Monica Bellucci: Bukuria pa talent nuk vlen, ndërsa l*fta me moshën është e kotë!

Aktorja e njohur italiane Monica Bellucci ka folur hapur për bukurinë, kalimin e kohës dhe paragjykimet me të cilat është përballur gjatë karrierës së saj, duke theksuar se talenti dhe njohuritë janë shumë më të rëndësishme se pamja e jashtme.
Në një intervistë të publikuar nga Politika, Bellucci u shpreh se bukuria e vetme nuk mjafton për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në kinematografi.
“Si aktore, nuk do të bësh më shumë se një film nëse je thjesht një bukuroshe, sepse bukuria nuk vlen asgjë pa talent dhe njohuri”, deklaroi ajo.
Ylli italian foli gjithashtu për raportin e saj me moshën, duke thënë se nuk ka asnjë arsye për të luftuar kundër kalimit të kohës.
“Sinqerisht, nuk më intereson mosha ime. Është e kotë të luftosh me kohën, sepse je i destinuar ta humbasësh atë betejë. Duhet ta konsiderojmë veten me fat që plakemi, sidomos kur kemi pranë njerëz që i duam dhe na duan”, tha Bellucci.
Ajo nënvizoi se pandemia i bëri shumë njerëz të kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve njerëzore dhe të vlerësojnë më shumë lidhjet me familjen dhe miqtë.
Duke folur për karrierën e saj, Bellucci tha se pjekuria i ka hapur mundësi të reja artistike dhe role më të larmishme.
“Fizikisht ndryshojmë, por me përvojën fitojmë aftësinë për të shprehur ndjenja dhe aspekte të ndryshme të jetës”, u shpreh aktorja.
Ajo komentoi edhe paragjykimet që shpesh shoqërojnë gratë e bukura, duke e krahasuar bukurinë me një maskë që i bën njerëzit të krijojnë ide të gabuara.
“Kur je e bukur, është sikur të veshësh një maskë. Shumë njerëz mendojnë se e dinë kush je, pa u interesuar për atë që ke brenda. Shpesh duhet të përballesh me paragjykimin se bukuria dhe inteligjenca nuk mund të ecin bashkë”, përfundoi Bellucci.

