Konakoviq kërkon ndalimin e koncertit të Jelena Karleushës në Sarajevë

Elmedin Konaković ka paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht ndalimin e koncertit të këngëtares serbe Jelena Karleuša, i cili pritet të mbahet më 8 gusht në Sarajevë.
Sipas deklaratës së tij, Konakoviq do t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës me kërkesën që aktiviteti të ndalohet në përputhje me Ligjin për Tubimet Publike.
Ai argumenton se bëhet fjalë për një person që, sipas tij, me paraqitjet dhe deklaratat publike “nxit urrejtje kombëtare dhe fetare”.
Në reagimet e tij publike, ministri theksoi se Sarajeva nuk duhet të lejojë normalizimin e, siç u shpreh ai, sjelljeve që relativizojnë krimet e luftës dhe fyejnë viktimat.
Ai shtoi se çështja nuk lidhet me muzikën, por me mbrojtjen e dinjitetit shtetëror dhe kujtesës së viktimave të luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Konakoviq gjithashtu iu përgjigj kritikëve të mundshëm, duke deklaruar se reagimi i tij nuk është “temë estrade”, por një çështje me peshë politike dhe shoqërore.
Sipas tij, është e rëndësishme të vendosen kufij ndaj personave që, siç pretendon ai, mbajnë qëndrime fyese ndaj historisë së vendit.
Ai përfundoi duke theksuar se qëllimi i tij është të mbrojë dinjitetin e qytetarëve dhe të viktimave, duke shtuar se nuk duhet lejuar poshtërimi i tyre në hapësirën publike.



