REPORTAZHI/ Regia delle Calabrie - Rruga që rikthen në dritë Italinë e fshehur

Ekziston Italia e brigjeve të kristalta dhe të pafundme, ku deti Mesdhe përplaset mbi shkëmbinj të thepisur dhe krijon peizazhe që kanë frymëzuar shekuj udhëtimesh, arti dhe legjendash. Ekziston bukuria e Gjirit të Salentos, drita që duket se nuk perëndon kurrë; ekziston Costiera Amalfitana, ku shkëmbinjtë bien vertikalisht në det si një skenë madhështore natyrore; ekzistojnë brigjet e Sardenjës dhe Sicilisë, ku uji ndryshon ngjyrë nga bluja e thellë në smerald; ekziston Capri, simbol i elegancës së përjetshme; Ishujt Eolie, ku vullkanet ende flasin gjuhën e tokës që vlon.

Ekziston Italia e qytetërimeve të mëdha, e Romës së përjetshme që ende sot duket sikur merr frymë mes rrënojave të saj; ekziston Firence, ku Rilindja nuk është histori, por prani e gjallë në çdo gur; dhe ekziston Napoli, qyteti ku jeta nuk ndalet kurrë, mes artit, kaosit dhe bukurisë. Ekziston madhështia e Alpeve dhe Apenineve, ku bora dhe guri ndërtojnë peizazhe monumentale; ekziston gastronomia italiane si gjuhë universale e shijes; ekziston trashëgimia e UNESCO-s si kujtesë e përbashkët e njerëzimit; dhe ekziston “Made in Italy”, një stil jetese që është kthyer në simbol global të estetikës dhe cilësisë.

Por përtej kësaj Italie të famshme, të fotografuar nga miliona imazhe turistike, ekziston një Itali tjetër.

Një Itali më e heshtur, më e thellë dhe më autentike. Një Itali që nuk shfaqet lehtë, por zbulohet ngadalë. Është Italia e fshatrave antike të ngrira mbi kodra, e qytezave të vogla të fshehura mes maleve dhe luginave, ku koha duket se ecën ndryshe. Është Italia e komuniteteve që vazhdojnë të jetojnë në harmoni me tokën e tyre, duke ruajtur me kujdes traditat, kujtesën dhe identitetin e trashëguar brez pas brezi. Një Itali që shtrihet mes fushave të gjera, ullishteve shekullore, pyjeve të thella dhe peizazheve që ndryshojnë me dritën, duke krijuar tablo që ngjasojnë me pikturat e Van Gogh-ut.

Në këtë Itali të brendshme, të fshehur dhe të shtresëzuar nga shekujt, kalonte dikur një nga rrugët më të rëndësishme të Italisë jugore: Rruga "Regia delle Calabrie".

Për shekuj me radhë ajo ishte një arterie jetike që lidhte Napolin me jugun e gadishullit italian. Nuk ishte thjesht një rrugë, por një korridor i madh historik ku lëviznin qytetërime, ushtri, tregtarë, pelegrinë, mbretër, aristokratë dhe udhëtarë të Grand Tour-it. Në stacionet e saj të pushimit ndaleshin karrocat e lodhura nga udhëtimi i gjatë, ndërsa njerëzit shkëmbenin lajme, mallra dhe histori.

Pas dekadash harrese, Strada Regia delle Calabrie është rikthyer në dritë falë një pune kërkimore tetëvjeçare të drejtuar nga studiuesi Luca Esposito, i specializuar në hartografinë bourboniane dhe në historinë e itinerareve të lashta.

Duke ndjekur harta të shekujve të kaluar, dokumente arkivore dhe gjurmë ende të dukshme në terren, u rindërtua një itinerar prej rreth 260 kilometrash që përmbledh më shumë se 2200 vjet histori të gjallë. Një rrugë që bashkon 45 qytete dhe fshatra historikë, 15 qendra të lashta postare, pesë site të UNESCO-s, tre rajone, katër provinca dhe tre parqe kombëtare.

Kjo nuk është vetëm një rrugë. Është një atlas i hapur i kujtesës evropiane.

