Arben Hasanaj, babai i 19-vjeçarit që akuzohet se i bëri atentat shefit të Policisë Bashkiake të Malëisë së Madhe doli në një deklaratë publike për ti bërë thirrje të birit të dorëzohet në Polici dhe të marrë përgjegjësitë. Ish-polici tha se nuk ka nuk ka konflikte me familjen e sulmuar, dhe nuk e dinte arsyen pse i biri i sulmoi.

“I bëj thirrje djalit tim, publikisht, që një orë e më parë, një minute e më parë, në komisariatin, në drejtorinë më të afërt të Policisë së Shtetit, te polici i rrugës, të bëjë dorëzimin, të dorëzohet.Unë si prind do ta mbështes, do ta mbaj afër fëmijën tim, pavarësisht fatkeqësisë që më ka ndodh.”

Kjo është thirrja për vetëdorëzim që babai i sapokthyer nga Anglia i bën Ilirjan Hasanajt, 19-vjeçarit të dyshuar për atentatin ndaj kreut të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.

Fillimisht në mediat sociale, e më pas publikisht, ish-polici i kërkoi të birit të mbajë përgjegjësinë!

Arben Hasanaj: Do ta dorëzoj se s’bën, do të zbardh të drejtën e Zotit. Nëse djali ka bërë gabim do të mbajë përgjegjësinë. Do të bashkëpunoj me policinë sikur jam në Policinë e Shtetit.

Arsyet e atentatit thotë se nuk i di, por përjashton që mes dy familjeve ka patur ndonjë konflikt.

Arben Hasanaj: Nuk kemi pasur asnjëherë konflikte me prona, me shtëpia, me biznese.

Një prej pistave të hetimit, ka qenë ajo se 19-vjeçari mund të jetë paguar për sulmin, për këtë Hasanaj pret ballafaqimin me djalin, që thotë se do të ndiqte rrugën e tij në Polici.

Arben Hasanaj: Dyshimet e policisë mund të jenë të sakta, por edhe mund të mos jenë. Nuk mund të them asgjë kur nuk di, nuk kam folur me djalin. Në këtë moment u fik çdo gjë, më mori në qafë, më tradhëtoi në kuptimin e mirë të fjalës.

Atenati ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, ndodhi të dielën, në Shkodër.

Për pasojë mbeti i plagosur rëndë 39 vjeçari dhe babai i tij i moshuar, ndërsa bashkëshortja shpëtoi pa lëndime.

Ilirjan Hasanaj u shpall në kërkim brenda harkut kohor të 24 orëve nga ngjarja dhe policia shkoi drejt emrit të tij nga provat biologjike që gjeti në motorrin dhe skafandën e braktisur pas atentatit ndaj shefit të policisë bashkiake Malësi e Madhe.

/a.r, OraNews