyshe, sepse nuk erdhi askush ta kuronte, për sëmundjen që kishte, e mandej na çuan në Kotë të Vlorës, më pas akoma në Sheqes të Beratit.
E gjithë familja u internua, ju nuk ishit martuar ndërkaq?
Po e gjithë familja, mamaja ime Fedra, gjyshja Fotini, motra Pranvera, vëllai Adriani, djali Denisi dhe unë. Asokohe isha martuar, por për shkak të kësaj ngjarjeje, im shoq i dha fund martesës dhe unë shkova në internim bashkë me tim bir, Denin, që ishte 2 vjeç. Të njëjtin fat si unë pati edhe ime motër.
Pra gjithë ç’kishit ndërtuar, u pre në mes…?!
Nisi një jetë tjetër, që askush nuk e kishte menduar më parë. Ata që e kanë jetuar e që nuk janë të pakët, e dinë se ç’ është. Megjithatë po të përpiqesh të gjesh edhe një gjë të mirë nga gjithë ç’ndodhi, e gjen. Të paktën ishim të gjithë bashkë dhe kjo ndihmoi të ruanim shëndetin mendor, të gjithsecilit. Dolëm prej andej, me plot shpresa për të ardhmen, pasi nuk i lamë shpresat të na vdisnin. E gjithë kjo, është pa dyshim edhe meritë e mamasë, që diti të na mbajë me kurajë edhe mes asaj që ndodhi, që diti, pavarësisht të gjithave, të bënte sikur nuk kish ndodhur asnjë gjë, për ta kapërcyer gjendjen.
Jetonim në një dhomë të vogël, aty flinim të gjithë. Hanim bukë misri, një herë në kaq kohë, mund të merrnim edhe 1 kg qumësht dhe për Vit të Ri, ndoshta një gjel deti, që dukej i bukur, por brenda ishte krejt i zi. Kemi bërë vajin vetë, me këmbë nëpër govata, jemi lagur në shi, sepse hynte brenda uji, kemi pasur probleme shëndetësore dhe asnjë mjek të na shihte, kemi punuar në kanale, në prashitje e, kudo ku na vinin. Nuk mund të flisnim në shtëpi, se kishim përgjues, dilnim jashtë. Megjithatë, këto gjëra janë të sikletshme për t’u kujtuar.
Shkonim patjetër, duhet të punonim edhe për të mbajtur atë. Të gjitha bisedat, ishin krejt familjare, sepse merret me mend që ishim të vëzhguar në çdo kohë e, nuk mund të flisnim, qoftë edhe për të mësuar arsyen, e gjithë asaj që na ndodhi. Babai na shkruante shpesh letra, për raste ditëlindjesh, apo festa të tjera. Kur ai u burgos, mësuam edhe prirjen e tij, për të shkruar poezi, apo fragmente të shkurtra që na gëzonin domosdo. Kur doli nga burgu, me gjithë ato letra, ai realizoi një libër të vogël.
Babai pati fatin që të jetonte ende për disa vite me ju pasi doli nga burgu. Në këtë kohë nuk ju ka treguar për gjithë pikëpyetjet që kishit pasur?
Së pari, babai kishte ndryshuar mjaft pas daljes nga burgu. Distanca kishte bërë të sajën. Ai zotëri i gjatë e i fortë, që kujtonim tashmë ishte kërrusur, ishte zbardhur e kishte rënë në peshë. Ai kurrë nuk na tregoi, nuk donte të tregonte, për 2 vitet e torturave në hetuesi, për të mos na mbushur me ndjenjën e hakmarrjes, të urrejtjes.
Askush nuk do mjaftohej me këtë qëllim të tijin, edhe pse mund të jetë e drejtë…?
Patjetër, as ne nuk e bëmë. Na kanë treguar mjaft miq të tij, me të cilët babai, fliste më shumë për torturat çnjerëzore që i bënin ekipet drejtuese të hetuesisë, për të pranuar akuzat. Kujtoj njëherë, na sollën me time motër në burgun e Tiranës dhe na thanë të prisnim, se do vinte dikush të na takonte. Pas dy orësh, erdhën e thanë se takimi nuk do te bëhej. Kur doli, e pyetëm rreth situatës dhe na tha se ishte duke na parë nga kati i tretë, i shoqëruar nga hetuesit që i thoshin se; ja ku i ke vajzat, nëse nuk pranon, nuk do t’i kesh më. Pasi ka kaluar e ka jetuar me këtë frikë, asgjë nuk i janë dukur lidhjet që i bënin në arkivol, apo detyrimet për të ngrënë jashtëqitje etj. etj.
Në fakt, ju, a u ndjetë ndonjëherë të kërcënuar?
Disa herë, por sot nuk dua të flas për këtë.
