Reforma zgjedhore/ Kume: Protestat e kanë lënë në hije, duhen lista 100% të hapura dhe 4 rajone zgjedhore!

Reforma zgjedhore ka humbur ritmin për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe protestave që po mbahen në vend. Kështu u shpreh eksperti zgjedhor Andon Kume në një intervistë për “Ora News”, ku theksoi se, ndonëse komisioni ka prodhuar disa projektpropozime, situata politike e ka zhvendosur fokusin nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kume tha se reforma kishte krijuar premisat për të qenë një proces i rëndësishëm dhe me dakordësi mes palëve, duke përmendur draftin për financimin e partive politike dhe propozimet për referendumet. Megjithatë, sipas tij, këto nisma nuk kanë marrë ende miratimin përfundimtar, pasi vëmendja e klasës politike është përqendruar te zhvillimet e ditëve të fundit.
Eksperti vlerësoi edhe nismën qytetare të firmosur nga mbi 20 mijë zgjedhës, e cila synon ndryshime në sistemin zgjedhor. Sipas tij, ndryshimi i elitave politike mund të vijë vetëm përmes votës dhe kjo nismë synon ta bëjë procesin zgjedhor më përfaqësues dhe më të afërt me vullnetin e qytetarëve.
Kume shpjegoi se propozimi parashikon lista 100% të hapura, ku zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë drejtpërdrejt kandidatët që preferojnë. Po ashtu, ai sugjeroi që vendi të ndahet në katër rajone zgjedhore në vend të 12 qarqeve aktuale, duke theksuar se një ndryshim i tillë nuk kërkon ndryshime kushtetuese, pasi ruan sistemin proporcional-rajonal.
Sipas tij, modeli me katër rajone do të garantonte përfaqësimin territorial, duke shmangur rrezikun që zonat më pak të populluara të mbeteshin pa përfaqësim në Kuvend. Ai propozoi gjithashtu rritjen e numrit të votave preferenciale për kandidatët, duke e konsideruar pesë preferenca si një zgjidhje optimale.
Eksperti ngriti shqetësime edhe për formulën aktuale D'Hondt të ndarjes së mandateve, duke argumentuar se ajo favorizon partitë e mëdha dhe e vështirëson përfaqësimin e forcave më të vogla politike.
Në përfundim, Kume theksoi se reforma zgjedhore mbetet një proces kyç për përmirësimin e demokracisë dhe se ndryshimet në sistem duhet të synojnë rritjen e përfaqësimit të qytetarëve, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe forcimin e besimit te vota si mekanizmi kryesor për ndryshimin e elitave politike.
Andon Kume:Ndryshe nga.reformat e tjera zgjedhore pati premisat për të qenë një produkt i qenësishëm kësaj radhe. Por çështjet e ditës në Shqipëri ndryshuan dhe me zhvillimet e fundit, sidomos me protestat e përditshme, duket sikur reforma zgjedhore tashmë ka kaluar në plan të dytë. Ka pasur disa produkte edhe të dakordësuara midis pozitës dhe opozitës në reformën, në komisionin për reformën zgjedhore, siç është drafti për financimin e partive politike, siç është një propozim vetëm nga ana e Partisë Socialiste për referendumet, të cilat janë hedhur për diskutim, por që akoma nuk kanë marrë vulën përfundimtare le të themi.
Pasi klasa politike tashmë gjendet përballë një situate komplet ndryshe që është situata me protestat. Ndërkohë, jo vetëm që klasa politike është marrë me reformën zgjedhore dhe ajo e ka për detyrë, pra deputetët e kanë për detyrë që të merren me të. Ndërkohë nga ana tjetër kemi dhe një nismë qytetare të qytetarëve të Shqipërisë me të drejtë vote, të cilët nëpërmjet këtij instrumenti, pra nismës qytetare, propozimit të një projektligji në parlament si vullnet i mbi 20.000 votuesve, kanë ndërmarrë një rrugëtim tjetër duke propozuar ndryshime të kodit zgjedhor, duke propozuar dhe ndryshime të mënyrës se si zbatohet sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë. Kjo nismë e cila në fakt shkon së bashku edhe me protestën që po zhvillohet sepse në fund të fundit kjo protesë si qëllim kryesor ka ndryshimin e lidershipit politik në vend, ndryshimin e elitave politike.
Duhet të jemi të gjithë realistë që elitat politike ndryshohen veç vetëm me një mënyrë, vetëm nëpërmjet votës. Dhe në këtë qasje, kjo nismë qytetare bën të mundur që nesër të kemi një produkt i cili është më i pastër përsa i përket ndryshimeve dhe më i afërt përsa i përket dëshirës për ndryshim që ka populli shqiptar përsa i përket lidershipit të tij. Duke ndryshuar sistemin, jo më me 12 rajone, duke ndryshuar mënyrën e preferencave që japim, jo me lista të mbyllura dhe me lista të hapura e të tjerë me radhë, unë do t'jua shpjegoj.
Më pas se si do të jetë, si është sistemi që është ideuar nga kjo nismë qytetare, duke e bërë sistemin të hapur, 100% listat 100% të hapura. Duke mos e ndarë më vendin në 12 rajone po vetëm në 4 rajone, dhe në këtë mënyrë nuk ka nevojë as të preket Kushtetuta për të ndryshuar sistemin zgjedhor, se të mban po të njëjtin sistem zgjedhor, proporcional-rajonal, por jo më me 12 rajone, por vetëm me 4 rajone, dhe këto rajone secila prodhojnë të paktën mbi 20 deputetë, secili rajon, dhe shuma e tyre bën 140 deputetët dhe në këto rajone, në listat që paraqiten në këto rajone janë 100% të hapura, votuesit kanë të drejtë që të zgjedhin vetë kandidatin që preferojnë.
Në këtë propozim, propozimi sot është që të jetë 1 preferencë, por ne mund të shkojmë edhe në preferenca dhe në më shumë preferenca siç e ka për shembull Kosova, që e ka me 10 preferenca. Idealja do të ishte diku tek 5 preferenca për çdo votues.
Çfarë do të bënte kjo? Pikë së pari do të ruante njëherë përfaqësimin e rajoneve të ndryshme në kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sepse nëse do ta bënim Shqipërinë një zonë të vetme zgjedhore, pra proporcional i hapur kombëtar, do të kishim deputetë që vinin nga zona shumë të populluara, siç janë për shembull Tirana, Fieri e tjerë me radhë, dhe do të kishe shumë vështirësi që të gjenim në parlamentin e ardhshëm deputetë që të prodhoheshin dhe që të vinin nga komunitete që kanë një numër të vogël banorësh siç janë për shembull zonat e thella, Kukësi, Mirdita, Dibra e të tjerë me radhë.
Pra nuk do të kishin përfaqësim, kurse duke e ndarë në katër rajone, kjo është, jep një lloj përfaqësimi. Ndërkohë është propozuar dhe ndryshimi i formulës së ndarjes së mandateve. Formula që ne përdorim sot për ndarjen e mandateve, është një formulë që mbasi merr numrin total të votave, ai numër total i votave pjesëtohet me numra 1, 2, 3, 4, 5.
Kjo formulë që është formula D'Hondt, përdoret për të eliminuar faktin që sistemet proporcionale krijojnë qeverisje jo të forta. Dhe për të eliminuar këtë defekt të sistemeve proporcionale, është vendosur kjo formulë, e cila favorizon kë? Favorizon partinë më të madhe dhe në rastin më të mirë favorizon dy partitë më të mëdhaja. Dhe është absolutisht një sistem, një formulë e cila shkon në kundërshtim me interesat e partive të vogla.