Për ta sjellë këtë trashëgimi në vëmendjen ndërkombëtare, u organizua një Press Tour i jashtëzakonshëm, i ndarë në disa ndalesa, secila një skenë më vete e një historie të madhe.

PORTICI - Mes Vezuvit dhe kujtesës mbretërore mbretërore në një epokë

Udhëtimi nisi në Portici, nën hijen imponuese të Vezuvit. Portici është një qytet në jug të Italisë, në rajonin e Kampanias, shumë pranë Napolit dhe në këmbët e vullkanit Vezuv.

Në Apartamentet Mbretërore të Reggia di Portici, historia u shfaq si një film monumental. Sallat mbretërore, me afreske elegante dhe dritë që depërtonte nga kopshte të gjera botanike, krijonin ndjesinë e një kohe që nuk ka ikur kurrë.

Këtu, në shekullin XVIII, Bourbonët ndërtuan një nga rezidencat më të rëndësishme të Italisë jugore, pikërisht mbi një nga segmentet simbolike të Strada Regia delle Calabrie.

Gjatë konferencës për shtyp, Archeclub Italia prezantoi projektin si rikthim i një harte të humbur të Italisë. Një Itali që nuk gjendet në broshura, por në arkiva, në gurë dhe në kujtesën e territorit.

"Qëllimi është të nxjerrim në dritë një trashëgimi të fshehur. Po lidhim 2200 vjet histori, ura romake, taverna historike, basilika, geosite dhe gjurmë të Grand Tour-it. Ky është një muze i hapur që shtrihet për 260 kilometra" u shpreh Luca Esposito.

"Kemi rindërtuar një sistem historik që përfshin 2200 vjet, 260 kilometra rrugë, 45 qytete dhe fshatra, 15 stacione postare dhe 5 site UNESCO.”

Ai theksoi një punë të gjatë në terren, ku janë identifikuar taverna historike, ura romake, burime natyrore, rrugë të lashta dhe gjurmë të Grand Tour-it evropian.

Për Rosario Santanastasio. President Archeoclub d’Italia "decentralizimi i turizmit është i domosdoshëm.

"70% e komunave në Campania kanë më pak se 5000 banorë dhe ndodhen në zonat e brendshme. Me miliarda turistë që priten në vitet e ardhshme, është e domosdoshme të decentralizojmë flukset turistike" u shpreh ai.

Sipas Vincenzo Maraio, Assessore al Turismo della Regione Campania, projekti është thelbësor për të ridimensionuar turizmin:

“Kampania nuk është vetëm det dhe bregdet, por edhe një territor i brendshëm ku mund të zhvillohen të gjitha format e turizmit: outdoor, kulturor, gastronomik, sportiv dhe i mirëqenies. Strada Regia delle Calabrie është një itinerar me vlerë të jashtëzakonshme që zgjeron ofertën turistike të rajonit.”

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes së këtij projekti me ngjarjet e mëdha ndërkombëtare si America’s Cup 2027, duke e kthyer Kampanian në një destinacion të integruar kulturor dhe turistik.

Franco Picarone, President i Komisionit Rajonal të Buxhetit të Rajonit Campania, theksoi rëndësinë strategjike të këtij itinerari për zhvillimin kulturor, ekonomik dhe turistik të territoreve të brendshme.

Ai nënvizoi se projekti përfaqëson një fazë të re të valorizimit të zonave të brendshme dhe krijimit të një rrjeti të integruar turistik mes Campania-s dhe rajoneve fqinje.

"Në Rrugën Regia delle Calabrie do të kemi dy fazat e para të projektit: atë të Press Tour-it, me pjesëmarrjen e shtypit kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe më pas publikimin e një guide turistike. Më tej do të hapet një fazë dialogu edhe me rajone të tjera si Basilicata dhe Calabria.”

Picarone theksoi gjithashtu nevojën për lidhjen e këtij itinerari me potencialin e gjerë të territorit:

“Duhet të lidhet kjo ‘infrastrukturë e madhe’ e zonave të brendshme me gjithçka që ky territor i jashtëzakonshëm mund të ofrojë në aspekt kulturor, arkeologjik dhe peizazhistik.”

