JE I M*TUR? STOP RRJETEVE SOCIALE/ Britania kufizon aksesin online për të miturit nën 16 vjeç

Mbretëria e Bashkuar po përgatitet të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Kryeministri Keir Starmer njoftoi një paketë masash që synon mbrojtjen e të miturve në internet, duke detyruar kompanitë teknologjike të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe duke vendosur kufizime të reja për aksesin në platformat sociale.

JE I M*TUR? STOP RRJETEVE SOCIALE/ Britania kufizon aksesin online për

Mbretëria e Bashkuar po ndërmerr një nga masat më të forta në botë për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se qeveria do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për të gjithë të miturit nën moshën 16 vjeç.

Sipas planit të prezantuar, fëmijët nuk do të kenë më akses në platforma si Instagram, TikTok, Facebook, YouTube dhe X. Përjashtim do të bëjë vetëm WhatsApp, i cili do të mbetet i aksesueshëm.

Ndërkohë, do të ndalohen edhe transmetimet e drejtpërdrejta për të miturit, si dhe komunikimi me persona të panjohur në internet.

Kryeministri Starmer e justifikoi vendimin si një hap të domosdoshëm për sigurinë e fëmijëve. Ai deklaroi se mbrojtja e të rinjve nga përmbajtjet e dëmshme dhe rreziqet online është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë.

Masa është frymëzuar nga modeli australian, por autoritetet britanike po shqyrtojnë edhe vendosjen e një “ore policore dixhitale”, e cila do të kufizonte përdorimin e internetit për të rinjtë nën 18 vjeç pas orës 20:30.

Për zbatimin e rregullave do të jenë përgjegjëse kompanitë teknologjike. Ato do të duhet të përdorin sisteme të avancuara të verifikimit të moshës, përfshirë identitetin dixhital dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës. Shkelësit mund të përballen me gjoba që arrijnë në dhjetëra milionë paund.

Megjithatë, nisma ka nxitur debat. Mbështetësit e saj argumentojnë se kufizimet do të mbrojnë shëndetin mendor dhe sigurinë e fëmijëve, ndërsa kritikët paralajmërojnë se masat mund të jenë të vështira për t’u zbatuar dhe nuk adresojnë plotësisht problemet që krijohen nga përmbajtjet e dëmshme në internet.

Projektligji pritet të paraqitet në Parlament deri në fund të vitit, ndërsa qeveria synon që rregullat e reja të hyjnë në fuqi gjatë pranverës së ardhshme.

EMISIONET