Spanja "ngec" në testin e parë: Vetëm barazim 1-1 ndaj Irakut para Botërorit

E konsideruar si një nga favoritët kryesorë për të fituar Botërorin 2026, Spanja nuk arriti të bindë në testin e saj të parë përgatitor përpara nisjes së turneut që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kampionët e Europës u ndalën në një barazim 1-1 ndaj Irakut në sfidën e luajtur në La Korunja.
Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente dominoi zotërimin e topit dhe krijoi më shumë raste se kundërshtari, duke dhënë sinjale se ndeshja mund të zgjidhej shpejt. Ferran Torres kaloi spanjollët në avantazh që në minutën e 16-të, duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas.
Megjithatë, Iraku reagoi shpejt dhe në minutën e 27-të Doski riktheu baraspeshën, rezultat me të cilin ekipet iu drejtuan dhomave të zhveshjes.
Në pjesën e dytë, De la Fuente ndryshoi të gjithë formacionin, por pavarësisht kontrollit të lojës dhe përpjekjeve të vazhdueshme, “Furitë e Kuqe” nuk arritën të gjenin golin e fitores. Vërshëllima përfundimtare vulosi barazimin 1-1, një rezultat që ka ngjallur kritika në mediat spanjolle.
Edhe pse nuk konsiderohet një sinjal alarmi përpara Botërorit, barazimi ndaj Irakut ka lënë një shije të hidhur te kampionët e Europës, të cilët pritet të jenë ndër protagonistët kryesorë të turneut që nis më 11 qershor.