Sipas tij, Strada Regia delle Calabrie nuk është vetëm një projekt turistik, por një instrument zhvillimi territorial që synon të forcojë identitetin e zonave të brendshme dhe të krijojë bashkëpunim të qëndrueshëm mes institucioneve dhe komuniteteve lokale.

Pas prezantimit, vizita në Museo Herculanense zbuloi një tjetër dimension: muzeun ku në shekullin XVIII u ekspozuan për herë të parë thesaret e Herculaneumit, Pompeit dhe Stabias. Një vend ku Evropa mësoi të shohë antikitetin me sy modern.

ERCOLANO, qyteti që u ndal në sekondën e fundit të jetës

Ndalesa e dytë ishte Parku Arkeologjik i Ercolanos.

Herculaneumi nuk është rrënojë. Është një qytet i ngrirë në momentin e fundit të ekzistencës së tij.

Rrugët e shtruara, shtëpitë me struktura të ruajtura, mobiliet e karbonizuara dhe afresket ende të lexueshme krijojnë ndjesinë se banorët do të kthehen në çdo moment.

Në briefing-un arkeologjik, studiuesit prezantuan zbulimet më të fundit që po ndryshojnë kuptimin e botës romake.

Në Antiquarium, Seksioni i Drurit përfaqëson një nga mrekullitë më të rralla arkeologjike në botë: dyer, trarë dhe mobilie të ruajtura nga hiri vullkanik, si dëshmi e një jete që nuk është shuar plotësisht.

NOCERA SUPERIORE drita e krishtërimit të hershëm

Në Nocera Superiore, historia ndryshon formë, por jo intensitet.

Battistero di Santa Maria Maggiore, një nga monumentet më të rëndësishme paleokristiane të Italisë, ngrihet si një strukturë që lidh antikitetin me besimin e ri që formësoi Evropën.

Kupola e madhe, kolonat e shumta dhe pagëzimorja tetëkëndëshe krijojnë një hapësirë ku drita hyn si element arkitektonik. Afresket dhe shtresat e ndryshme historike tregojnë një vazhdimësi të jashtëzakonshme, nga Roma e lashtë deri në mesjetë. Ky është një territor ku bashkohen gjurmët e qytetërimit romak me lindjen e krishterimit të hershëm, duke e kthyer zonën në një nga pikat më domethënëse historike të Italisë jugore dhe një ndalesë kyçe të itinerarit Strada Regia delle Calabrie.

Battistero di Santa Maria Maggiore, është  aktualisht kandidat për trashëgimi botërore UNESCO.

Ndërtuar në shekullin VI, ky monument përfaqëson një arkitekturë unike:

një strukturë rrethore madhështore, e mbuluar nga një kupolë imponuese, e mbështetur mbi pesëmbëdhjetë çifte kolonash, me një vaskë pagëzimi tetëkëndëshe në qendër.

Nën këtë ndërtim paleokristian ruhen edhe shtresa më të hershme romake, përfshirë mozaikë të shekujve II–III pas Krishtit, që dëshmojnë vazhdimësinë e jetës urbane në këtë zonë për më shumë se dy mijëvjeçarë.

Battistero i Nocera Superiore është një shembull i rrallë i ndërthurjes së historisë struktura romake të ripërdorura. arkitekturë paleokristiane e hershme dhe elemente dekorative mesjetare dhe longobarde.

Ky monument nuk është vetëm një vend kulti, por një dëshmi e transformimit historik të Mesdheut, nga Roma antike në botën e krishterë.

Pavarësisht kalimit të shekujve dhe ngjarjeve historike, monumenti ka ruajtur identitetin e tij dhe vazhdon të jetë një pikë referimi për studime arkeologjike dhe vizita kulturore.

PERTOSA-AULETTA nën tokë, aty ku koha merr frymë ndryshe

"Nuk jemi sipërfaqësorê" lexohet mbi bluzën e Gaetanos një nga dy giudat që na shoqëron në shpellën rreth 2 km e gjysëm e gjatë e 200 metra nën autostradën Salerno Reggio Calabria. Gjithcka aty brenda të lë pa frymë nga bukuria unike.