Vdekja e Enverit, a ishte ndonjë shenjë drite për ju?
Ishte patjetër dhe jo vetëm për ne, besoj. Lajmi na ka gjetur në Sheqës, dhe ishte një farë çlirimi, shpresë se do të zbutej lufta e klasave dhe do të përfundonte ajo jetesë që në fakt zgjati edhe disa vite.
Ç‘ndodhi me ju kur u gjendët sërish të lirë?
Pas daljes nga burgu të tim eti, gjëja e parë që bëmë, ishte të çonim time gjyshe në Labovë, ku kishte lënë amanet ta varrosnim. Në burg, babai kishte mësuar për vdekjen e saj, përmes letrave, na kërkonte që ajo t’i shkruante, qoftë edhe një fjalë, e ne u detyruam t’i tregonim. Im gjysh, kishte qenë qytetar amerikan, pat emigruar shumë herët atje, e nuk u kthye. Në një nga veprat e tij, Enver Hoxha shkruan, se; babai i Vasil Katit; është qytetar amerikan; e unë s’e dija. Patjetër që e dinte, por e nxori në momentin që i interesonte. Në ’91-shin, u gjendëm të gjithë pa punë, pa të ardhura, pa shtëpi e, me familjen për të mbajtur. Në këtë kohë, unë u angazhova me motrat e Nënë Terezës dhe e konsideroj nder, që kam mundur ta takoj e të qëndroj me të.
Pak kohë më pare, ishte Dita e Lumturimit të saj… Si ishte ajo, për çfarë flisnit?
Më thoshte se do më merrte në Kalkuta dhe kujtoj se sa mirë ndihesha nga këto fjalë. Ishte, siç e dimë, një grua e vogël në shtat, por me shpirt të madh. Të gjitha bisedat ishin vetëm për problemet e njerëzve. U kam shërbyer një herë si përkthyese të dy prindërve shkodranë, që kishin një fëmijë që nuk mund të ecte. Nënë Tereza, bëri të pamundurën dhe arriti t’i sigurojë fëmijës, kurimin në Itali. Një tjetër rast, është ai i Mondës, që motrat e gjetën një mëngjes, të shtrirë përpara derës së tyre, duke fjetur. Monda ishte shtatzënë, e braktisur, dhe gjeti aty një strehë për vete, e për fëmijën e saj, Injacion. Di që ende edhe sot, Monda është me Motrat.
Po ju, ç’ju çoi te ato? Asokohe njerëzit as që e dinin se ekzistonin…?!
Kisha lexuar për Nënë Terezën, shumë vite më parë, ndoshta në 1966-ën, një artikull në revistën “Reader’s Digest”. Thuhej se një vajzë 16-vjeçare nga Shqipëria, e quajtur Gonxhe Bojaxhi, kishte nisur udhëtimin nga Anglia, Dublini, e më pas, ishte bërë infermiere në Kalkuta, ku ndihmonte të sëmurët me lebrozë. Kur kam takuar At Zef Pllumin, që ka qenë me tim atë në burg, më ka thënë: “Një dite pyeta Vasilin: A është e vërtetë që Enver Hoxha, është njeriu që trumbetohet e njihet në gjithë botën”? Përgjigjja e tij ka qenë befasuese: “Egjithë bota, njeh nga Shqipëria, Nënë Terezën e Kalkutës”. Babai pa dyshim që e ka njohur që më parë, sepse ka qenë më shumë se unë, në kontakt me mediat ndërkombëtare.
Ndërkaq ju u bëtë edhe pjesë e një organizate, krijuar nga ish-të burgosurit politikë…?
Po. Në momentin që ishin të lirë, ish-të burgosurit kuptuan nevojën e një bashkimi, sepse i lidhte kalvari i vuajtjeve dhe interesi për t’u rimëkëmbur. U krijua kështu një shoqatë, që përfshinte këtë shtresë që kërkonte rehabilitim moral, mendor e material. Duhet të garantohej edhe një sistem adekuat ligjor, që t’u garantonte mundësinë e integrimit të tyre, në jetën normale të shoqërisë. Shoqata u ngrit e nisi kështu edhe sensibilizimi i opinionit kombëtar e ndërkombëtar, derisa, vit pas viti, u degëzua në shumë shoqata të vogla…! Në këtë kohë, unë u largova e nisa të merrem me punën që bëj ende edhe sot.
Që për nga qëllimi, është e ngjashme me atë që keni nisur 20 vite të shkuara, pavarësisht se, nuk është e fokusuar brenda një kategorie…?
