“12 vite pa zgjedhje”/ Aktivisti Muhedini: Shoqata Çamëria nuk funksionon më si dikur

Tahir Muhedini, aktivist i çështjeve çame dhe anëtar i hershëm i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, ishte i ftuar në studion e Ora News, ku foli për zhvillimet brenda kësaj organizate dhe ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë viteve të fundit.

Muhedini solli në vëmendje historikun e shoqatës, e krijuar në vitin 1991 nga intelektualë shqiptarë çamë, duke kujtuar se në vitet e para ajo kishte një organizim të gjerë me degë, zyra dhe struktura në shumë qytete të vendit.

Sipas tij, situata ka ndryshuar pasi shoqata u afrua me strukturat politike, duke sjellë, sipas tij, mungesë të proceseve të rregullta zgjedhore brenda organizatës.

“Shoqata Patriotike Çamëria është krijuar në vitin 1991 nga intelektualët çamë dhe ka pasur një vazhdimësi shumë të mirë. Ka pasur degë në çdo qytet, me kryetarë, sekretarë, kryesi dhe këshilla, si dhe takime mujore për problemet e komunitetit”, u shpreh Muhedini.

Ai ngriti pretendimin se prej rreth 12 vitesh nuk janë zhvilluar zgjedhje të rregullta në strukturat e shoqatës dhe se drejtuesit e degëve nuk zgjidhen përmes garës.

“Që kur u mor nga Shpëtim Idrizi, prej rreth 12 vitesh nuk bëhen zgjedhje. Kryetarët e degëve vendosen pa një proces zgjedhor”, tha Muhedini.

Sipas tij, një rast i tillë është edhe ai i degës së Tiranës në vitin 2019, ku pas shpalljes së një procesi zgjedhor dhe daljes së një kandidature tjetër, zgjedhjet u shtynë.

Muhedini u ndal edhe te gjendja aktuale e strukturave të shoqatës, duke krahasuar organizimin e dikurshëm me situatën e sotme.

“Shoqata ka qenë shumë e kompletuar. Ka pasur zyra në Lushnje, Tiranë, Durrës, Kavajë dhe qytete të tjera. Sot nuk ka më atë organizim që ka pasur më parë”, u shpreh ai.

Aktivisti çam kërkoi rikthimin e proceseve demokratike dhe një organizim më të hapur brenda shoqatës, në mënyrë që ajo të rifitojë rolin që ka pasur në përfaqësimin e komunitetit çam.

 

EMISIONET