Shpallet fituesi për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian
Kompania “Salillari” është shpallur fituese e procedurës për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit dhe pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një vepre të shumëpritur nga banorët dhe bizneset e zonës.
Sipas tij, procedura për përzgjedhjen e kompanisë fituese nuk ka qenë e lehtë, pasi disa përpjekje të mëparshme për realizimin e projektit nuk kanë rezultuar të suksesshme.
“Shpallja e fituesit bën të mundur që më në fund të nisë realizimi i kësaj vepre infrastrukturore, e cila do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe lidhjen e zonave veriore me pjesën tjetër të vendit”, u shpreh Karakaçi.
Ministri theksoi se institucionet do të angazhohen për nisjen sa më shpejt të punimeve, me synim përfundimin e projektit sipas afateve të parashikuara.
Aksi Milot-Balldren konsiderohet një segment strategjik i rrjetit kombëtar rrugor dhe lidhet drejtpërdrejt me investimet e tjera që qeveria po zbaton në veri të Shqipërisë për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Gjurma e propozuar e rrugës Milot-Balldren ka një gjatësi prej 17 km dhe fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentin Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër, në Balldren.
Karakaçi kujtoi se vetëm pak ditë më parë u prezantua nisma “Porta e Alpeve”, një program financimi me vlerë 100 milionë euro, i dedikuar për veriun e vendit.
Sipas tij, kjo nismë synon të mbështesë investimet në infrastrukturë, turizëm dhe ekonomi, duke e kthyer rajonin në një nga motorët kryesorë të zhvillimit të vendit.