Ky aktivizim, ka shërbyer edhe që u bëra pjesë e organizatës së sotme. Në një takim me Këshillin e Europës, lidhur me rehabilitimin e viktimave te torturës, kam takuar një zonjë norvegjeze, Berit Backer, njohëse shumë e mirë e problemeve të Shqipërisë në diktaturë, si dhe e shqipes. Ajo donte të ndihmonte këtë shtresë dhe për këtë, do kishte projekte që lehtësonin jetën e tyre. Ishte ajo që më propozoi të punoja me të e, të nisja kështu një punë të mirëfilltë, sepse aty nisa të mësoj, gjëra krejt të reja. Së pari, të njihesha me kompjuterin dhe të bëhem njëherë e mire, e varur ndaj teknologjisë. Sot, një rrugë në Tiranë, mban emrin e asaj zonje, e cila mbeti e vrarë vetëm pak kohë më pas, më 7 mars 1993. Berit, kishte adoptuar edhe një fëmijë, Besmirën nga Vlora, që sot është 22 vjeç e jeton në Norvegji. I ndihem borxhlije, jo vetëm për mundësinë që më dha, por edhe kontributin që i ka dhënë si Shqipërisë, ashtu edhe Kosovës.
Në fakt, lufta e Kosovës ka qenë një tjetër ngjarje që e keni ndjekur nga afër…?
Nga më të dhimbshmet. Është një rast që shpresoj të mos përsëritet më kurrë e që askush, nuk e mendonte t’i ndodhte kaq afër. Asnjëherë nuk e kemi marrë vesh, se sa njerëz erdhën gjatë asaj kohe në Shqipëri, nuk dimë sa ishte numri i saktë. Kam parë me sy vuajtjet dhe pasojat e asaj ngjarjeje dhe ne kemi kontribuar në rehabilitimin psiko-social dhe shëndetësor të tyre. Aty kam parë, se si funksionon rrjeti mafioz i organizatave ndërkombëtare, që me të mbaruar lufta, u larguan dhe u instaluan në Kosovë. Ditët e para të çlirimit të Kosovës, kam parë fushat e rrethuara që paralajmëronin zonat e minuara, thasët e zinj, me trupa të vdekur që ende, kur shoh këta lloj thasësh, rrëqethem. Qytete në flakë, pamje që s’besoja se do i shihja ndonjëherë.
Ta mbyllim me atë që e nisëm… me arsyen pse ju pranuat ta rrëfenit jetën tuaj, grevën. Keni takuar në gjithë këto vite njerëz me të njëjtin problem nëpër botë. Ç’koment keni për ta?
Jam investuar e trajnuar shume ne fushën e post-komunizmit, viktimave te torturës dhe rehabilitimit te tyre. Madje, në vitin 1993, kemi krijuar Qendrën e Rehabilitimit te Viktimave te Torturës, kjo në funksion te evidentimit dhe rehabilitimit të ish-të persekutuarve politikë te regjimit komunist. Janë kryer studime lidhur me torturat e aplikuara nga persekutoret e atëhershëm, janë botuar shumë libra e antologji, janë miratuar shumë ligje, për të garantuar kompensimin e tyre, moral e material, është ngritur një Institut shtetëror për këtë kategori njerëzish, etj. etj.
Nuk mjafton. Kanë kaluar 21 vjet dhe shumë pak është bërë për ta. E tregoi greva me kërkesat e parashtruara. Persekutimi politik, teorikisht dhe praktikisht është vuajtje, lot, torturë dhe shkatërrim. Trauma që ka lënë pas, është shumë komplekse dhe e vështirë, për t’u matur e kuruar, ndoshta as paratë qe do marrin, nuk do të mund t’i lehtësojnë. Çdo njeri, e përjeton dhe e vuan në mënyrën e vet. Kam diskutuar me njerëz të ndryshëm, qe vijnë nga shtresa e persekutuar, të vuajtur, të torturuar, te stresuar, të traumatizuar, te aftë e të paaftë. Pa përjashtim, të gjithë janë, Viktima te Torturës.
Sot, e gjithë shoqëria, duhet të përulet para këtyre viktimave; politika, konsensualisht, duhet tu’a garantojë të drejtat e mohuara për kompensim e rehabilitim dhe historia, duhet t’i dokumentojë, për të mos lejuar kurrë më, përsëritjen e një sistemi te tillë. Duhet bërë shumë më tepër, që brezat e ardhshëm, të njihen me të kaluarën komuniste, dhe mos lejojnë shkeljen e të drejtave te njeriut. Jeta është e shkurtër, por nuk është kurrë shumë vonë. Kjo është dhe lidhja ime me grevën e urisë. Është një lidhje vuajtjesh, solidariteti, respekti, besimi dhe përgjegjësie. Jam dhe do vazhdoj të jem kudo, ku protestohet për të drejtat e njeriut, si një aktiviste e të drejtave te njeriut dhe si një qytetare, që kërkon respektimin e tyre. Memorie.al