Koncerti “Muzika e Hollywood-it” emocionon publikun shkodran

Koncerti “Muzika e Hollywood-it” emocionon publikun shkodran

Muzika bashkoi Shkodrën me skenat më të mëdha të botës, përmes kolonave zanore të krijuara nga një artist që ka lënë gjurmë në industrinë ndërkombëtare të filmit, por që nuk harron kurrë rrënjët e tij.

Kompozitori Aldo Shllaku solli për herë të parë në qytetin e tij të lindjes, veprat e tij “hollivudiane” duke dhuruar emocione të jashtëzakonshme për publikun.

Kryebashkiaku Benet Beci përcolli ne rrjetet sociale, momente nga ky koncert, duke falënderuar Aldo Shllakun, artistët e mrekullueshëm, Orkestrën Simfonike dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si edhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij spektakli të paharrueshëm.

Publiku pati mundësinë të shijojë kolonat zanore të krijuara nga kompozitori shkodran, i cili prej vitesh është pjesë e industrisë ndërkombëtare të filmit.

Aktiviteti shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme në jetën kulturore të Shkodrës, duke dëshmuar se qyteti vijon të mbetet një qendër e rëndësishme e artit dhe kulturës, ndërsa mirëpret artistë që kanë arritur sukses në arenën ndërkombëtare pa i shkëputur lidhjet me vendlindjen. 

EMISIONET