Në Grotte di Pertosa-Auletta, vizitorët zbresin në një botë tjetër, ku lumi Negro rrjedh në heshtje absolute mes galerive natyrore të formuara gjatë mijëra viteve.

Lundrimi me varkë në errësirën nëntokësore është një përvojë pothuaj mistike: uji reflekton dritat e zbehta dhe muret e shpellës krijojnë forma që duken të gjalla.

Dhe pastaj, surpriza më e madhe: mbetjet e një vendbanimi mbi palafite, rreth 3000 vjeçar, të ruajtura në mënyrë të jashtëzakonshme.

Një botë parahistorike e ngrirë në kohë, si një sekret i ruajtur nga vetë toka.

Padula – qyteti që ruan në heshtje një nga thesaret më të mëdha të Europës

Padula është një qytet i vogël i vendosur në jug të Kampanias, në zemër të Parkut Kombëtar të Cilentos, Vallo di Diano dhe Alburni-ve. Në pamje të parë, duket si një qendër e qetë rurale, e rrethuar nga kodra, pyje dhe peizazhe që ndryshojnë ngjyrë me stinët.

Por nën këtë qetësi fshihet një nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore të Italisë jugore.

Aty ndodhet edhe monumenti që e ka bërë Padulën të njohur në botë: Certosa di San Lorenzo (Padula).

Ky kompleks monastik është një nga më të mëdhenjtë në Europë dhe përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm të arkitekturës karteziane. Ai shtrihet si një “qytet brenda qytetit”, me klaustra të pafundme, oborre monumentale dhe hapësira të ndërtuara për heshtje, meditim dhe izolim shpirtëror.

Polla – “Qyteti i Librit”, mes kujtesës historike dhe kulturës

Polla, i njohur si “Qyteti i Librit”, nuk është vetëm një realitet kulturor lokal, por një pikë e rëndësishme në një rrëfim shumë më të gjerë historik: itinerarin e Strada Regia delle Calabrie.

Cava de’ Tirreni

Më 14 qershor ky qytet u shndërrua në një skenë të madhe historike, ku qyteti mori frymën e vitit 1656.

Mbi 1500 figurantë sollën në jetë kujtesën e një periudhe të vështirë dhe dramatike për jugun e Italisë, atë të murtajës së shekullit XVII. Në rrugët e qytetit u rikrijuan skena të jetës së përditshme, procesione fetare, momente lutjeje dhe rituale qytetare që i përkisnin një epoke të largët, por që në këtë ditë u bënë sërish të dukshme dhe të prekshme.

E gjithë qendra historike u kthye në një teatër të hapur, ku çdo lëvizje, çdo detaj dhe çdo kostum ishte pjesë e një rrëfimi të madh kolektiv. Banorët dhe vizitorët nuk ishin më thjesht spektatorë, por pjesëmarrës në një udhëtim emocional në kohë, ku historia nuk lexohej, por përjetohej.

Në këtë atmosferë të veçantë, Cava de’ Tirreni tregoi edhe një herë se identiteti i saj është i lidhur ngushtë me kujtesën historike dhe me aftësinë për ta rikthyer atë në jetë përmes ngjarjeve publike që bashkojnë komunitetin.

Brenda itinerarit të Strada Regia delle Calabrie, kjo festë përfaqëson një nga momentet më të fuqishme të lidhjes mes territorit dhe historisë së tij, duke dëshmuar se rruga e vjetër nuk është vetëm një gjurmë në hartë, por një rrëfim i gjallë që vazhdon të ecë nëpër kohë.

NJË RRUGË QË RIKTHEN ITALINË E VËRTETË

Rruga Regia delle Calabrie nuk është më thjesht një itinerar.

Është një zbulim.

Është një rrëfim i madh që lidh pallate mbretërore, qytete romake, monumente paleokristiane, fshatra të lashta dhe peizazhe natyrore të paprekura.

Është një Itali që nuk bërtet, por që ekziston me forcën e historisë së saj.

Një Itali më e thellë, më e vërtetë dhe më e papërsëritshme.

EMISIONET