“Nuk janë 50 milionë euro"/ Rama zbulon prapaskenat e koncertit të Kanye West: Shteti ndërhyri me 4 mln € për të mos turpëruar Shqipërinë
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës dhe aktivistëve politikë se qeveria shqiptare ka shpenzuar 50 milionë euro për organizimin e koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West.
Rama e cilësoi këtë pretendim si një “gënjeshtër me bisht” dhe sqaroi se shteti fillimisht nuk kishte asnjë angazhim financiar, pasi aktiviteti është tërësisht privat dhe bazohet te sponsorat e shitja e biletave.
Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se ekzekutivi u detyrua të ndërhyjë me një fond prej 4 milionë eurosh për të shmangur anulimin e koncertit dhe “turpërimin e Shqipërisë” përpara dhjetëra mijëra vizitorëve të huaj.
Sipas tij, ky investim do t’i kthehet shumëfish ekonomisë së kryeqytetit përmes turizmit dhe reklamimit global.
Në reagimin e tij, kryeministri sulmoi ashpër eksponentët e opozitës dhe lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, duke i akuzuar se po përdorin shpifjet dhe manipulimet për të marrë peng kauzat e sinqerta të qytetarëve dhe për të goditur imazhin e vendit.
Ndërsa theksoi se protesta është një e drejtë legjitime në një vend demokratik, Rama bëri thirrje që njerëzit të mos bien pre e dezinformimit të asaj që ai e quajti “kore e zezë e protestës”.


