Rritet katërfish taksa e pronës, Pipiria: Reforma e taksimit është e nevojshme, por duhet të jetë më e drejtë socialisht!
Eksperti i ekonomisë Renaldo Pipiria, i ftuar në një intervistë për “Ora News”, komentoi projektligjin për rritjen e taksës së pronës, duke e konsideruar atë një hap në drejtimin e duhur, por që sipas tij ka nevojë për përmirësime të rëndësishme për të garantuar më shumë drejtësi sociale dhe ekonomike.
Pipiria theksoi se në Shqipëri taksimi i pronës nuk është ndjerë në të njëjtën masë në të gjitha qytetet, pasi vetëm Tirana ka pasur një reflektim më të afërt të vlerës reale të tregut. Sipas tij, në pjesën tjetër të vendit vlerat referuese të pronave mbeten larg realitetit, çka e bën të pritshme rritjen e taksës së pronës.
Ai vlerësoi pozitivisht kalimin drejt një sistemi ku të gjitha llojet e pronave do të taksohen mbi bazën e vlerës së tregut, duke lënë pas modelin aktual hibrid, ku ndërtesat taksohen sipas vlerës ndërsa toka sipas sipërfaqes.
Megjithatë, Pipiria argumentoi se projektligji duhet të parashikojë më shumë kategori përjashtimi nga taksa. Ai propozoi përfshirjen e nënave të divorcuara me fëmijë në ngarkim, nënave të veja, familjeve me fëmijë jetimë dhe atyre që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.
Një tjetër sugjerim i tij ishte mundësia e shtyrjes së pagesës së taksës për familjet që përballen me vështirësi ekonomike, deri në momentin e shitjes, trashëgimisë ose dhurimit të pronës.
Gjatë intervistës, Pipiria ngriti shqetësime edhe për përjashtimet fiskale të parashikuara për hotelet dhe resortet me katër e pesë yje që operojnë me marka ndërkombëtare. Sipas tij, trajtimi preferencial duhet të bazohet te standardi i investimit dhe kontributi në ekonomi, e jo vetëm te fakti nëse subjekti mban një markë ndërkombëtare apo vendase.
Ai kërkoi gjithashtu që në ligj të përfshihen lehtësira ose përjashtime për ndërtesat që mbështesin bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin, duke argumentuar se këta sektorë kanë nevojë për mbështetje të veçantë.
Në përmbyllje, Pipiria nënvizoi se projektligji përmban elementë pozitivë dhe synon një sistem më modern të taksimit të pasurisë së paluajtshme, por shtoi se ai duhet të pasurohet me mekanizma mbrojtës për shtresat në nevojë dhe me politika më të balancuara për sektorët që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Renaldo Pipiria: Kemi mësuar në Shqipëri që nuk është taksuar, përveç qytetit të Tiranës që ka pasur dinamika, ka pasur pak më tepër, po themi, reflektim të rritjes së vlerës së pronës, shtrëngim pra, përfshirje e taksës në faturën e ujit, po themi. Në qytete të tjera nuk është se është ndjerë tamam kjo edhe për faktin sepse vetëm qyteti i Tiranës i ka disi më të përafruara vlerat e pronave me realitetin e tregut. Ndërkohë që pjesa tjetër e Shqipërisë, fatkeqësisht, i ka totalisht jashtë realitetit që i mbeten referencës. Kështu që është e pritshme, mendoj që po. A duhet të kemi një reformë në taksimin e pasurisë së paluajtshme? A është e drejtë ky version që kemi? Mendoj që ha diskutim.
Pra mund të bëhet, shkon në drejtimin e duhur, por mund të bëhet më i drejtë si sistem. E them këtë gjë që shkon në drejtimin e duhur sepse lëvizim nga një format hibrid që kemi aktualisht, ku ndërtesa taksohet me vlerë dhe toka taksohet me metra katror, taksohet po themi sipas metrave katrorë. Të dy komponentët, pra të gjitha komponentët, të gjitha tipologjitë e pronave do të shkojnë në drejtimin e taksimit me vlerën sa më të përafërt të tregut. Ka një drejtim, që është drejtimi i duhur.
Ndërkohë që kur flasim për kategorizimin dhe për përjashtimet, mendoj që mund të bëjmë më mirë. E para mund të përfshijmë disa kategori të tjera përjashtimi siç janë nënat e divorcuara që kanë në ngarkesë fëmijë, apo nënat e veja, apo aty ku në familje ka fëmijë jetim, apo aty ku në familje ka fëmijë të cilët trajtohen me ndihmë të veçantë përsa i përket aftësive të kufizuara. Pra mund të përfshihet pak më tepër, të bëhet më i larmishëm kategoria e përjashtimeve dhe mund të ketë komponentë të cilët e shtyjnë në kohë pagesën e taksës .
Nëse një familje ka një vështirësi ekonomike, pavarësisht se minimumi jetik, ose është pak më tepër se minimumi jetik, pavarësisht se në Shqipëri fatkeqësisht nuk kemi një minimum jetik të ligjëruar, të kemi me shifër të miratuar nga qeveria, të mund të kemi shtyrjen e pagimit të taksimit deri në momentin e dhurimit, trashëgimisë apo shitjes. Kjo është një gjë që mund ta bëjmë më mirë për këtë ligj. Dhe drejtimi tjetër është që vazhdohet dhe kërkohet me ngulm në projektligj përjashtimi i infrastrukturave hoteleri, resorte me katër pesë yje me brende ndërkombëtare. Mendoj që këtu mund të bëhet më mirë duke përfshirë standardin katër pesë yje për të gjithë infrastrukturën në Shqipëri, pavarësisht nëse ke një emër ndërkombëtar apo një emër lokal.
Dhe mund të kemi dhe duhet të kemi normalisht komponentë të cilët kanë të bëjnë me kontributin në ekonomi, me vendet e punës, me jetëgjatësinë e gjithë projektit. Pra ka disa elemente që mund të shtohen, jo vetëm që të jesh një emër ndërkombëtar dhe ne të përjashtojmë nga taksat për 10 vite. Dhe në projektligj për të qenë të drejtë, në të njëjtën kohë do duhet të ketë një afat. Pra deri në çfarë viti ne do të vazhdojmë me këtë qasje që do të përjashtojmë infrastrukturat katër pesë yje nga taksat.
Dhe në të njëjtën kohë, edhe një element i tretë, nuk ka një diferencim për ndërtesat tregtare, pra ka banesa dhe ndërtesa tregtare. Ndërkohë që brenda ndërtesave që përdoren për aktivitet ekonomik, ashtu siç jemi kujdesur që të përjashtojmë hotelet me katër, pesë yje, mundet dhe mundet të futet në ligj, pra nuk është se është e vështirë për t'u parashikuar, përjashtim për kategorinë e çdo ndërtimi i cili shkon në mbështetje të bujqësisë, të blegtorisë dhe të agropërpunimit. Pra mund të fusim këtë element që ta bëjmë pak më të drejtë dhe më të balancuar si politikë.
Dhe në projektligj është e parashikuar që aty ku banesa është e deklaruar në pronësi, është e deklaruar si vendbanim, në pronësi apo në posedim, të çdo individi, po themi një familje apo qoftë edhe një individ i cili përfiton vetëm pension pleqërie, është e përjashtuar. Kështu që mjafton të deklarohet që ky është banimi i prindërve të mi.


