Ibrahimaj: S’kemi ende një projekt për në Zvërnec. Shifra 4 miliardë euro investim na rezultoi nga një projekt i mëparshëm, që s’u zbatua

Qeveria ka sqaruar në lidhje me zhvillimin e shumëpërfolur në zonën e Zvërnecit, duke konfirmuar se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt final për ndërtim.

Faza e tanishme përkufizohet si një proces studimi dhe projektimi, ku janë angazhuar arkitektë të njohur ndërkombëtarë, inxhinierë dhe ekspertë të peizazhit për të vlerësuar me saktësi ndikimin në mjedis.

Pavarësisht mungesës së një plani përfundimtar, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri me dije se çdo propozim që do të paraqitet në të ardhmen do t'i nënshtrohet filtrave të rreptë.

Standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për mbrojtjen e natyrës mbeten një kusht i panegociueshëm për miratimin e këtij investimi. Kjo qasje vjen në përputhje me procesin e negociatave të nisura me BE-në, ku legjislacioni mjedisor zë një vend kyç në kalendarin e detyrave shtetërore.

Nga ana tjetër, Ibrahimaj shprehet hapur mbështetës ndaj investimeve të këtyre përmasave, për sa kohë respektohen ligjet.

“Ne nuk kemi ende një projekt për zhvillimin e zonës, për ndërtimin në zonën e Zvërnecit. Pa diskutim që janë duke punuar arkitektë të njohur, janë duke punuar studiues dhe inxhinierë të cilët merren me ndikimin në mjedis, janë duke punuar arkitektë të peizazhit siç e kemi bërë deklaruar në disa dalje publike për të sqaruar publikun që jemi në fazë ende të një studimi dhe të një projektimi.

 Qeveria Shqiptare nuk e ka një projekt final që mund të ndajë me publikun. Unë jam e sigurt që në momentin që do të na vijë një propozim, ai do të jetë një propozim i cili do t'i plotësojë të gjitha kushtet mjedisore. Është shqetësimi ynë kryesor që të gjitha ato standarde të mjedisit për të cilat ne jemi duke punuar nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit edhe në bashkëpunim me Bashkimin Europian të respektohen, dhe pa diskutim që është në qëllimet tona që projekti të miratohet, projekti të vazhdojë, pa diskutim brenda të gjitha kushteve dhe standarteve që Bashkimi Europian ka.

Unë dua t'ju kujtoj që ne kemi një proces të nisur negociatash me Bashkimin Europian, kemi një kalendar detyrash shumë të mirëpërcaktuar, ku vë pjesë i gjithë legjislacioni që ne kemi për të gjitha fushat, dhe specifikisht legjislacioni që kemi për mbrojtjen e mjedisit, dhe pa diskutim që... në momentin që do të na vijë një projekt i cili do të ketë një studim të impaktit në mjedis, do të analizohet nga strukturat e qeverisë dhe do të bëhet transparent pa diskutim.

Por sigurisht që ne duam që një projekt i kësaj përmase financiare të vijë në Shqipëri, jo vetëm për paratë që ai sjell në ekonominë shqiptare, jo vetëm për ndikimin që ai sjell në ekonominë shqiptare, por edhe për imazhin, për standardet që sjell në turizëm dhe për impaktin që mund të ketë edhe në sektorin e turizmit, në hotele të tjera. Pra pa diskutim që neve jemi mbështetës të vijimit të zhvillimit të projektit, sigurisht sipas çdo kushti dhe standardi”, tha Ibrahimaj.

PYETJE – PËRGJIGJET

Gazetarja: Duke qenë se ju thoni që nuk keni projekt, nga e nxorët shifrën 4 miliardë euro që do jetë ndikimi në ekonomi? Se unë mund të them mund të jetë 5 miliardë, mund të jetë 6 miliardë.

Ministrja Ibrahimaj: Po në fakt edhe mund të jetë më e lartë. 4 miliardë ka qenë një projekt i cili është dorëzuar më parë dhe nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit pasi nuk i plotësonte standardet që ne kishim për çështje të intensitetit të ndërtimit, të ndikimit në mjedis, ne kemi bërë transparente të gjitha vendimet që ka marrë Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit dhe arsyet pse ne e kemi refuzuar atë projekt. Pra, projekti fillestar ka pasur një vlerë të ngjashme. Ne nuk e dimë se sa do jetë vlera e projektit që do të vijë për miratim, por vullneti është që të jetë në këto nivele, mund të jetë pesë, mund të jetë gjashtë, nuk mund të flasim sot pasi nuk e kemi një projekt.

Gazetarja: Mund të jetë edhe dy ose tre. Dhe një pyetje tjetër këtu, kur thatë që qeveria juaj do respektojë të gjitha standardet në ndërtim ose që kërkon Bashkimi Evropian sa i përket zonave të mbrojtura. Ju e keni fjalën që do respektoni të njëjtat standarde siç bëtë me pikën e vogël në Gjirin e Manastirit ku sot kemi një qytet betoni të ndërtuar në një zonë të mbrojtur që iu hoq Parkut të Butrintit?

Ministrja Ibrahimaj: Unë e kam fjalën që ne do të respektojmë gjithë legjislacionin në fuqi, i cili tani që flasim, është duke u rishikuar në bazë të gjithë kalendarit të punës që ne kemi me Bashkimin Evropian. Kjo është ajo që thashë

EMISIONET