Gjendet motorçikleta e cila është përdorur për të kryer atentatin ndaj Drejtorit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj.

Burime për Ora News bëjnë me dije se, mjeti është gjetur rreth 500 metra larg vendit ku u bë edhe atentati.

Autori e ka braktisur mjetin ndërkohë që më pas mendohet se është larguar në këmbë.

Policia e Shkodrës po ushtron kontrolle në zonë pasi dyshohet se autori nuk është larguar nga perimetri ku është kryer atentati ndaj zyrtarit të lartë të bashkisë së Malësisë së Madhe, raporton Ora News.

Ndërkohë janë shoqëruar në polici 3 persona, të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në segmentin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin e njohur si ish-5 heronjtë,  në tregun e Dobraçit.

Mentor Hasanaj, 37 vjeç, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e punës në drejtim të Malësisë së Madhe së bashku me gruan dhe babain e tij Xhelal Hasanaj, 70 vjeç, kur është qëlluar me breshëri arme zjarri.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur babë e bir, ndërsa 28-vjeçarja nuk ka marrë lëndime.

37-vjeçari, Mentor Hasanaj, është transportuar drejt spitalit të Traumës pasi ka paraqitur komplikacione dhe mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës kanë vlerësuar dërgimin në Tiranë për mjekim të specializuar.

Ndërkohë i ati i tij, Xhelal Hasanaj, 70 vjeç,  po merr mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës.

/a.r, OraNews