DASMA DISA DITORE E DUA LIPËS/ Këngëtarja shqiptare vijon celebrimet në Siçili, yje nga kinematografia dhe bota e muzikës të pranishëm (PAMJE)

Këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa dhe aktori Callum Turner po vijojnë festimet e martesës së tyre në Palermo të Siçilisë, ku kanë zgjedhur të zhvillojnë pjesën kryesore të ceremonive pas dasmës civile të mbajtur më 31 maj në Londër.
Çifti, i cili u bë publik si lidhje në fillim të vitit 2024 dhe u fejua gjatë verës së vitit 2025, ka mbledhur familjarë dhe miq të afërt në një program disa-ditor në disa nga vendet historike të qytetit italian.
Festimet kanë nisur me një koktej mirëseardhjeje në qendrën historike të Palermos, ndërsa më pas aktivitetet janë zhvendosur në disa rezidenca dhe ambiente të njohura të zonës.
Në mbrëmjen e parë, Dua Lipa është shfaqur me një fustan të bardhë të personalizuar nga Bottega Veneta, ndërsa Callum Turner me një kostum të lehtë në ngjyrë bezhë.
Në mesin e të ftuarve janë parë emra të njohur të muzikës dhe kinemasë si Charli XCX, George Daniel, Joe Alwyn, Troye Sivan dhe Mark Ronson, së bashku me anëtarë të familjes së këngëtares, përfshirë Rina Lipën dhe Dukagjin Lipën.
Sipas organizimit të planifikuar, festimet do të zgjasin disa ditë dhe do të zhvillohen në disa pika të Palermos dhe zonës së Bagherisë, përfshirë Villa Igiea dhe ambiente historike të qytetit.
Ceremonia kryesore e dasmës pritet të zhvillohet në ditët në vijim, ndërsa momentet nga festimet tashmë kanë nisur të shpërndahen në rrjete sociale, duke treguar atmosferë festive dhe momente private të çiftit.
View this post on Instagram


