Xhixho: 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West, para që mund të shkonin për shëndetësinë dhe pensionistët!

Xhixho: 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West, para që mund

Deputetja Erisa Xhixho ka akuzuar qeverinë se ka përdorur fondet e shtetit për organizimin e koncertit të Kanye West, duke deklaruar se 4.2 milionë euro nga fondi rezervë mund të ishin investuar në shërbime më të nevojshme për qytetarët.

Në një reagim publik, Xhixho tha se më herët ishte deklaruar se koncerti nuk do t’i kushtonte asnjë qindarkë buxhetit të shtetit, ndërsa sipas saj, tashmë është bërë e ditur se janë alokuar fonde publike për këtë aktivitet.

“‘0 lekë’ deklaroi ministri i Financave kur e pyeta drejtpërdrejt se sa para do të përdoreshin nga buxheti i shtetit për koncertin e Kanye West. Sot e vërteta doli në shesh: 4.2 milionë euro nga fondi rezervë”, u shpreh Xhixho.

Ajo e cilësoi këtë vendim si “keqmenaxhim të parave publike”, duke argumentuar se këto fonde mund të përdoreshin për blerjen e ilaçeve për pacientët me kancer, rikthimin në funksion të pajisjeve mjekësore në spitale apo mbështetjen e pensionistëve.

Sipas deputetes, qeveria po i jep përparësi “spektakleve dhe fasadave” në vend të problemeve sociale dhe ekonomike me të cilat përballen qytetarët.

Deklaratat e Xhixhos vijnë pas debatit publik mbi financimin e aktiviteteve kulturore dhe mënyrën e përdorimit të fondeve rezervë të buxhetit të shtetit.

EMISIONET